Prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela u rendit i pari në garën e hapur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, për Prokuror të Përgjithshëm, përballë Arta Markut dhe Fatjona Memçajt. Kuvendi pritet të zgjedhë mes tre kandidaturave të propozuara nga KLP.
Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi njoftoi të enjten se Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte miratuar me 11 vota renditjen e tre kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe se tani pritej që Kuvendi të zgjidhte mes tyre prokurorin e ri.
Sipas këtij vendimi prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela ishte renditur i pari me 459 pikë nga 550 të mundshme, Arta Marku, Prokurorja e Përgjithshme në detyrë me 406 pikë dhe prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj me 362 pikë.
Pas përfundimit të mbledhjes, Ibrahimi tha se kandidatët kanë tre ditë për të ankimuar këtë vendim, por shtoi se shpresonte që të mos kishte ankim. Ai konsideroi se me këtë proces KLP kishte dhënë një shembull edhe kundrejt skepticizmit që është krijuar lidhur me punën e këshillit. Ai po ashtu la të kuptohej se Kuvendi do duhej të ndiqte rekomandimin e KLP që është shprehur qartazi në favor të Çelës.
“Ky shembull patjetër që duhet të mbahet parasysh edhe nga Kuvendi. Kuvendi ka kompetencën kushtetuese që të zgjedhi secilin prej kandidatëve, edhe të tretin nëse dëshiron Kuvendi. Sidoqoftë unë besoj se në frymën e reformës që i mëshon fort meritokracisë, i mëshon fort depolitizimit, në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve dhe drejtuesve të organeve të drejtësisë, edhe Kuvendi shpresoj që të mari parasysh pozicionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të votojë atë që ne renditëm të parin”, deklaroi Ibrahimi.
Secili prej 11 anëtarëve të KLP mund të vlerësonte çdo kandiat maksimalisht deri në 50 pikë. Sipas formularit për vlerësimin e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm, 20 pikë mund të jepeshin për komponetin e vlerësimit profesional, 20 për aspektin organizativ dhe drejtues, 4 pikë për integritetin dhe 6 pikë për elementet shtesë ku përshiheshin titujt akademikë e zotërimi i gjuhëve të huaja.
Vendimi i KLP do t'i kalojë Kuvendit, i cili duhet të zgjidhë një nga tre kandidatët. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 ose 84 vota të deputetëve të Kuvendit dhe renditja e kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është parashikuar si mekanizëm zhbllokues për rrethanat kur nuk arrihet një mazhorancë e cilësuar mes forcave të ndryshme politike. Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë kompetenca të kufizuara në kuadër të ndryshimeve ligjore, por zgjedhja e tij konsiderohet gjerësisht si një test për reformën në drejtësi.
Tre kandidatët për vendin e Prokurorit të Përgjithshëm prezantuan të mërkurën më datë 13 nëntor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë platformat me të cilat do të ndryshonin organin e akuzës nëse zgjidheshin në krye të tij.
Marku, e cila drejtoi institucionin në dy vitet e fundit, i mëshoi problematikave që hasi gjatë kësaj kohe, ndërsa vuri në dukje se kishte drejtuar institucionin nën presion “politik e mediatik”. Ajo po ashtu u duk e dyzuar sa i përket pavarësisë së prokurorëve të fituar pas reformës, ndërsa tha se Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte më instrumente për të kontrolluar nëse udhëzimet e tij zbatoheshin.
Ndërkohë Memçaj vuri theksin te bashkëpunimin ndërinstitucional, zbatimi i reformës dhe përmirësimi i prokurorisë sipas saj për të pasur një institucion “dinjitoz në luftën ndaj krimit transnacional”. Po ashtu ajo foli edhe për një trajtim të barabartë para ligjit. “Unë jam një prokurore e mirë sepse kam frikë ligjin”, tha Memçaj.
Çela nga ana tjetër vuri theksin të një analizim i detajuar i punës së deri tanishme të prokurorisë përfshi mënyrën se si shpenzohej buxheti i saj dhe të politikave penale që ai i cilësoi “pa rezultat”. Ai po ashtu premtoi një sistem sinjalizimi për të mbrojtur qytetarët e dobët nga “dhuna e shtetit”. Çela u ndal gjatë te fakti që ashpërsimi i dënimeve nuk kishte prodhuar rezultatet e duhura në uljen e nivelit të kriminalitetit.