Lajm9 Aug 2018

ONM i rekomandon Komisionerit Publik apelimin e vendimit të prokurorit Gentjan Osmani

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka rekomanduar Komisionerit Publike që të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Pokurorisë për Krime të Rënda, Gentjan Osmani.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Gentjan Osmani. | Foto nga : LSA

“Në datë 2.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentjan Osmani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë,” tha Institucioni i Komisionerëve Publik nëpërmjet një njoftimi për shtyp të enjten.

“Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentjan Osmani,” shtoi IKP.

Osmani është përzgjedhur si pjesë e listës prioritare te vetingut për shkak të kandidimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.  Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të përshtatshëm për detyrën që mban prokurorin e Krimeve të Rënda Gentjan Osmani në vendimin e dhënë të enjten më 2 gusht në Tiranë.

Procesi i vetingut është duke shqyrtuar aktualisht listën prioritare me 57 subjekte që janë kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë, KLGJ, KLP dhe KED si dhe ata që kanë pozicione të larta. Deri tani KPK ka mbajtur 48 seanca dëgjimore, ka shkarkuar 27 subjekte dhe ka rikonfirmuar në detyrë 21 subjekte. Nga radhët e prokurorëve 9 janë shkarkuar dhe 12 janë konfirmuar në detyrë.

Prokurori Osmani është subjekti i parë nga radhët e prokurorisë për të cilin ONM i ka rekomanduar Komisionerit Publik apelimin e vendimit të KPK-së. Më herët ONM ka rekomanduar apelimin e vendimit për gjyqtarë Bashkim Dedja, Xhezair Zaganjori dhe Gentian Medja.