Katër grupe të dyshuara të trafikut të narkotikëve pretendohet se janë shkatërruar prej policisë dhe prokurorisë, pas një operacioni me 23 të arrestuar dhe 8 persona të shpallur në kërkim. Nga të njëjtat grupe në Greqi janë ndaluar 34 persona.
Treqind forca policie morën pjesë në aksionin e koduar “LIMIT”, kundër katër grupeve të trafikut të narkotikëve në Tiranë, Korçë, Fier, Gjirokastër dhe Vlorë. Policia bëri me dije arrestimin e 23 të dyshuarve dhe sekuestrimin e 1.1 kilogramëve kokainë dhe 120 kilogram kanabisi.
“Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial, telefona celularë dhe disa automjete”, bëri me dije policia.
Finalizimi i operacioni u njoftua në një konferencë të përbashkët shtypi mes Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe prokurorit të Prokurorisë për Krimet e Rënda Vladimir Mara. Sipas njoftimit grupet hetoheshin prej 3 vjetësh dhe për zbulimin e aktivitetit të tyre ishte bashkëpunuar me policinë greke.
Policia bëri me dije se në kuadër të operacionit dhe hetimit të këtij grupi ishin arrestuar në Greqi 34 persona. “Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara”, njoftoi policia.
Policia bëri me dije se gjatë periudhës së hetimit 2016 – 2019, “është shkëmbyer në kohë reale informacion me partnerët tanë”. Sipas njoftimit nga ky shkëmbi informacioni policia greke ka “sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë”.
Sipas policisë grupet siguronin fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas kultivoheshin në Shqipëri. “Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Kultivimi i narkotikëve”, “Mbajta pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.