Përgjatë 4 ditëve, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme realizoi nëntë fluturime për të kthyer në Shqipëri qytetarët e bllokuar në vende të ndryshme të Europës nga kriza e COVID-19.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi të enjten mbylljen e operacionit të riatdhesimit për qytetarët shqiptarë të bllokuar jashtë kufijve të Shqipërisë për shkak të krizës së koronavirusit të ri, COVID-19.
Operacioni i riatdhesimit nisi më 29 mars me fluturimin e “Air Albania” nga kryeqyteti italian, Roma dhe përfundoi mbrëmjen e së mërkurës, po nga qyteti i Romës. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fiona Demneri, përgjatë katër ditëve u realizuan 9 fluturime me “Air Albania” dhe u kthyen në Shqipëri 1105 qytetarë.
“Janë kryesisht studentë dhe njerëz në nevojë në pamundësi qëndrimi, të cilëve u janë mbyllur konviktet, turistë pa mjete të mëtejshme jetese, shtetas të gjendur në vende të ndryshme të Europës për arsye humanitare apo punë sezonale,” tha Demneri.
Ministria deklaron se kishte asistuar më herët kthimin e 686 shtetasve të tjerë, duke e çuar numrin total të të riatdhesuarve në 1791.
Përgjatë 4 ditëve të operacionit të riatdhesimit u kryen dy fluturime nga Italia, tre nga Gjermania si dhe nga një fluturim nga Britania, Zvicra dhe Franca. Gjithashtu u kthyen edhe 165 qytetarë shqiptarë të cilët kishin mbetur në Kroaci.
Qytetarët e kthyer i janë nënshtruar kontrollit të temperaturës në kufi si dhe u është bërë thirrje që të vetëkarantinohen për 14 ditë. Në vetëkarantinim është edhe ministri Gent Cakaj pas udhëtimit të tij më 29 mars në Itali.
Të enjten, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme vendosi në dispozicion të qytetarëve të tjerë të mbetur jashtë Shqipërisë, të cilët mund të kenë nevojë për ndihmë ose informacion disa numra telefoni dhe adresa emaili.
Operacioni i riatdhesimit
Roma – 120 shtetas
Kroacia- 165 shtetas
Gjeneva – 121 persona dhe 1 bebe
Memingem- 131 shtetas
Lion- 116 shtetas nga Franca dhe Spanja
Frankfurt- 65 persona +1 bebe
Frankfurt- 120 shtetas
Londra- 120 shtetas
Roma- 135 shtetas