Nëntë prej biznesmenëve të ndaluar lënë qelitë dhe gjashtë të tjerë do të qëndrojnë të paktën 20 ditë në arrest me burg, ndërkohë që përmasat e skemës së dyshuar të mashtrimit me TVSH-në rriten në 1.8 miliardë lekë.
Ndalimi i 15 biznesmenëve dhe administratorëve të dyshuar për një skemë masive mashtrimi me TVSH-në u shfry që në përballjen e parë me Gjykatën e Tiranës të shtunën, ku pas seancave maratonë u vendos që nëntë prej të akuzuarve të lënë qelitë dhe gjashtë të tjerët të qëndrojnë në masën e “arrestit me burg” për të paktën 20 ditë.
Grupi i biznesmenëve akuzohet se është përfshirë në transaksione fiktive me një rrjet të dyshuar kompanish “fantazmë”, të cilat kanë qarkulluar fatura shit-blerjeje prej 1.8 miliardë lekësh [rreth 15 milionë euro] me dëm të llogaritur prej gati 5 milionë eurosh si tatim mbi vlerën e shtuar, TVSH dhe tatim fitimi.
Masat e sigurisë për 15 të akuzuarit u shqyrtuan nga gjyqtarja Ardiana Bera, në praninë e prokurores Elisabeta Imeraj, drejtuese e Prokurorisë së Tiranës.
Në fillim të seancës, Imeraj kërkoi nga Gjykata që të vlerësonte si të ligjshme ndalimet për 15 administratorët si dhe lënien në “arrest me burg” për 14 prej tyre, qëndrim të cilin e ndryshoi më pas për disa prej të akuzuave.
Ndryshe nga Prokuroria, avokatët e 15 të akuzuarve i cilësuan arrestimet me inisiativën e policisë si të paligjshme dhe kërkuan masa më të buta sigurie, ndërsa argumentuan se klientët e tyre kishin shkuar vetë në polici.
Në gjashtë raste, avokatët pretenduan se klientët e tyre vuanin nga probleme shëndetësore, ndërkohë që avokati i Paqsor Buzit, administrator i G.P.G Company ofroi edhe garanci pasurore prej 60 mijë eurosh në këmbim të masës së “detyrimit për paraqitje”.
Pas kërkesave dhe pretendimeve të avokatëve për probleme shëndetësore apo masa më të buta sigurie, prokurorja Elisabeta Imeraj ndryshoi kërkesat për gjashtë prej tyre. Përfaqësuesja e Prokurorisë kërkoi që Gjykata të vendoste “arrest me burg” me afat 20 ditor për Astrit Lalën, Rabi Kurtin, Besnik Pelivanin, Paqsor Buzin dhe Vangjush Mbriçen, ndërsa për Shpresa Joanidhin kërkoi masën e arrestit të shtëpisë.
Pas tërheqjes për vendim, gjyqtarja Ardiana Bera vendosi të lërë në “arrest shtëpie” nëntë prej biznesmenëve të akuzuar, ndërsa për 6 të tjerë u caktua masa e arrestit me burg për një afat 20 ditor.
Skema e dyshuar: bojaxhiu kthehet në biznesmen
Sipas të dhënave të hetimit që BIRN i disponon, skema më e fundit e mashtrimit me TVSH-në dyshohet të jetë krijuar prej vitit 2017 dhe mbi 50 kompani biznesi janë përfshirë në episode të ndryshme përmes blerjeve apo shitjeve me fatura, që sipas Prokurorisë janë fiktive.
Në qendër të skemës gjenden 5 kompani në dukje “fantazmë”, të cilat ndonëse deklarojnë një numër të kufizuar punonjësish dhe ndonjëherë zero xhiro në Tatime, kanë fatuar mes tyre mbi 1.8 miliardë lekë shkëmbime tregtare. Ndërkohë, kompanitë e njohura në fushën e ndërtimit apo të tregtisë akuzohen se kanë blerë mallra te “kompanitë fantazmë”, duke pasur sipas Prokurorisë qëllime për përfitim të padrejtë.
Prokuroria e Tiranës ka siguruar dëshminë e “pronarit” të njërës prej kompanive fantazmë, i kthyer brenda ditës nga bojaxhi në biznesmen. Drilon Bareti, 31 vjeç nga Shkodra, i cili ndërsa punon si bojaxhi, rezulton me letra si administrator i kompanisë “E.B.A Ndërtim” i ka thënë Policisë Gjyqësore se kishte pranuar të vinte emrin në QKB në këmbim të 150 mijë lekëve.
Bareti ka pranuar në dëshmi se një vit e gjysmë më parë i kishte kërkuar fqinjit të tij ndihmë financiare për shkak të një fatkeqësie familjare. Fqinji e kishte prezantuar me një person tjetër, i cili pasi i kishte shpalosur planet për të hapur disa magazina, i kishte kërkuar që dokumentet të bëheshin në emër të tij në këmbim të 150 mijë lekëve.
“Ok i thashë, por nuk dua të kem probleme me shtetin. Në rast se do kem probleme, unë do t’i tregoj të gjitha si kanë ndodhur,” citohet të ketë thënë Bareti në dëshmi.
Bojaxhiu 30-vjeçar nga Shkodra ka treguar më tej se ka shkuar i shoqëruar në Prefekturë e bashki për të nxjerrë dokumente dhe pas një pagese në bankë, shoqëruesi i tij kishte shkuar te Tatimet ku kishte marrë “dy kuti me blloqe faturash tatimore”.
“…unë nuk kam patur ndonjë biznes apo aktivitet tregtar, pasi mezi siguroj bukën e gojës. Jam i penduar për ato letra që kam firmosur, por nuk i kam dhënë rëndësi dhe ngaqë më duheshin paratë kam firmosur,” ka shtuar ai.
Dy personat e identifikuar prej tij si autorë të mashtrimit nuk rezulton të përmenden në dokumentet e Prokurorisë si të dyshuar apo nën hetim për ngjarjen.
E.B.A Ndërtim ishte vetëm njëra prej kompanive të regjistruara për llogari të skemës së dyshuar të mashtrimit me TVSH-në. Sipas Prokurorisë, katër kompanitë e tjera janë “Bioenergie e Tecnologie Italiana-BTI, me administrator Agron Baruti, Uniservise sh.p.k me pronar dispeçerin Nuredin Buzra, Bani/s me administrator Rrapo Badunin dhe Konstruksion Aleni sh.p.k me administrator Albert Ahmeti.
Masat e sigurisë
Paqsor Buzi, aksioner i G.P.G Company, arrest shtëpie
Besnik Pelivani, kompania e ndërtimit A.B.BE, arrest me burg me afat 20 ditë
Astrit Lala, kompania Leksi Security 1, arrest shtëpie
Haxhi Sala, kompania Leksi Security, arrest shtëpie
Ilia Dimo, kompania IBS sh.p.k, arrest shtëpie
Fatmir Firi, kompania Arb &Trans Sh.p.k, arrest me burg 20 ditë
Shkëlqim Prodani, kompania Red Black, arrest shtëpie
Ardian Bejko, kompania “Babeko Trans”, arrest me burg me afat 20 ditë
Shpresa Joanidhi, kompania “Shpresa”, arrest shtëpie
Mhill Ndreca, kompania “Kombeas”, arrest me burg me afat 20 ditë
Rabi Kurti, kompania “Kurti Construction”, arrest shtëpie
Riza Roshi, kompania “Dorgen” sh.p.k, arrest shtëpie
Rrapo Baduni, kompania “Bani/s”, arrest shtëpie
Vasil Korita, kompania “Medi Pharma”, arrest me burg 20 ditë
Vangjush Mbriçe, kompania C.E.C Group, arrest me burg 20 ditë