Dy nga katër persona të dyshuar si të përfshirë në një rrjet të trafikut të heroinës drejt Greqisë u arrestuan pas masave të sigurisë nga Gjykata e Posaçme. Të arrestuarit ishin nën hetim prej dy vjetësh për episode trafiku të ndodhur në vitin 2016.
Policia e Shtetit ekzekutoi të hënën vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për caktim të masave të arrestit me burg për Irfan Sulaj dhe Dëfrim Çela, ndërkohë dy persona të tjerë të identifikuar si F.Xh dhe R.Sh janë ende në kërkim.
Në një njoftim të shpërndarë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, bëhet me dije se të arrestuarit janë të dyshuar për “kryerjen e veprave penale “Trafikim narkotikëve” kryer me shumë se një here në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Ata akuzohen po ashtu për krijim të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”.
Prokuroria po ashtu njoftoi se hetimet për grupin kishin filluar në vitin 2019 dhe ishin kryer në bashkëpunim me autoritetet në Greqi dhe në Maqedoni të Veriut dhe u referohen rasteve të trafikut që kanë ndodhur gjatë vitit 2016. “Nga hetimet e kryera është bërë e mundur mbledhja e provave, mbi bazën e të cilave janë ngritur dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Irfan Sulaj dhe Dëfrim Çela gjatë vitit 2016 në bashkëpunim me lidhjet e tyre kanë drejtuar trafikimin nëpërmjet koordinimit të transportit dhe trafikimit të sasive të lëndëve narkotike kryesisht të llojit heroine nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe më pas për në vendet e tjera të BE-së”, thuhet në njoftim.