Opozita e Kosovës kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe zëvendësit të tij pasi kominsioneri europian tha se liberalizimi i vizave me BE-në nuk ka gjasa të ndodhë deri në vitin 2020.
Grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, kërkoi të martën dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe zëvendësit të tij, Fatmir Limaj, pas një deklarate nga komisioneri europian Johannes Hahn se liberalizimi i vizave me BE-në ka shumë gjasa të ndodhë në vitin 2020 dhe jo në fund të vitit 2018 siç shpresohej.
“LDK kërkon që Asambleja e Kosovës mblidhet për një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje, ndërsa kërkon dorëheqjen e ekzekutivit,” tha partia në një deklaratë.
“Kryeministri aktual dhe zëvendësi i tij, Limaj, kanë penguar, me dhunë dhe intrigë, përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave,” shtoi ajo.
Deklarata i referohej kohës kur Haradinaj dhe Limaj ishin në opozitë dhe kundërshtuan fuqishëm ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, një nga kriteret kryesore të BE-së për liberalizimin e vizave. Gjatë asaj periudhe, anëtarët e partisë së Haradinajt vazhdimisht hodhën gaz lotsjellës në parlament për të prishur votimet për demarkacionin.
Albin Kurti, kreu i një partie tjetër opozitare, Vetëvendosja, gjithashtu kërkoi dorëheqjen e kryetarit të parlamentit Kadri Veseli dhe ministres së integrimit europian Dhurata Hoxha.
“Datat më të hershme për liberalizimin e vizave gjatë vitit 2018 janë dhënë vetëm nga Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Dhurata Hoxha. Të tre këta duhet të japin dorëheqjen,” shkroi Kurti në Facebook.
Duke iu referuar faktit se Haradinaj përfundimisht votoi për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe e arsyetoi veprimin e tij duke deklaruar se Kosova do të fitonte liberalizimin e vizave deri në vitin 2018, Kurti shkroi se “ky koalicion qeveritar i ka borxh vendit tonë 8,200 hektarë që i janë dhënë Malit të Zi si pjesë e demarkacionit të kufirit”.
Ndërkohë, një deputet tjetër i partisë së Haradinajt, Blerim Kuçi, tha për mediat se ai do të mbajë premtimin e tij për të dhënë dorëheqjen nëse liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë deri në fund të vitit 2018.
“Sigurisht që i qëndroj zotimit tim për të dhënë dorëheqjen nëse liberalizimi nuk do të ndodhë këtë vit,” tha Kuçi për Express në Prishtinë.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë të hënën, komisioneri europian Hahn u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të kenë durim dhe të presin disa muaj para se të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.
Ai tha se pas një raporti pozitiv mbi progresin e Kosovës nga Komisioni Europian, tashmë i mbetej Këshillit të Ministrave të BE-së të vendoste.
“Këshilli Europian zakonisht është ai do më shumë kohë. Kështu që jam shumë i bindur se data që keni përmendur (2020) është reale, ndoshta edhe më herët, por mos më mbani peng të kësaj,” tha Hahn në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve nëse procesi do të finalizohet deri në vitin 2020.
Parlamenti Europian votoi në favor që Kosova të udhëtojë pa viza me zonën Shengen në shtator.
Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e të cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në vendet Shengen të BE-së.
Kosovës i ishte thënë se kërkesat për viza do të hiqen nëse do të përfundonte demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe nëse do të rriste luftën kundër krimit dhe korrupsionit.