Lajm11 Jan 2019

Opozita greke beson se deputetët do të mbështesin marrëveshjen e emrit

Partia kryesore opozitare, e cila kundërshton marrëveshjen e propozuar me Maqedoninë, beson se kryeministri Alexis Tsipras do të sigurojë mbështetjen e nevojshme në parlament për ratifikimin e marrëveshjes.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras pas nënshkrimit të marrëveshjes. Foto: Wikipedia.

Një ish-ministre e jashtme e Greqisë, Dora Bakoyannis, nga partia opozitare Demokracia e Re, ka akuzuar Panos Kammenos, kreun e partisë Grekët e Bashkuar, se po bën blof kur flet kundër marrëveshjes së emrit me Maqedoninë.

Bakoyannis tha të enjten se kur votimi të mbërrijë në parlament, Kammenos do të ndryshojë mendje nën presionin e partnerit të tij të madh, kryeministrit Alexis Tsipras, duke siguruar kështu suksesin e marrëveshjes, të cilën nacionalistët në të dy anët e kufirit e kundërshtojnë.

“Së shpejti do të dëgjojmë një deklaratë fitimtare nga ministri i mbrojtjes Kammenos sepse ai nuk ka zgjedhje tjetër, pasi ai nuk e ka partinë pas tij. Ai është në gjendje të dëshpëruar dhe në fund do të ndryshojë mendje,” tha Bakoyannis.

Të mërkurën, kreu i Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis, tha se nëse Kammenos do të kishte dashur vërtet ta bllokonte marrëveshjen, ai do të ishte larguar nga qeveria muaj më parë.

Të mërkurë, kryeministri Tsipras tha se marrëveshja e emrit do të dërgohet për ratifikim në parlament në fund të muajit.

Ai tha se nëse parlamenti maqedonas kalon fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese, duke e ndryshuar emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, ai priste që formalitetet bilaterale të përfundonin së shpejti dhe menjëherë pas kësaj parlamenti grek do të mblidhej.

Nëse parlamenti në Maqedoni bie dakord të ndryshojë emrin, në një seancë që nisi të mërkurën, akti përfundimtar i vënies në zbatim të marrëveshjes do të kalojë në Athinë, ku parlamenti do të duhet ta ratifikojë atë.

Ndryshe nga Maqedonia, qeveria e të cilës duhet të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për anën e saj të marrëveshjes, në parlamentin grek nevojitet vetëm një shumicë e thjeshtë.

Kjo nënkupton se të paktën 151 deputetë në parlamentin me 300 vende duhet të votojnë në favor të saj.

Më parë, analistët spekuluan se edhe nëse partia e Kammnos nuk e përkrahte zyrtarisht marrëveshjen, disa nga deputetët e saj mund ta bëjnë këtë më vete, ndërsa parti të tjera të vogla opozitare mund ta ndihmojnë gjithashtu qeverinë të sigurojë shumicën e nevojshme.

Tsipras ka vetëm një shumicë të vogël në parlamentin grek. Në qershor 2018 ai mezi i mbijetoi një mocioni mosbesimi kur 153 deputetë miratuan qeverinë e tij.

Debati mbi marrëveshjen vjen përpara një vizite dy-ditore në Athinë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila filloi të enjten.

Merkel është një mbështetëse e fortë e marrëveshjes historike të arritur verën e kaluar. Nëse ajo zbatohet, Greqia do të heqë bllokadën e saj të gjatë për pranimin e Maqedonisë në NATO.