Kreu i demokratëve Lulzim Basha thirri një protestë tjetër të dielën në orën 11 para Drejtorisë së Policisë si dhe një protestë tjetër “kombëtare” të hënën në mbrëmje ndërsa protesta e të shtunës la disa dhjetëra policë dhe protestues të plagosur.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijuan deri në orët e para të së dielës në rrugë të ndryshme të qendrës së Tiranës ndërsa Partia Demokratike njoftoi për më shumë protesta gjatë ditëve të ardhshme.
Disa dhjetëra policë dhe protestues morën ndihmën e mjekëve gjatë natës së kaluar pas përleshjeve që përfshinë fishekzjarre, bomba molotov, gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome. Mes të plagosurve është edhe Sahit Dollapi, aktualisht drejtues organizativ i Partisë Demokratike. Pamje të shfaqura në media tregojnë policët që i afrohen për ta ndaluar, Dollapi që ikën me vrap dhe rrëzohet dhe policët që e qëllojnë me shkopa gome.
Për demokratët, ndalimi i Dollapit nga policia u bë një pikë reference për vijimin e protestës, kësaj here pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ku zakonisht mbahen të ndaluarit gjatë protestës.
Kryetari demokrat Lulzim Basha foli para mbështetësve rreth orës 1 pas mesnate dhe njoftoi një protestë të dielën para Drejtorisë së Policisë në Tiranë dhe një protestë tjetër të hënën në mbrëmje.
Mbrëmja e të shtunës pa ndërhyrjen publike të presidentit të republikës Ilir Meta, i cili bëri thirrje për qetësi dhe “distancim nga dhuna” ndërsa kryeministri Edi Rama lavdëroi policinë.
Ambasada Amerikane në Tiranë ndërhyri me shpejtësi mbrëmjen e të shtunës për të dënuar pa mëdyshje Partinë Demokratike dhe për të bërë thirrje kundër dhunës.
“Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje,” deklaroi ambasada në një postim në Facebook.