Lajm18 Jun 2019

Optimistët në Ballkan presin vendimin e Këshillit Europian për bisedimet

Përpara mbledhjes së Këshillit Europian të Ministrave, e cila fillon të martën, po veniten shpresat se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të marrin një datë konkrete për fillimin e bisedimeve të tyre të pranimit në BE.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Ndërtesa e Bashkimit Europian në Bruksel. Foto ilustruese: Pixabay.

Ndërsa Këshilli Europian i Ministrave do të mblidhet të martën në Luksemburg, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria druhen se nuk do të marrin atë që shpresonin – një datë për fillimin e bisedimeve të tyre të pranimit në BE.

Për shkak të një numri të shteteve anëtare ende skeptike të BE-së, e shumta që mund të shpresojnë tani Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria është inkurajimi i mëtejshëm për reforma dhe një shtyrje të një vendimi konkret për nisjen e bisedimeve deri në vjeshtë, thanë disa vëzhgues.

“Është e sigurt se nuk do të ketë ndonjë vendim domethënës” në Këshillin e Ministrave, tha Simonida Kacarska, nga Instituti i Politikës Europiane me qendër në Shkup, një OJQ.

“Skenari më i mirë do të ishte nëse Këshilli Europian i jep dritë jeshile Komisionit që të fillojë të punojë për një strukturë negociatash, por aktualisht kjo ngjan si një opsion optimist dhe nuk mund të themi nëse kjo mund të realizohet,” shtoi Kacarska.

Përpara takimit, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn të hënën i bëri thirrje vendeve skeptike të rimendohen dhe të japin të paktën një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut.

Hahn tha se kredibiliteti i procesit të zgjerimit të BE-së  dhe të reformave të Ballkanit ishin në rrezik.

“Mesazhi im për shtetet anëtare skeptike: procesi i pranimit në BE duhet të bazohet në besueshmëri dhe seriozitet. Nëse një vend partner si Maqedonia e Veriut ofron arritje të dukshme,  edhe BE-ja duhet të ofrojë diçka. Ne nuk mund të rrezikojmë që procesi i reformave të ngadalësohet ose të ndalet,” tha Hahn.

Komisioni Europian në maj rekomandoi që BE-ja të hapë bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por la që vendimin për datën ta marrë Këshilli Europian në qershor.

Megjithatë, më herët këtë muaj, Bundestagu gjerman nuk arriti të merrte ndonjë vendim për të caktuar një datë fillimi për bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut apo Shqipërinë, duke i dhënë një goditje aspiratave të të dy vendeve.

Vendimi gjerman nënkupton se një debat mbi datën kur do të hapen bisedimet e anëtarësimit me të dy vendet nuk mund të përfshihet në axhendën e Këshillit Europian më vonë këtë muaj. Çështja tani do të shtyhet më e pakta deri në vjeshtë.

Hezitimi i parlamentit gjerman iu shtua gjithashtu dyshimeve ekzistuese të Francës dhe Holandës, të cilat kanë qenë kritike sidomos ndaj krizës së fundit politike në Shqipëri, duke përmendur gjithashtu mungesën e progresit në luftën kundër krimit në vend.

Maqedonia e Veriut ka insistuar që të dy vendet duhet të vlerësohen veçmas.

Kjo ishte gjithashtu një pikë debati gjatë fundjavës së kaluar midis presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskit, dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të Pendarovskit se secili vend duhet të vlerësohet individualisht, sipas arritjeve të veta, Rama tha se kjo do të ishte e padrejtë.

Rama tha se shqiptarët nuk të përjashtohen, duke theksuar gjithashtu se shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, kanë kontribuar shumë në demokratizimin e atij vendi në vitet e fundit.

Deri më tani, vetëm dy vende të Ballkanit Perëndimor i janë bashkuar BE-së, Sllovenia dhe Kroacia. Dy të tjerë, Serbia dhe Mali i Zi, kanë hapur bisedimet e pranimit ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë statusin e kandidatit dhe po presin një datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.