Ka të paktën pesë arsye për optimizëm në vitin 2021. Në vitin që sapo ka hyrë, ne mund të hedhim bazat për një epokë të re zhvillimi të qëndrueshëm, paqeje dhe bashkëpunimi, megjithëse duhet të jemi gjithashtu vigjilentë për të ndalur forcat e lakmisë, injorancës dhe urrejtjes që mund t’i përdorin teknologjitë e reja për qëllimet e tyre të fshehta.
Viti 2020 ishte një vit i trishtueshëm, me pandeminë COVID-19, ndryshime ekonomike në të gjithë botën, katastrofa klimaterike, trazira sociale të përhapura, dhe madje pretendime të rreme nga ana e presidentit amerikan Donald Trump për mashtrim masiv zgjedhor dhe thirrjet midis mbështetësve të tij për ligjin ushtarak. Megjithatë, pavarësisht lajmeve të zymta, viti solli edhe disa arsye të mëdha për optimizëm. Në këtë vit të ri, ne mund të hedhim bazat për një epokë të re zhvillimi të qëndrueshëm, paqeje dhe bashkëpunimi.
Arsyeja e parë për optimizëm ishte suksesi i shumë vendeve në frenimin e COVID-19. Vendet të ndryshme nga ana kulturore dhe politike si Australia, Kina, Koreja e Jugut, Laosi, Zelanda e Re dhe Vietnami, vunë në zbatim strategji efektive të shëndetit publik për të frenuar pandeminë. Kështu bënë edhe disa vende në rajone të tjera, përfshirë Afrikën Sub-Sahariane. Ndërsa në titujt kryesor mbizotëronin lajmet për mungesën e reagimit të SHBA-së dhe Europës përsa i takon frenimit të pandemisë, sukseset në rajonin Azi-Paqësor dhe gjetkë na tregojnë se si kombinimi i qeverisjes së mirë, qytetarisë së përgjegjshme dhe politikave të bazuara në prova, mund të zgjidhë sfida të mëdha dhe urgjente.
Arsyeja e dytë për optimizëm është mbërritja e vaksinave të reja, të cilat nuk janë vetëm një burim shprese e madhe për shpëtimin e jetës dhe ndalimin e virusit, por gjithashtu një shenjë e fuqisë së shkencës moderne për të ofruar progrese teknologjike në një kohë rekord. Zhvillimi i vaksinave ishte shembull i “qasjes së misionit” të hulumtimit dhe zhvillimit të vaksinës në një përpjekje publike-private. E njëjta mënyrë duhet të vihet në zbatim për të adresuar sfida të tjera globale, të tilla si rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme, bujqësia e qëndrueshme dhe ruajtja e biodiversitetit.
Arsyeja e tretë për optimizëm është se Donald Trump u mund në mënyrë vendimtare në zgjedhjet e nëntorit. Ashtu si shumë demagogë të së kaluarës dhe të tashmes, Trump qenë gjendje të gjeneronte një publik të gjerë me mbështetjen e propagandës masive, veçanërisht Fox News të Rupert Murdoch. Megjithatë, shumë nga publiku i dalluan gënjeshtrat dhe shpifjet dhe i mundësuan SHBA-së një fillim të ri pas mbretërimit katastrofik të paaftësisë, urrejtjes dhe gënjeshtrave të Trump.
Injoranca dhe gënjeshtrat e Trump kontribuuan në më shumë se 330,000 vdekje në SHBA nga COVID-19 në vitin 2020, afërsisht një e katërta e vdekjeve të botës nga virusi, edhe pse SHBA-ja përbën vetëm 4% të popullsisë së botës. Keqmenaxhimi katastrofik i COVID-19 nga ana e Trump çoi përfundimisht në humbjen e tij në zgjedhje, megjithatë edhe atëherë Trump u përpoq të mbante pushtetin duke bërë pretendime të dëshpëruara dhe të pavërteta për mashtrim zgjedhor. Për fat të mirë, si publiku ashtu edhe institucionet amerikane – kryetarët e bashkive, guvernatorët, organet ligjvënëse shtetërore, gjykatat dhe ushtria – i rezistuan impulseve autoritare të Trump, kështu që presidenti i zgjedhur Joe Biden, një njeri i mirë, i nderuar dhe racional, do të inaugurohet së shpejti.
Arsyeja e katërt për optimizëm është performanca e fortë e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht erërave të forta të 2020. OKB-ja u krijua 75 vjet më parë nga presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt si një fortesë kundër luftërave të ardhshme. Ajo mbron tre shtyllat e multilateralizmit: paqen, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në vitin 2020 OKB-ja performoi në mënyrë të admirueshme në të tri frontet, pavarësisht provokimeve nga administrata Trump.
Agjencitë e OKB-së sot drejtohen nga burra dhe gra me shumë aftësi dhe integritet, dhe Sekretari i Përgjithshëm António Guterres e ka udhëhequr organizatën me aftësi dhe vizion të jashtëzakonshëm gjatë vitit më të vështirë që nga themelimi i saj. Në vitin 2021, OKB-ja do të presë disa tubime tepër të rëndësishme globale – mbi oqeanet, biodiversitetin, sistemet ushqimore dhe klimën – që së bashku mund të hedhin themelet për dekada të tëra bashkëpunimi global mbi zhvillimin e qëndrueshëm.
Arsyeja e pestë për optimizëm është revolucioni digjital, protagonisti kryesor i pathënë i përgjigjes pandemike globale. Aktivitetet online e mbajtën botën funksionale. Brenda disa javësh, bizneset, shkollat, financat, qeveria, tregtia, pagesat, ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe sistemi i OKB-së hynë në internet me një normë, fushëveprim dhe thellësi të paimagjinueshme deri në atë moment. Teknologjitë digjitale luajtën një rol të drejtpërdrejtë në luftimin e epidemisë, duke siguruar informacione, monitoruar modele të transmetimit të sëmundjes dhe duke siguruar shërbime të shumta të sistemit shëndetësor.
Padyshim që bota e re digjitale nuk ka qenë një parajsë e papërcaktuar. Është shqetësuese që gjysma e botës ende nuk ka qasje në internet. Si rezultat, zhvendosja e shpejtë e punës, shkollës, jetës sociale, tregtisë dhe argëtimit në platformat në internet nxiti pabarazi dramatike midis atyre që kanë dhe nuk kanë internet. Për më tepër, teknologjitë digjitale kanë shtuar edhe sëmundje të reja dhe të rëna sociale, përfshirë piraterinë në shkallë të gjerë, lajmet e rreme, luftën kibernetike dhe mbikëqyrjen e pajustifikuar nga qeveritë dhe kompanitë private.
Dy fytyrat e epokës digjitale, pozitive dhe negative, ilustrojnë situatën me të cilën përballemi në shumë fronte. Ne mund të jemi optimistë duke ditur se teknologjitë më të fundit dhe njohuritë shkencore në botë na fuqizojnë për të zgjidhur probleme të ngutshme globale. Megjithatë, gjithashtu duhet të jemi vigjilentë për të ndalur forcat e lakmisë, injorancës dhe urrejtjes që mund t’i përdorin teknologjitë e reja për qëllimet e tyre të fshehta.
Filozofët e lashtë grekë besonin se politika dhe etika duhet të ecin paralelisht. Aristoteli shkroi dy nga veprat e tij mjeshtërore “Nicomachean Ethics” dhe “The Politics” si studime shoqëruese, e para si një udhëzues për lumturinë njerëzore dhe e dyta si një udhëzues për mënyrën se si politika mund të promovojë lumturinë në qytet-shtetin grek.
Në kohën tonë, Papa Françesku ka paraqitur dy enciklike të mëdha, “Laudato si” në vitin 2015 dhe “Fratelli tutti” në 2020 për të treguar se si etika mund të ndihmojë në udhëheqjen e botës drejt qëndrueshmërisë mjedisore dhe paqes globale. Enciklika e re ofron një përshkrim të thellë se si mund të shkojmë përtej familjeve tona, komuniteteve dhe vendeve për të ndërtuar dialog dhe besim në të gjithë botën.
Pra, le të hyjmë në vitin 2021 me një optimizëm real, por të kujdesshëm. Le të vendosim të zgjerojmë sukseset e shëndetit publik të rajonit Azi-Paqësor dhe vaksinat e reja të zhvilluara në SHBA, Europë, Rusi dhe Kinë për të përfituar e gjithë bota. Le të lëmë mënjanë urrejtjet që kanë minuar bashkëpunimin global dhe të bashkojmë forcat për të kapërcyer pabarazinë, varfërinë, përjashtimin dhe shkatërrimin mjedisor që kërcënojnë botën. Le të dyfishojmë mbështetjen tonë për OKB-në, për të ndërtuar një të ardhme të bazuar te paqja, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Dhe për ata në SHBA, le të fillojmë të shërojmë një komb të plagosur dhe të përçarë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Optimism for the New Year