Lajm12 Nov 2015

OSBE kundërshton propozimin ‘Rama’ për kriminalizimin e shpifjes

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias Dunja Mijatović kritikoi projektligjin e qeverisë duke kërkuar rrëzimin e tij të menjëhershëm dhe dekriminalizimin e mëtejshëm të shpifjes si vepër penale.

Autor: Gjergj Erebara BIRN
Printo

Përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias Dunja Mijatovic e fotografuar në Tiranë më 11 maj 2015. Foto: Malton Dibra/LSA

Përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias Dunja Mijatovic e fotografuar në Tiranë më 11 maj 2015. Foto: Malton Dibra/LSA

Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, OSBE, lëshoi një deklaratë shumë kritike sot ndaj propozimit të qeverisë për të dënuar me deri në tri vite burg shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë, duke i bërë thirrje parlamentit të mos e votojë atë.

“Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias Dunja Mijatović shprehu sot shqetësime mbi propozimin për ndryshime në Kodin Penal të Shqipërisë dhe i bëri thirrje anëtarëve të parlamentit ta rrëzojnë propozimin i cili sanksionon burgun si dënim për shpifjen ndaj figurave publike,” thuhet në një deklaratë të OSBE.

Duke shprehur shqetësim veçanërisht për aspektin disproporcional të dënimit që mbart propozimi i qeverisë, Mijatović tha:

“Institucionet publike dhe zyrtarët nuk duhet të gëzojnë mbrojtje të mëtejshme nga kritikat, përkundrazi, ata duhet të tolerojnë një masë më të madhe kritikash se sa qytetarët e zakonshëm,” tha ajo.

“Sanksionet penale për shpifjen dhe fyerjen janë të tepërta dhe disproporcionale. Ato duhet të zëvendësohen me masa të përshtratshme kompensuese civile ose administrative”, shtoi Mijatović.

Qeveria shqiptare dërgoi në kuvend më 14 tetor një propozim që dënon me deri në tri vjet burg ato që qeveria i konsideron si shpifje ndaj zyrtarëve publikë. Ligji u diskutua në heshtje të plotë në kuvend dhe pritej që të diskutohej në seancë plenare, por u zbulua nga media më 11 nëntor dhe shkaktoi reagime të shumta.

Për shkak të reagimeve, kryeministri Edi Rama deklaroi se propozimi qe “keqkuptuar” ndërsa ministrja Ermonela Felaj deklaroi se qeveria do ta tërheqë propozimin për sqarime të mëtejshme.

Por OSBE mendon se jo vetëm që propozimi është i gabuar, por edhe neni aktual 120 i kodit penal, i cili e trajton shpifjen si vepër penale të dënueshme me gjobë deri në 3 milionë lekë të rinj, duhet të shfuqizohet.

“Unë i bëj thirrje parlamentit të hedhë poshtë propozimin e ri dhe në vend të kësaj të shqyrtojë mundësinë e shfuqizimit të plotë të shpifjes si vepër penale,” tha Mijatović.