Paga mesatare në Shqipëri në tremujorin e tretë 2018 pësoi një rritje minimale prej 2.4%, ndërsa të ardhurat reale të të punësuarve pësuan një rritje minimale prej 0.2%, bëhet e ditur nga të dhënat e INSTAT.
Paga mesatare bruto në ekonominë shqiptare ishte 50 mijë lekë në muaj në tremujorin e tretë 2018, me një rënie prej 377 lekësh në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe një rritje prej 1,152 lekësh ose 2.4% në krahasim me një vit më parë. Indeksi mesatar i çmimeve të konsumit për tremujorin e tretë ishte 2.2%, ndërsa paga reale bruto rezulton se është rritur me vetëm 0.2%.
Instituti i Statistikave raporton një herë në tre muaj pagën mesatare në ekonomi dhe pagën mesatare në sektorin publik duke iu referuar të dhënave statistikore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. [Link] Shifra prej 50 mijë lekësh përfshin edhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të paguara nga punëmarrësit si dhe tatimin mbi të ardhurat personale. Duke qenë se nëndeklarimi i pagës reale me synim të fshehjes së të ardhurave reale është një fenomen i gjithëpërhapur në sektorin privat në Shqipëri, paga mesatare reale neto e punëmarrësve në Shqipëri nuk është e mundur të llogaritet.
Pagat në ekonominë shqiptare, si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat, kanë pësuar rritje minimale tashmë prej shumë vitesh. Sektori publik e ka pasur pagën mesatare 52 mijë lekë në vitin 2013 dhe paga pësoi rritje të papërfishme përgjatë viteve 2014, 2015 e 2016. Vetëm në vitin 2017, para zgjedhjeve të përgjithshme, pati një rritje pagash në masën 10%. Në vitin 2018 nuk pati rritje pagash dhe as indeksim për kompensimin e rritjes së çmimeve. Në tremujorin e tretë 2018, paga mesatare në sektorin publik ishte 60 mijë lekë, në të njëjtin nivel me 12 muaj më parë.
Instituti i Statistikave nuk raporton të dhëna më vete për sektorin privat.
Gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia shqiptare është rritur me ritëm më të ngadaltë se sa më parë, por gjithsesi me ritëm shumë më të lartë se sa rritja e pagave. Në të njëjtën kohë, të ardhurat e buxhetit të shtetit janë rritur gjithashtu. Por rritja ekonomike nuk është reflektuar në pagat e punëmarrësve.