Analize4 Feb 2019

Pakti Franko-Gjerman nuk është problem

Sigmar Gabriel, një ish ministër i jashtëm i Gjermanisë dhe udhëheqës i SocialDemokratëve, ka reaguar ndaj firmosjes së paktit të ri të miqësisë franko-gjermane duke rikujtuar kërcënimet që vijnë nga e shkuara. Duke injoruar kërcënimet e sotme, dhe mungesën e autonomisë strategjike të Europës, ai i bën një shërbim të keq Europës dhe Gjermanisë.

Autor: Zaki Laidi Project Syndicate Paris
Printo

Presidenti i SHBA Donald Trump, majtas, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel dhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron në Paris më 11 nëntor 2018. (AP Photo/Francois Mori, Pool)

Ndodh shumë shpesh që kontribute të rëndësishme në debatin publik kalojnë pa u vënë re, siç ishte rasti mbi komentin e kohëve të fundit nga Sigmar Gabriel mbi marrëdhëniet Franko-Gjermane. Një ish-udhëheqës i Social Demokratëve (SDP) i cili ka shërbyer gjithashtu si ministër i jashtëm i Gjermanisë, Gabriel publikoi një sulm pak a shumë të dhunshëm ndaj traktatit të ri Franko-Gjerman të Ahenit, të cilin ai e sheh si hapi i parë në një plan për krijimin e Bashkimit Europian të Mbrojtjes.

Asnjë plan i tillë nuk ekziston. Megjithatë, sipas Gabriel, traktati përbën një përpjekje të ringjallur për një autonomi strategjike Europiane sipas vijave Goliste. Si i tillë, ai e dënon atë si plan që është “në kundërshti me përqasjen e vjetër gjermane të balancimit të miqësisë me Francën krahas marrëdhënieve të forta transatlantike [Me Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.” Në këndvështrimin e tij Gjermania sakaq ka lëshuar tepër për Francën Goliste (një etiketë që ai nuk e përdor si kompliment).

Kundërshtimi kryesor i Gabriel është se marrëveshja e re do ta shtyjë Gjermaninë larg NATO-s. Ai vëren se pakti i mëparshëm i miqësisë Franko-Gjermane – Traktati i Elizesë i vitit 1963 – u amentua specifikisht nga Bundestagu për të rikonfirmuar lidhjet transatlantike të Gjermanisë, duke provokuar zemërimin e Charles de Gaulle, në atë kohë president i Francës. Për rrjedhojë, ai e shikon Traktatin e Ahenit si një përpjekje tjetër për të nxjerrë SHBA-në nga ekuacioni Europian i sigurisë.

Megjithatë, në mënyrë kurioze, ai nuk e përmend kurrë faktin se vetë presidenti i SHBA Donald Trump ka kërcënuar se do të tërheqë SHBA-në nga NATO. A mos Gabriel beson se ngrirja e marrëdhënies franko-gjermane në gjendjen aktuale ëhstë e nevojshme për të kënaqur Trump? Nëse po, kjo do të thotë se Europianët nuk duhet të bëjnë asnjë përpjekje tjetër për integrim më të madh mes vetes.

Duke lënë mënjanë faktin se kushtet gjeopolitike më 2019 janë shumë të ndryshme nga sa ishin më 1963, përmbajtja e marrëveshjes së re thjeshtë nuk e justifikon frikën që shpreh Gabriel. Neni 4, për shembull, deklaron se Franca dhe Gjermania “angazhohen të forcojnë kapacitetin e Europës për të vepruar bashkarisht dhe për të mbushur boshllëqet e saj në kapacitete, për rrjedhojë duke forcuar Bashkimin Europian dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut.”

Që të jemi të qartë, traktati bën thirrje për krijimin e një “këshilli franko-gjerman të mbrojtjes dhe të sigurisë si organ drejtues.” Por ky mund të jetë thjeshtë një mekanizëm shtesë për përparimin e interesave të përbashkëta strategjike të Francës dhe Gjermanisë brenda kufijve ekzistues të angazimeve ndërkombëtare, në veçanti “nenit 5 të Traktaktit të Atlantikut të Veriut.”

Gabriel akuzon Francën se dëshiron të ndajë Gjermaninë nga SHBA në interes të mbrojtjes Europiane më së shumti se sa të mbrojtjes Atlantike. Por fakti është që Franca kërkoi një shkallë pavarësie nga NATO 53 vjet më parë dhe kjo nuk do të thotë se dëshiron pikërisht këtë gjë edhe sot. Më 2009, Franca u ribashkua me NATO-n si anëtar i plotë dhe që nga ajo kohë ka qenë aktive në operacionet e NATO-s, në veçanti në Balltik. Për më tepër, marrëdhëniet franko-amerikane mbeten veçanërisht të forta në nivel operacional si në Sahel ashtu edhe në Levant. Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve të përbashkëta, SHBA e konsideron tashmë Francën si një nga aleatët e vet më të fuqishëm.

Në kontrast me këtë, marrëdhëniet gjermano-amerikane janë hidhëruar për shkak se Gjermania tashmë duket si kalorës i lirë në çështjet e sigurisë. Për rrjedhojë, kërcënimi më i madh në marrëdhëniet transatlantike nuk është traktati franko-gjerman, por ngurimi i vetë Gjermanisë për të përforcuar mbrojtjen e saj. E pse duhet që Amerika të mbrojë një Europë që nuk dëshiron të mbrojë veten? Nëse SHBA po ushtron presion mbi Gjermaninë – dhe nëse ambasadori i saj në Berlin sillet me një nivel arrogance që është e paimagjinueshme në Paris – kjo ndodh për shkak se Trump është i bindur se Gjermania është tërësisht nën mëshirën e Amerikës.

Sa për Francën, ajo nuk ka interes në dobësimin e NATO-s, mbi të cilën ajo varet, siç e kemi parë, në Libi. Mesazhi i Francës është thjeshtë që Europa ka interesat e veta për të mbrojtur. Ajo nuk mund të mbështesë sigurinë e saj te SHBA përgjithmonë dhe se prania e NATO-s nuk e justifikon të mosmenduarit për të vepruar për veten tënde.

Ia vlen të rikujtojmë se Franca ishte e gatshme për të ndërhyrë në Siri më 2013. Por pasi SHBA ndryshoi mendim papritur edhe Franca u tërhoq. Megjithatë, nëse Europa do të kishte vullnetin për të vepruar ushtarakisht pa SHBA-në, ajo do të mund ta kishte bërë këtë pa dëmtuar interesat amerikane. Me fjalë të tjera, nuk ka një konflikt “ose ti – ose unë’ mes mbrojtjes e Atlantikut dhe asaj të Europës. Përkundrazi, kriza e të parës duket se rrjedh drejtpërsëdrejti nga mungesa e së dytës, gjë që ka mërzitur Shtetet e Bashkuara.

Për rrjedhojë, kërcënimi më i madh ndaj marrëdhënieve transatlantike është ngurrimi i klasës politike të Gjermanisë për të debatuar sigurinë gjermane dhe për ta bërë të qartë se mbrojtja është një çështje ekzistenciale për Europën. Nëse Gjermania kërkon respektin e amerikanëve, ajo duhet të rrisë kredibilitetin e vet ushtarak. Në botën e sotme, i forti ka respekt vetëm për të fortin.

Arsyetimi i dyshimtë i Gabriel duket se reflekton anësinë e atij vetë. Ai është kritik i konceptit të autonomisë strategjike të Europës siç është përkufizuar kjo nga presidenti i Francës Emmanuel Macron. Por ndërsa kuptimi i autonomisë strategjike mund të debatohet, pyetja e vërtetë është nëse vetë Europa ka një interes të vetin përveç atyre të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë.

Nëse përgjigjja është po, nuk ka arsye për të pasur frikë nga autonomia strategjike e Europës në çështjet ushtarake, gjeopolitike dhe ekonomike. Por edhe nëse përgjigjja është jo, arsyetimi i Gabriel duhet të jetë sërish, së paku shqetësues. Në fund të fundit, vetë pasardhësi i tij në ministrinë e jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, vazhdimisht ka njohur nevojën që Europa të jetë më autonome përballë formave të larmishme të presionit të jashtëm. Kjo është arsyeja se pse Gjermania tashmë është në ballë të përpjekjeve për të mbrojtur tregtinë Europë-Iran kundër sanksioneve të SHBA-së.

Ndryshe nga sa duket se mendon Gabriel, “autonomia strategjike” nuk është një term për të përshkruar vendosjen e Gjermanisë nën komandën e Francës apo largimin e Gjermanisë nga SHBA. Për më tepër, vetë Gabriel e mbështet idenë e sovranitetit Europian, edhe pse ai kundërshton idenë e autonomisë strategjike.

Këto të dyja ecin paralelisht. Nuk mund të ketë një ndarje mes asaj që është ekonomike dhe asaj që është strategjike; çdo gjë është e lidhur. Argumenti i Gabriel kundër Traktatit të Ahenit është gabim; akoma më keq, ai i bën një shërbim të keq si Europës ashtu edhe Gjermanisë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Franco-German Pact Is Not the Problem