Për të avancuar me kauzën feministe në Shqipëri, është e rëndësishme t’i japim prioritet jetës mbi fitimin; të përvetësojmë sërisht strukturat e korruptuara shtetërore që tashmë kontrollohen nga oligarkët e biznesit dhe të punojmë për krijimin e një shteti social.
Pandemia ka nxjerrë në pah dhe ka përkeqësuar shumë nga problematikat me të cilat gratë shqiptare përballen prej kohësh. Në Shqipëri, barra e riprodhimit shoqëror, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që prodhojnë dhe mirëmbajnë jetën, si në aspektin biologjik edhe atë social vazhdon të bjerë në mënyrë joproporcionale mbi gratë. Këtu kemi parasysh përgatitjen e ushqimit, pastrimin, kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, përkujdesjen për të sëmurët/at etj. Gratë shqiptare shpenzojnë mbi 5 orë çdo ditë për punët e shtëpise, të cilat konsiderohen detyrim ‘i natyrshëm’ i tyre brenda hapësirës familjare. Si pasojë, gratë mbajnë një peshë të dyfishtë, duke punuar si brenda shtëpisë edhe jashtë saj.
Ndërsa organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe aktiviste feministe kanë vënë në dukje prej kohësh pengesat që gratë shqiptare hasin për t’u integruar në tregun e punës për shkak të peshës së pabarabartë që ato mbajnë për punët e shtëpisë, një analizë e mirëfilltë e këtij kontributi në terma ekonomik mungon. Kjo vjen si pasojë e të marrit të mirëqenë një ndarje artificiale midis sistemit të riprodhimit shoqëror, që përqendrohet tek përkujdesja ndaj jetës dhe sistemit ekonomik të prodhimit, që ka për qëllim nxjerrjen e fitimit dhe dominohet nga burrat. E parë ekskluzivisht brenda sferës së riprodhimit shoqëror, puna e papaguar e grave konsiderohet pa të drejtë pa një vlerë ekonomike. Megjithëatë, sistemi ynë ekonomik është në varësi të pashmangshme ndaj riprodhimit shoqëror dhe nuk mund të mbijetojë pa punën e papaguar të grave, që kontribuon vazhdimisht në krijimin dhe mirëmbajtjen e jetës. Në vitet 1970, feministe si Silvia Federici, Mariarosa Della Costa dhe Selma James nisën fushatën ‘Pagë kundër punëve të shtëpisë’, për të sjellë vëmendjen tek puna e padukshme dhe e papaguar e grave brenda sferës familjare. Qëllimi i fushatës nuk ishte të vendoste vërtet një çmim për punët e shtëpisë, por të tregonte sesi kjo punë, që konsiderohet rëndomtë çështje private, luan një rol kyç në sistemin ekonomik. Puna riprodhuese, përveçse është thelbësore për mbijetesën tonë në sensin biologjik dhe për ekzistencën tonë si qenie sociale, luan rolin kryesor edhe në prodhimin, përgatitjen dhe rigjenerimin e forcës punëtore. Në këtë mënyrë, të gjitha aktivitetet riprodhuese që ndihmojnë në mirëmbajtjen e jetës, përfshirë këtu edukimin dhe shkollimin e punonjësit/es që të ketë qasjen dhe aftësitë ‘e duhura’ në vendin e punës nuk janë të rëndësishme vetëm në askpektin shoqëror, por edhe për të siguruar mbarëvajtjen e sistemin të prodhimit dhe fitimin.
Në Shqipëri, ndarja gjinore që karakterizon aktivitetet e riprodhimit shoqëror brenda mureve të shtëpisë shtrihet edhe në tregun e punës. Gratë përbëjnë shumicën e forcës punëtore në profesione që kanë funksion përkujdesin ndaj jetës si infermiere, mësuese, sanitare, dado, apo edukatore. Si në sferën familjare, ashtu edhe në tregun e punës kontributi i grave shqiptare në riprodhimin shoqëror mbetet i zhvlerësuar, i keq/papaguar dhe konsiderohet jashtë marrëdhënieve ekonomike të prodhimit. Nga kjo pikëpamje, problemi nuk qendron vetëm në faktin se gratë shqiptare nuk janë të mirëintegruara në tregun e punës. Edhe më problematik është fakti se pozicioni i grave shqiptare brenda marrëdhënieve ekonomike i mban ato të nënshtruara dhe e zhvesh kontributin e tyre në riprodhimin shoqëror nga vlera (edhe ekonomike) që ka. Në një shoqëri si kjo e jona, të udhëhequr nga elita kriminale që kanë kapluar institucionet publike dhe autoritetin e shtetit, fitimit i jepet vazhdimisht prioritet përmbi krijimit dhe përkujdesit ndaj jetës. Kjo doli veçanërisht në pah gjatë pandemisë COVID-19. Ndërsa qeveria shqiptare vendosi masa shtrënguese për kufizimin e lëvizjeve me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit, vende të mbipopulluara dhe me rrezikshmëri të lartë si bizneset call center apo fasoneritë, ku shumica e punëtoreve janë gra mbetën të hapura duke vënë në rrezik jetën e shumë punëtoreve vulnerabël, vetëm për të shmangur humbje të mundshme të fitimit.
Situata për gratë shqiptare është përkeqësuar edhe më tej përballë tkurrjes së shtetit social dhe politikave agresive neoliberale të ndërmarra nga një qeveri e ashtquajtur ‘socialiste’ gjatë ketyre tetë viteve të fundit. Mungesa shërbimeve publike, mungesa e asistencës sociale, përqendrimi i burimeve në sektorin privat, mungesa e kapaciteteve në spitale dhe qendra shëndetesore, mungesa e shkollave dhe kopshteve cilësore, mungesa e qendrave për të moshuarit, si dhe rritja e çmimit të banesave ka bere që e gjithë pesha e përkujdesit ndaj jetës të bjerë mbi gratë dhe vajzat. Për shembull, Shqipëria renditet e fundit nga vendet e Balkanit Perëndimor përsa i përket aksesit në shërbime shëndetësore dhe kapaciteteve të klinikave dhe spitaleve. Stafit mjekësor i mungojnë mjetet bazike dhe ka më pak se 3 krevate spitalore për 1000 banorë, çka është më pak se gjysma e mesatares rajonale. Pasojat e kësaj infrastrukture të dobët shëndetësore, veçanërisht gjatë pandemisë por jo vetëm, janë absorbuar kryesisht nga gratë. Është puna e papaguar e grave që plotëson mungesat në sistemin e riprodhimit shoqëror dhe luan rolin që do të duhej të kishin institucione publike. Aty ku strukturat shtetërore mungojnë, pritshmëritë për të marr përsipër kujdesin ndaj të moshuarve, të sëmurëve, rritjen e fëmijëve bien të gjitha mbi gratë.
Ndërkohë që Kryeministri i Shqipërisë mburret përpara investitorëve të huaj për mungesën e sindikatave dhe mungesën e një të majte radikale në vend, shtresat më vulnerable të shoqërisë vuajnë pasigurinë në vendin e punës, orët e tejzgjatura, pagat e ulëta dhe rritjen e çmimit të jetesës. Të vendosura përballë kërkesave në rritje në vendin e punës dhe peshës së punëve të shtëpisë, gratë shqiptare gjenden të lodhura e të sfilitura, të shfrytëzuara si nga normat patriarkale brenda familjes, ashtu edhe nga një sistem ekonomik i drejtuar tërësisht nga fitimi dhe që zhvlerëson vazhdimisht ekzistencën e tyre. Për më tepër, për shumicën e grave rrogat janë të pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha kostot e tyre të jetesës, çka shpesh i detyron ato të qendrojnë në kurthin e marrëdhenieve abuzive brenda familjes. Dhe ndërsa pritshmëritë për punët e shtëpisë bien pothuajse mbi të gjitha gratë në Shqipëri, mënyra se si këto pritshmëri menaxhohen ndryshon në varësi te mundësive ekonomike. Për disa gra, kjo përkthehet në transferimin e përgjegjësive të punëve të shtëpisë tek gra të tjera nga shtresa më të ulëta që mund t’i kryejnë këto punë në shkëmbim të një rroge të vogël. Ndërsa kjo mund të jetë zgjidhje për disa gra të privilegjuara, ka lënë shumë gra të tjera nga shtresa më të ulëta të pamundura që të përmbushin nevojat e tyre të riprodhimit shoqëror.
Për të avancuar me kauzën feministe në Shqipëri, është e rëndësishme t’i japim prioritet jetës mbi fitimin; të përvetësojmë sërisht strukturat e korruptuara shtetërore që tashmë kontrollohen nga oligarkët e biznesit dhe të punojmë për krijimin e një shteti social. Na duhet të orientojme më tepër resurse drejt riprodhimit shoqëror dhe politikave të mirëqenies sociale. Një nga mënyrat konkrete për ta bërë këtë është duke paguar më mirë ata/o që kryejnë aktivitetet e riprodhimit shoqëror, në përputhje me dobinë shoqërore të punës së tyre. COVID-19 tregoi qartësisht se ajo çka është e domosdoshme për mbijetesën tonë është puna e atyre që na përgatisin ushqimin, punonjësit/et e supermarketeve, infermierët/et, mjekët/et, mësuesit/et, edukatorët/et, punonjësit/et social/e- kryesisht aktivitete ku mbizotëron numri i grave. T’i japim përparësi riprodhimit shoqëror do të thotë të bëjmë një rivlerësim të qasjes tonë ekonomike duke rishikuar se cilat punë/ profesione janë vërtetë të rëndësishme për të patur një jetë cilësore dhe cilat nuk kanë kurrëfarë dobie sociale. Mënyra për të emancipuar dhe fuqizuar të gjitha gratë shqiptare dhe jo vetëm një minoritet të privilegjuar të tyre është nëpërmjet përpjekjes kolektive për një shoqëri më të mirë, për një shtet social që mundëson strukturat e nevojshme publike për kujdesin ndaj jetës, duke refuzuar normat gjinore si brenda edhe jashtë familjes.
Deri tani, shumica e iniciativave për barazi gjinore në Shqipëri i kanë ardhur në ndihmë vetëm nje grupi të vogël grash. Për shembull, kuotat gjinore, sado të rëndësishme të jenë, nëse nuk shoqërohen me politika sociale dhe gjithëpërfshirëse nuk sjellin asnjë ndryshim pozitiv në jetën e shumicës së grave shqiptare. Pjesëmarrja e lartë e grave në qeverisje nuk do të thotë asgjë për barazinë gjinore nëse këto gra nuk i përdorin pozicionet e tyre të privilegjuara për të çuar përpara politika lehtësuese dhe progresive për gra të tjera. Përkundrazi, çlirimi i grave mund të arrihet nëpërmjet përpjekjes së përbashkët për drejtësi sociale dhe barazi për të gjitha gratë: për gratë punëtore, për gratë që janë të detyruara të jetojnë me dhunuesin e tyre në mungesë të mundësive ekonomike, për grate lesbike, biseksuale dhe transgjinore, për gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, për gratë rome dhe egjiptiane, për gratë që përballen çdo ditë me seksizëm në vendin e punës dhe në familje; për të gjitha gratë për të cilat kuotat gjinore apo barazia formale në vetvete nuk ja u lehtësojnë barren e normave dhe strukturave patriarkale.
Për të siguruar barazi gjinore është e rëndësishme të krijojmë ura lidhëse me lëvizje të tjera sociale në Shqipëri dhe rajon. Momentalisht, ka nisma ‘grassroots’ dhe aktivistë/e të majtë/a në Shqipëri që e kanë sjellë kauzën feministe në kontekstin e përpjekjeve të punëtoreve të fasonerisë për rroga dhe kushte më të mira pune; në protestat e studentëve kundër privatizimit të dijes dhe reformave neoliberale në arsim; apo në rezistencën e grupeve LGBTQ+ kundër heteronormativitetit shtypës. Revista Shota, një hapësirë e re ‘grassroots’ e mendimit dhe praktikës feministe po sfidon strukturat shtypëse ekonomike dhe patriarkale në vend, jo vetëm duke thelluar diskursin feminists në Shqipëri, por edhe duke krijuar ura lidhëse me lëvizje të tjera feministe në rajon dhe botë. Ka ende nevojë që këtë rezistencë ta përkthejmë në politikëbërje, të mobilizojmë më tepër burime financiare dhe njerëzore në funksion të kujdesit ndaj jetës, të solidarizohemi me lëvizje të ngjashme sociale në rajon dhe më tej. Vetëm nëpërmjet rezistencës ndaj strukturave shtypëse ekonomike dhe shoqërore mund ta çojmë përpara kauzën feministe në Shqiperi.