Analize26 Apr 2021

Pandemia brenda pandemisë së COVID-19

Në nivel global, përdorimi i antibiotikëve në spitale është rritur që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe shitjet pa recetë, të ligjshme në shumë vende, janë rritur gjithashtu. Kjo po ushqen edhe më tej krizën globale të rezistencës antimikrobike, pasi bakteret evoluojnë dhe bëhen imune ndaj këtyre barnave.

Autor: Loice Achieng Ombajo Project Syndicate Nairobi
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Frika nga COVID-19 po shton shitjen pa recetë dhe recetat për antibiotikë nëpër spitale duke nxitur kështu një pandemi të hesht të vazhdën e kësaj.

Në nivel global, përdorimi i antibiotikëve në spitale është rritur që nga fillimi i pandemisë së COVID-19. Edhe pse studimet tregojnë se vetëm 8% e pacientëve të pranuar në spital me COVID-19 kanë gjithashtu një infeksion që kërkon antibiotikë, më shumë se 70% i marrin ato. Për më tepër, shumë njerëz të shqetësuar për simptomat e mundshme ose reale të COVID-19 dhe të alarmuar nga raportet globale rreth pandemisë, i drejtohen konsumit të antibiotikëve pa u konsultuar më parë me një punonjës të kujdesit shëndetësor.

Kjo po nxit më tej krizën globale të rezistencës ndaj antibiotikëve, pasi bakteret evoluojnë dhe bëhen imunë ndaj këtyre barnave. Ne duhet të veprojmë shpejt – me politika ndërkombëtare, ligje kombëtare dhe masa lokale – për të kontrolluar atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar si një nga dhjetë kërcënimet kryesore shëndetësore për njerëzimin.

Antibiotikët trajtojnë infeksionet e shkaktuara nga bakteret dhe nuk kanë asnjë ndikim në një virus të tillë si SARS-CoV-2, i cili shkakton COVID-19. Përdorimi i tepërt i tyre thjesht përshpejton shfaqjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, e cila do të zvogëlojë aftësinë tonë për të trajtuar sëmundje të zakonshme. Infeksionet e thjeshta të tilla si pneumonia ose infeksionet e traktit urinar, të cilat aktualisht mund të kurohen shpejt nga antibiotikët e zakonshëm, mund të rezultojnë të pamundura për t’u trajtuar dhe mund të bëhen vdekjeprurëse.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në shumë vende afrikane, amerikano-jugore dhe aziatike, ku qasja për t’u konsultuar me një punonjës të kujdesit shëndetësor është e kufizuar dhe nuk ka kufizime në shitjet e antibiotikëve. Në Indi, shitjet e antibiotikëve janë rritur në mënyrë astronomike në vitet e fundit, kryesisht të nxitura nga blerjet pa recetë, duke përfshirë këtu edhe ilaçe të pa aprovuara. Po kështu, në Kenia, të gjithë antibiotikët mund të blihen pa recetë.

Bakteret që krijojnë rezistencë ndaj shumë antibiotikëve janë përgjegjës për shkaktimin e infeksioneve që janë të vështira për t’u trajtuar, të cilat kanë deri në tre herë më shumë gjasa të vrasin njerëzit sesa infeksionet e shkaktuara nga bakteret jo-rezistente. Dhe të dhënat nga disa vende – përfshirë Kinën dhe Egjiptin – tregojnë se deri në 50% të baktereve që shkaktojnë infeksione në njësitë e kujdesit kritik janë rezistente ndaj disa antibiotikëve. Në Shtetet e Bashkuara, vlerësohet se rreth tre milion njerëz marrin një infeksion rezistent ndaj antibiotikëve çdo vit, gjë e cila çon në më shumë se 35,000 vdekje në vit.

Bakteret rezistente ndaj ilaçeve gjithashtu kanë më shumë të ngjarë të përhapen nga personi në person dhe njihen që shkaktojnë shpërthime të mëdha sëmundjesh në spitale. Në botë, shumë reparte ku trajtohet COVID-19 aktualisht po përballen me këtë problem.

Si specialiste e sëmundjeve infektive që punon në vijën e parë të menaxhimit të COVID-19 dhe duke qenë se jam marrë gjithashtu me trajtimin e infeksioneve rezistente ndaj ilaçeve në Kenia, shpesh jam munduar shumë për të trajtuar pacientë me infeksione të rënda bakteriale që kishin zhvilluar rezistencë ndaj të gjithë antibiotikëve në dispozicion. Shumë prej ilaçeve të zhvilluara kohët e fundit që mund të trajtojnë baktere rezistente shpesh janë jashtëzakonisht të shtrenjta dhe nuk janë të disponueshme në shumë vende. Një kurë dhjetë ditore me antibiotikë të tillë në Kenia, për shembull, kushton gati 10,000 dollarë, duke bërë që kjo kurë të jetë përtej mundësive të shumicës së pacientëve.

Në fakt, shumë pacientë që shtrihen në spital për trajtim COVID-19 thonë se kanë marrë tashmë një ose më shumë antibiotikë në shtëpi në përpjekje për të trajtuar disa nga simptomat e tyre. Shpesh, përdorimi i këtyre barnave i kishte bërë ata të ndiejnë se po kurohen, kështu që ata vonuan për të shkuar në spital.

Disa mund të argumentojnë se lejimi i përdorimit të pakufizuar të antibiotikëve mund të lejojë qasjen në trajtim për ata që nuk kanë mundësi të takojnë një mjekë dhe se mund të kushtojë më lirë për të varfrit. Por rezistenca ndaj antibiotikëve që shkakton ky veprim kushton shumë më tepër dhe ekziston rreziku që të marrë edhe jetë.

Çfarë duhet të bëjmë për ta parandaluar këtë tjetër pandemi? Si fillim, OBSH-ja dhe agjencitë e tjera globale duhet të flasin shumë më fort dhe në mënyrë të qartë kundër përdorimit të antibiotikëve në rastet me COVID-19, përveç nëse këto barna këshillohen specifikisht për një infeksion tjetër bakterial.

Për më tepër, qeveritë kombëtare duhet të shtrëngojnë kufizimet në blerjet e antibiotikëve pa recetë. Të dhënat sugjerojnë se futja dhe zbatimi i ligjeve për të kufizuar shitje të tilla mund të jetë efikas nëse këto përpjekje vazhdojnë me kalimin e kohës. Kërkesa që farmacitë të vendosin një njoftim ku të thuhet se shitja e antibiotikëve pa recetë është e paligjshme, është lidhur gjithashtu me shitje të reduktuara antibiotikësh.

Spitalet duhet të miratojnë të ashtuquajturat strategji administrimi të antibiotikëve për të reduktuar recetat e panevojshme. Këto masa mund të çojnë në uljen e përdorimit dhe kostos së antibiotikëve, dhe uljen e rrezikut të infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve nëpër spitale. Strategjitë efikase mund të përfshijnë zhvillimin e udhëzimeve për menaxhimin e infeksioneve të zakonshme, kufizimin e përdorimit të antibiotikëve në infeksionet virale, forcimin e kapacitetit laboratorik – veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Dhe në fund, individët – pavarësisht nga frika e tyre e kuptueshme nga COVID-19 – nuk duhet të rrezikojnë të dëmtojnë veten duke përdorur antibiotikë pa qenë e nevojshme.

Mesazhi është i qartë: nëse nuk veprojmë tani për të frenuar përdorimin e antibiotikëve, ka shumë gjasa të përballemi me një pandemi të re. Dhe, ndryshe nga COVID-19, nuk do të na shpëtojë dot asnjë vaksinë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Pandemic Within the Pandemic