Paniku i krijuar nga kriza e COVID-19 e ka bërë të parëndësishëm dallimin e vjetër midis politikanëve populistë dhe atyre të arsyeshëm.
Është e lehtë të jesh zëri i arsyes kur ke epërsinë. Gjatë pesë viteve të fundit, BE-ja u përmbajt nga populizmi, duke reaguar me qetësi ndaj çdo kërcënimi për Brexit nga Londra.
Ishte e qartë se Mbretëria e Bashkuar, si partneri më i vogël në këto negociata, do të ishte më e ndjeshme ndaj kompromisit. Për çdo përshkallëzim të qartë të guximit nga Dauning Strit, kishte një lëshim të nënkuptuar, edhe nëse ai maskohej si një fitore diplomatike për Britaninë.
Por, sapo Mbretëria e Bashkuar filloi vaksinimin e njerëzve më shpejt se çdo vend tjetër në Europë, rolet ndryshuan.
Tani ishte radha e BE-së që të përdorë dramën populiste. E gjendur nën kritika të forta nga vendet anëtare për shpërndarjen e ngadaltë të programit të saj të vaksinimit, BE-ja u përpoq të impononte një “kufi” vaksine në ishullin e Irlandës midis Irlandës së Veriut britanike dhe Republikës. Do të kishte qenë një goditje nokaut për Protokollin e Irlandës së Veriut, i cili deri dje prezantohej si grali i shenjtë e negociatave, një zonë e ndaluar për oportunistët.
Rruga më e shpejtë për ashpërsinë politike është zakonisht paniku. Dhe pandemia e koronavirusit i ka të gjithë përbërësit e nevojshëm për të futur vendimmarrësit në një gjendje paniku. Egërsia dhe paparashikueshmëria e pandemisë e ka bërë të parëndësishëm dallimin midis populistëve dhe të moderuarve.
Së pari, ekziston një element populizmi në dallimin midis vendeve që kanë “pasur sukses” ose “kanë dështuar” për të ndaluar COVID-19.
Është një narrativë që bën dallimin midis të dobëtit të matur dhe të fuqishmit arrogant. Britania dhe Greqia kanë qenë shembuj emblematikë të këtij dallimi Manikean. Gjatë muajve të parë të pandemisë, Mbretëria e Bashkuar, një nga vendet më të fuqishme në botë, u portretizua si një katastrofë për sa i përket trajtimit të virusit, kryesisht për shkak të kryeministrit të saj, Boris Johnson.
Greqia, e cila është ende duke u rikuperuar nga kriza e saj më e madhe financiare që nga Lufta e Dytë Botërore, por me një qeveri të re anti-populiste, në fillim arriti të mbante të ulëta rastet e COVID-19 dhe vdekjet. Vendi u vlerësua si një model global që vendet e tjera mund ta marrin si shembull.
Por, nga fundi i nëntorit, kur pandemia mori një tjetër nga kthesat e saj të shumta të papritura, niveli ditor i vdekjeve në Greqi ishte më i lartë se ai në Britani ose SHBA.
Greqia më pas u kthye imponoi një izolim drakonian. Në ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar kishte rifituar forcën e saj dhe po vepronte me shpejtësi – ajo ishte vendi i parë perëndimor që miratoi një vaksinë. E gjitha ngjante si një garë, por me një fund të gabuar.
Vendet që nuk i përshtaten kësaj narrative dyjore janë izoluar si shembuj nga debati publik. Belgjika, shpesh e tallur si një shtet i vogël “pa qeveri”, zor se përmendet si një shembull kryesor dështimi përsa i përket COVID-19. Pa një figurë polemike, lehtësisht të shënjestruar në krye siç është Johnson, Belgjika u shpëtoi kritikave për pasjen e shkallës më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 në botë në vjeshtë.
Nuk janë vetëm populistët që keqmenaxhojnë
Gjërat janë shumë më të komplikuara sesa personifikimi i përgjegjësisë për përhapjen e virusit. Johnson, i përshkruar me dembeli si “mini-Trumpi” i Europës, është gjithmonë i rrethuar nga këshilltarët e tij shkencorë, Patrick Wallance dhe Chris Whitty, duke sfiduar perceptimin se populistët janë anti-shkencë. Shtrëngimi i duarve me pacientët me koronavirus më 7 mars të vitit të kaluar ishte diçka e papërgjegjshme. Por kjo ishte në fillim të marsit. Në atë kohë as që i kishim vënë një emër pandemisë.
Shtatë muaj më vonë, në nëntor 2020, kur Greqinë e zuri paniku, Michalis Chrysochoidis, Ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve, në një përpjekje për të mbrojtur praninë e dukshme të policisë në rrugë, pretendoi që oficerët e policisë nuk duhet të shqetësohen për COVID-19 sepse koronavirusi nuk mund të transmetohej në ambiente të hapura.
Kur Ministri i Shtetit Giorgos Gerapetritis u pyet nëse sistemi shëndetësor grek ishte gati për një rritje dramatike të pacientëve, ai bëri një pretendim të jashtëzakonshëm se një shtim rastesh në reanimacion thjesht do të sillte më shumë vdekje. Këta politikanë nuk janë populistë, ata thjesht ngatërruan mesazhet e tyre. Kjo ndodh. I ndodhi edhe Johnson-it dhe shtrëngimeve të tij të duarve. Ai mendoi se mesazhi i duhur ishte të mos stigmatizohen pacientët dhe të shmanget përhapja e panikut përpara një vendosje të masave kufizuese. Ai gabohej – por edhe ministrat grekë.
Shkelja e masave kufizuese për COVID-19 nuk është privilegj as i populistëve. Irlanda kishte “Golfgate”, një event golfi ku morën pjesë politikanë të lartë, përfshirë komisionerin e tregtisë i BE-së, Phil Hogan, i cili më pas dha dorëheqjen nga posti i tij. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shkeli rregullat e vendit të tij përsa i takon COVID-19 dhjetorin e kaluar duke marrë pjesë në samitet e BE-së dhe darkat e punës në Pallatin Elize.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, konsiderohet gjerësisht një anti-populist i moderuar – të cilit i atribuohet hapja e rrugës për rikthimin e partive tradicionale europiane pasi mundi populistët e majtë radikalë të SYRIZA-s – ka thyer vazhdimisht rregullat e tij të izolimit.
Në fillim të shkurtit, pasi qeveria e tij vendosi orën policore 18:00, ai mori pjesë në një mbledhje me rreth 40 persona. Dhjetorin e kaluar, gjatë izolimit të parë, ai shkoi me biçikletë në një pyll rreth 90 minuta me makinë nga shtëpia e tij dhe pozoi pa maskë për disa fotografi me kalimtarët.
Nëse mobilizon publikun, është në rregull
Nuk duhet të jesh populist për të shkelur rregullat ose për të përcjellë mesazhin e gabuar. Nuk duhet të jesh populist as për të përdorur retorikë populiste për të luftuar pandeminë. Populizmi mund të vihet në zbatim edhe nga politikanë të zakonshëm, për të mobilizuar publikun.
Kur Mitsotakis urdhëroi një nga izolimet e tij mbarëkombëtare, ai u tha bashkëqytetarëve të tij se ishte koha që ata të “aktivizonin‘Philotimo', vaksinën kombëtare të Greqisë “. Një fjalë greke e papërkthyeshme, philotimo është klishe që në thelb do të thotë të përqendrohesh në përfitimet e të tjerëve pa pritur diçka në këmbim. Mitsotakis nuk është politikani i vetëm që i atribuon vlera më të larta kolektive kombit të tij. Johnson gjithashtu u ka bërë lajka bashkatdhetarëve të tij duke iu drejtuar “arsyes së shëndoshë britanike” si arma më efektive kundër COVID-19.
Philotimo greke, arsyeja e shëndoshë britanike, Protokoll Irlandez. Të gjithë vënë në përdorim gjithçka që kanë në pandemi në mënyrë që të ndërtojnë besimin e publikut dhe të kalojnë krizën. Në një peizazh dystopik pandemie, është e pakuptimtë të bësh dallimin midis populistëve dhe politikanëve të zakonshëm. Ata janë të gjithë bashkë në këtë situatë.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.