Reportazh27 Nov 2020

Pandemia nuk i ndal; shqiptarët e Palermos festojnë Pavarësinë

Në kushtet e distancimit social për shkak të pandemisë së COVID-19, pinjollët e disa prej familjeve me zë shqiptare që jetojnë përtej Adriatikut, do ta shënojnë në mënyrë virtuale festën e Pavarësisë së Shqipërisë.  

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Festa e Pavarësisë do të jetë virtuale për shqiptarët në Palermo

Një grup shqiptarësh të hershëm në Palermo po përpiqen të festojnë edhe këtë vit 28 nëntorin e Pavarësisë, duke hapur një ekspozitë virtuale me foto nga Shqipëria, si dhe nga veprimtaritë e organizuara më parë për festat tona kombëtare në qytetin jugor të Italisë ku ata banojnë.

“Ishim përgatitur të mblidheshim për një ceremoni në sheshin që mban emrin “Myhedin Maxhuni”, i cili ka qenë kryetar bashkie në Santa Flavia,”  thotë për BIRN Vincenzo Lombardo, një nga më aktivët në grupin e miqve shqiptarë dhe italianë, e më pas shton: Këtë vit na pengon pandemia dhe rregullat strikte që ka vendosur qeveria për grumbullimet”.

Vitin e kaluar grupi i emërtuar “Indipendenza d’Albania 28/11/1912” e anuloi për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, festën që kishte përgatitur me artistë dhe personalitete të ftuar nga Italia, Shqipëria dhe Kosova.

“Shpërndamë ftesat dhe prisnim miqtë, por nuk mund të festonim në kushtet kur vëllezërit tanë në Durrës e më tej  po vuanin pasojat e tërmetit të tmerrshëm, prandaj hoqëm dorë nga festimet edhe u organizuam për të mbledhur ndihma – shprehet Vincenzo, i cili nga e ëma është pasardhës i familjes Shyti.

Një pjesë e anëtarëve të grupit “indipendentist” të Palermos vijnë nga familje të njohura shqiptare dhe arbëreshe si Bojaxhiu, Boletini, Muzakaj, etj.

Prindërit e tyre, të cilët kanë emigruar për arsye të ndryshme në Itali u bënë miq me njeri-tjetrin dhe pasardhësit kanë mbetur gjithashtu të ndjeshëm për çështjen shqiptare.

Megjithëse kanë lindur në Itali dhe tashmë kanë një moshë të pjekur, secili nga ata përpiqet të kontribuojë me sa mundet  në ruajtjen e lidhjeve me atdheun e prindërve.

“U propozuan të shkonin në Argjentinë, por ata nuk u larguan nga Palermo; qëndruan më afër vendit të tyre, pasi shpresonin të ktheheshin një ditë në Shqipëri – tregon për familjarët e tij dr. Luan Maxhuni.

Luani është një nga pasardhësit e Isa Boletinit. Ai ka lindur në Santa Flavia, në qytetin ku i ati Myhedin, u zgjodh dy herë kryebashkiak në vitet 1950-1960. Bashkëqytetarët e thërrasin me emrin e tij shqiptar mjekun kirurg, i cili njihet jo vetëm si profesionist mjaft  i zoti, por edhe si një nga denoncuesit publikë të parregullsive në spitalin e Palermos ku punoi deri sa doli në pension.

“Tani që jam më i lirë do të vij shpesh në Shqipëri, por edhe në Kosovë, pasi nuk i shoh të ndarë të dy shtetet.” thotë Luan Maxhuni për BIRN, pa e mohuar se mosnjohja e gjuhës shqipe ka qenë një pengesë jo e vogël për të vizituar vendin e të parëve.

“Këtu kam njohur plot shqiptarë që u vendosën në Palermo pas viteve ’90, por sapo them ndonjë fjalë shqip, ata më përgjigjen menjëherë  në gjuhën italiane,” justifikohet duke qeshur mjeku italo-shqiptar.

Nga të dhënat zyrtare, numri i shqiptarëve në Palermo është rreth 6 mijë, por lëvizjet e tyre në gadishulllin Apenin gjatë 30 viteve të fundit kanë qenë të shumta.

“Pasi mbërritën këtu në fillim të viteve 1990, një pjesë u drejtua në qytetet e veriut të Italisë, pasi aty kishte më shumë punë. Ndërsa tani po rikthehen, ngaqë jetesa në Siçili nuk është e shtrenjtë dhe klima është shumë më e mirë, njëlloj si tek ju, në Shqipëri,” më thotë Zef Kjaramonte, arbëreshi me prejardhje nga Muzakajt e periudhës së Skënderbeut.

Bacën Zef e kam njohur në Durrës kur promovonte vëllimin e tij poetik në gjuhën shqipe me titull “Vulë uji”, një “libër malli” siç e quan kritika. Ai po bën të pamundurën që gjuha shqipe në qytezat arbëreshe të mësohet siç duhet. Edhe në grupin e përbashkët Whatsapp të “indipendentistëve” herë pas here shihen vërejtjet e tij për gabimet në shkrimin e emrave të heronjve dhe poetëve kombëtarë apo emrat e vendeve në Shqipëri.

“Ne duhet të përgatisim më parë mësuesit e shqipes për fëmijët dhe të rinjtë,” thotë Kjaramonte për BIRN.

Ai shprehet se “ligji italian e lehtëson mësimin e gjuhës për 12 pakicat kombëtare në Itali, por fatkeqësisht gjuha e arbëreshëve në shekuj ka pësuar ndryshime dhe nuancime nga katundi në katund.

“Kjo është arsyeja që duhet të kujdesemi më parë për mësuesit se sa për nxënësit,” shton Baca Zef, i cili pak muaj më parë është zgjedhur anëtar i Këshillit Koordinues të institucionit të dedikuar studimeve arbëreshe, Qendrës së Botimeve dhe Studimeve për Arbëreshët.

Në grupin e “indipendentistëve” sapo prezantojnë një mik të ri nga arbëreshët e Piana degli Albanesi (Siçli), Giorgio La Cuccia, por për përshëndetjen e tij të shkruar në shqip me ndonjë gabim prof. Zefi qëndron neutral. Të sapoardhurit në grup duhen respektuar.

Ndoshta respektohen edhe më shumë italianët, Roberto Ferrara apo Gaetano Castello, të cilët megjithëse nuk e njohin thuajse aspak shqipen, kanë zgjedhur të mbështesin çështjen shqiptare, secili në mënyrën e tij.

Edhe ata e quajnë ditën e 28 nëntorit 1912 “Festa e Flamurit”, njëlloj si patriotët tanë të dikurshëm brenda dhe jashtë vendit.

Gaetano që nga viti 1992 është transferuar gati plotësisht në vendin tonë, dhe biznesi e profesioni kanë bërë që bashkë me qytetet tona, ai të njohë shumë mirë edhe Kosovën, e veçanërisht Prishtinën ku po punon kohët e fundit.

Miqtë e tij në Itali u merakosën për shëndetin e 70-vjeçarit, kur përmes mesazheve në whatsapp ai u tregoi se kishte kaluar Covid-19, dhe se me ndihmën e mjekëve dhe miqve të tij vendas ia kishte dalë ta mposhtte sëmundjen, aty në banesën e tij në Rrashbull të Durrësit.

Mes fotove për Shqipërinë dhe figurat e rëndësishme të saj, të cilat i publikojnë për njeri tjetrin në mesazhet e grupit më shpesh shihen ato për Nënë Terezën, të cilën shqiptarët e Siçilisë e adhurojnë njëlloj si heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.

Mes komenteve të shumta shquajnë ato të Massimiliano Guttadauros, një nga nipat e Nënë Terezës.

Ai shkruan shkurt dhe me shumë ndjenjë në kujtim shqiptares së madhe, njëkohësisht motra e gjyshit të tij, Lazër Bojaxhiu, një nga shqiptarët e shumtë që u detyrua të lerë vendin dhe të vendoset  në Palermo shumë dekada më parë.

Një trashëgimi e veçantë kjo e shqiptarëve të Siçilisë, të cilën ata po përpiqen ta bëjnë të njohur edhe për bashkatdhetarët që kanë mbërritur kohët e fundit. Por siç thotë Zef Kjaramonte, që prej shumë vitesh udhëton e ka plot miq në Shqipëri dhe në Kosovë: “Më parë duhet njohur nga afër vendi amë dhe historia e tij”.