Lajm10 Jul 2020

Pandemia shton 660 milionë euro depozita ndërsa shqiptarët kursejnë

Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se paratë e shqiptarëve në llogari bankare u shtuan me 79 miliardë lekë në bazë vjetore, një rritje e pazakontë që duket se është shkaktuar nga prirja e qytetarëve drejt konsumit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Qytetarë duke pritur në rradhë pranë një banke të nivelit të dytë në Tiranë më 3 Prill 2020. Foto: LSA

Depozitat e shqiptarëve nëpër banka shënuan një rritje të fuqishme dhe të pazakontë gjatë muajve të fundit duke sinjalizuar prirjen e qytetarëve për të kursyer në kohë pandemie ndërkohë që ekonomia është goditur rëndë nga rënia e konsumit. Të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se depozitat arritën në 1.22 trilionë lekë (10.2 miliardë euro) në maj, me një rritje prej 79 miliardë lekësh ose 660 milionë euro në krahasim me majin e vitit 2019. Norma vjetore e rritjes në përqindje prej 6.9% është shumë më e lartë se sa ecuria e zakonshme e depozitave gjatë viteve të fundit. Në vitin 2017 depozitat u rritën me 0.7% ndërsa në vitin 2018 me 1.2%.

Rritja e depozitave gjatë muajve të parë të këtij viti ka qenë e njëtrajtshme si për llogaritë e individëve ashtu edhe për ato të bizneseve.

Rritja e depozitave në banka vjen në një kohë kur vendi po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në dy dekada, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, i cili shkakton sëmundjen COVID-19. Në muajt mars e prill, rritja e kursimeve duket se erdhi nga pamundësia fizike e qytetarëve për të konsumuar në kushtet kur kafenetë dhe restorantet ishin të mbyllura por shtimi i kursimeve në banka ka vijuar edhe gjatë muajit maj.

Shkalla e përhapjes së virusit gjatë muajve të ardhshëm duket se do të përcaktojë edhe nëse shqiptarët do të vijojnë të kursejnë, duke thelluar krizën ekonomike, apo gjërat do të vijnë drejt përmirësimit.

Kursimet prej 660 milionë euro janë të barabarta me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të këtij viti.