Komentet skandaloze nga Szilard Demeter, i cili akuzoi një të mbijetuar të Holokaustit si “një Fyhrer liberal” dhe relativizoi Holokaustin, janë bërë tepër të parashikueshme, ndërsa zyrtarët e Fidesz përpiqen t'ia kalojnë njëri-tjetrit në sulmet e tyre ndaj filantropit amerikan të lindur në Hungari.
Një skandal gjatë fundjavës në Hungari në lidhje me vërejtjet antisemitike të një komisioneri kulturor qeveritar dhe drejtorit të një muzeu ka ardhur në momentin më të keq të mundshëm për kryeministrin Viktor Orban, i cili aktualisht po përpiqet të mbrojë stilin e tij të qeverisjes nacionalist-populist përballë kritikave ndërkombëtare në rritje.
Szilard Demeter, drejtori i Muzeut Petofi dhe një komisioner kulturor, shkroi në një artikull të botuar në faqen e lajmeve pro-qeveritare Origo se Europa është bërë “dhoma e gazit e George Soros” dhe “gazi helmues vjen nga kapsula e një shoqërie të hapur multikulturore, e cila është vdekjeprurëse për mënyrën europiane të jetës”. Soros është një filantrop amerikan i lindur në Hungari dhe një i mbijetuar i Holokaustit.
Demeter shtoi se hungarezët dhe polakët, të cilët ai pretendon se po luftojnë për të mbrojtur mënyrën e tyre të jetës kundër BE-së, janë bërë të dëbuar dhe, për këtë arsye, janë hebrenjtë e rinj të kontinentit. Sikur të mos mjaftonte, ai gjithashtu e krahasoi Sorosin me Adolf Hitlerin, duke e akuzuar atë si “një Fyhrer liberal dhe se ushtria e tij liber-Ariane e hyjnizon atë më shumë sesa e hyjnizonte Hitlerin ushtria e tij”.
Opinioni doli në titujt kryesor të medieve hungareze në fundjavë, duke bërë që shkrimtarë dhe politikanë të opozitës të bëjnë thirrje për dorëheqjen e tij të menjëhershme. Në fund, Demeter i zemëruar në një postim në Facebook tha se ai nuk donte të “relativizonte Holokaustin”, por nuk kërkoi ndjesë.
Organizatat hebraike dhe ambasada e Izraelit u indinjuan dhe protestuan kundër shkrimit. Ambasada e SHBA-së në Budapest gjithashtu e dënoi opinionin dhe shkroi se nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për relativizimin ose minimizimin e Holokaustit.
Skandali ringjalli debatin mbi antisemitizmin në Hungari. Kryeministri Orban dhe partia e tij Fidesz kanë luftuar akuzat për antisemitizëm për vite me radhë. Në mbrojtje të tyre, ata citojnë shifra që tregojnë incidentet e dhunës ose ngacmimeve ndaj hebrenjve janë shumë më pak të zakonshme në Hungari sesa gjetkë në Europën Perëndimore.
Orban dhe mbështetësit e tij gjithashtu mohojnë që fushata kundër Sorosit të ketë të bëjë me prejardhjen e tij hebreje. Megjithatë, studiuesit thonë se ekziston një nënrrymë antisemitizmi në fushatën anti-Soros, edhe pse është gjithashtu e vërtetë që komuniteti hebre i Hungarisë – i cili numëron rreth 100,000 të tillë – nuk është aktualisht nën kërcënim.
I vetmi politikan nga partia qeverisëse që komentoi shkrimin e Demeter ishte Gergely Gulyas, ministri që drejton zyrën e kryeministrit. Gulyas tha në një intervistë për Transindex se Europa ka nevojë për më shumë qetësi për të zgjidhur debatet serioze në vazhdim. “Por nëse politikanët nuk janë në gjendje të demonstrojnë këtë qetësi, atëherë është e vështirë ta presësh këtë nga përfaqësuesit jo-politikë të jetës kulturore.”
Por Demeter është një figurë apolitike në Hungari. Ai u emërua nga qeveria si drejtor i Muzeut Petofi dhe ka një mision të përkushtuar për të mbrojtur vlerat tradicionale në kulturë. Nuk është e qartë nëse ai e kishte koordinuar tekstin e tij me dikë në nivelet më të larta të qeverisë hungareze apo se kishte bërë para vetë në fushatën anti-Soros, të nxitur nga propaganda e qeverisë.
Analistët pajtohen se do të ishte habi nëse Orban do ta shkarkonte Demeterin. Sa më shumë që kryeministri sulmohet nga opozita ose nga media perëndimore, aq më e fortë duket se është mbështetja e tij politike.