Lajm7 May 2019

Papa Françesku vizitë historike në Maqedoninë e Veriut

Mijëra njerëz nga i gjithë vendi dhe jashtë tij dolën në rrugët e Shkupit për të ndjekur vizitën e parë historike të Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Papa Françesku duke u lutur para statujës së Nënë Terezës në Shkup. Foto: Vatican News/Facebook

Pasi u mirëprit nga liderët e vendit në pallatin presidencial të martën, Papa vizitoi shtëpinë e përkujtimore të murgeshës katolike të lindur në Shkup nënë Tereza në qendër të kryeqytetit, ku iu bashkuan edhe liderët fetarë të vendit dhe ku ai bëri një lutje të shkurtër .

Në fjalën e tij, Papa Françesku tha se bashkëjetesa midis popujve të ndryshëm në Maqedoninë e Veriut ishte një shembull për pjesën tjetër të botës.

Ngjarja kryesore e vizitës së tij, një meshë katolike, u mbajt në Sheshin Maqedonia, ku Papa, i rrethuar nga mijëra besimtarë, bëri thirrje për dashuri, paqe dhe vëllazëri në vend.

“Le të mos kemi frikë ta themi qartë: Zot, ne jemi të uritur. Ne jemi të uritur, Zot, për bukën e fjalës Tënde, e cila mund të hapë izolimin dhe vetminë tonë. Ne jemi të uritur, Zot, për një përvojë vëllazërore,” tha ai.

Vizita e tij shënon gjithashtu 25 vjet që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut.