Shefi i Kadastës së Beratit Ervin Nelaj u arrestua pasi Struktura e Posaçme Anti Korrupsion e akuzon për korrupsion në miratimin e lejeve të legalizimit.
Policia Vendore e Beratit, njoftoi mbrëmjen e së martës se ka ekzekutuar masën e sigurisë me “Arrest në burg” për drejtorin e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës në Berat, Ervin Nelaj.
Nelaj, u arrestua pas një hetim nëntë mujor që është kryer nga SPAK në bashkëpunim me organin e akuzës në qytetin e Beratit dhe që ka pasur në fokus Agjensinë Shtetërore të Kadastrës në këtë qytet.
“Janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Ervin Nelaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Berat, në bashkëpunim me punonjës të tjerë në këtë institucion, kanë marrë në disa raste përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tyre, për legalizimin e objekteve informale dhe rregjistrimin e titujve të pronësisë”, thuhet në njoftimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit.
Ndërkohë policia lokale njoftoi operacionin policor të koduar “Aluizni”, për goditjen e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Policia tha se në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua “masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin Ervin Nelaj., 38 vjeç, banues në Berat, me detyrë drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Drejtorinë Rajonale Berat”.
Policia dhe SPAK bënë me dije se hetimet ishin ende paraprake dhe se vijonin.