Të mërkurën Parlamenti Europian votoi rezolutën për progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e antarësimit në BE, duke nënvizuar që zbatimi i reformës në drejtësi mbetet kusht për hapjen e negociatave me Brukselin.
Rezoluta për Shqipërinë u miratua me 546 vota pro, 85 vota kundër dhe 62 abstenime. Në të nënvizohet se një zbatim i besueshëm i reformës në drejtësi, progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare në qershor, do të jenë çelësi për avancimin e progresit të Shqipërisë drejt BE-së dhe hapjen e negociatave.
“Që në verën e vitit 2014 Shqipëri ka qenë një vend kandidat në BE dhe që atëherë ka bërë progres konstant,” u shpreh raporteri i PE-së për Shqipërinë Knut Fleckestein. “Miratimi i reformës në drejtësi është një arritje për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së si dhe modernizimit të shtetit,” shtoi ai.
Fleckestein u shpreh që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve, por ai nënvizoi se Parlamenti Europian nuk mund ta shtynte pafundësisht hapjen e negociatave të antarësimit midis Tiranës dhe Brukselit.
Në rezolutë eurodeputetët mirëpritën kalimin e reformave si ligji i dekriminalizimit, mbrojtjen e sinjalizuesve të korrupsionit dhe rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si hapa përpara. Megjithatë, ata mbeten të shqetësuar për selektivitetin e sistemit të drejtësisë, korrupsionin dhe ndërhyrjet politike në gjyqësor.