Lajm17 Jun 2017

Parlamenti voton listën me 27 “kryegjyqtarët” e vetingut

Pas votimit të fshehtë në komisionin ad-hoc për kandidaturat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë, Parlamenti  miratoi me 100 vota pro, dy kundër dhe pesë abstenime listën e anëtarëve të institucioneve të vetingut.

Autor: Dori Daka BIRN Tiranë
Printo

Kuvendi i Shqipërisë në sesion të jashtëzakonshëm më 22 maj 2017. Foto: Malton Dibra/LSA

Parlamenti i Shqipërisë miratoi me 100 vota pro dhe dy kundër listën me 27 anëtarët e komisioneve të vetingut, duke i hapur rrugën zbatimit në praktikë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërsa pesë deputetë të Parlamentit abstenuan.

Në seancën e jashtëzakonshme që kulmoi të shtunën, nuk munguan debatet mbi kandidatët që ia dolën të përzgjidhen pas një procesi maratonë. Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cila nuk do të jetë në legjislaturën e ardhshme parlamentare kundërshtoi disa prej kandidatëve si miq personalë apo militantë politikë të Edi Ramës apo produkte të paktit të tij me Bashën.

“Në këtë listë ka miq personalë të Kryeministrit, militantë politikë dhe të paaftë. Pjesa tjetër e emrave janë të paktit Rama-Basha. Nëse ky është produkti i paktit tuaj, kjo është një këmbanë alarmi,” tha Topalli gjatë seancës.

Por kryeministri Rama mohoi të kishte njohje me shumicën e kandidatëve, përjashtuar Ina Ramën, Albana Shtyllën dhe Sokol Çomon në distancë.

Jashtë godinës së parlamentit, Rama u shpreh i lehtësuar për kapërcimin e pengesave në ngritjen e institucioneve të vetingut.

“Nga sot fillon zbatimi i reformës. Orët për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar janë të numëruara,” tha Rama.

Më herët, komisioni ad hoc i drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko përzgjodhi përmes votimit të fshehtë elektronik 12 anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe dy anëtarët zëvendësues si dhe komisionerët publikë. Procedura u shoqërua fillimisht me paqartësi për mënyrën e votimit, por më pas gjithçka vazhdoi normalisht.

Lista e të zgjedhurve për Komisionin e Kualifikimit-që do të shërbejë si gjykatë e shkallës së parë për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve përbëhet nga juristë, përmbarues dhe pedagogë të jurispudencës, përfshirë edhe dy persona të hetuar më parë nga Prokuroria. Ndryshe nga këta kandidatë, lista e anëtarëve të Kolegjit të Apelimit përmban figura me profil publik si ish-kryeprokurorja Ina Rama, sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla apo anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Sokol Çomo.

Votimi i 27 anëtarëve të komisioneve të vetingut shënon një moment kulminant të reformës në drejtësi, e cila tashmë pritet të nisë pa vonesë kalimin në skaner të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë. Nën monitorimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, tre institucionet e vetingut do të kontrollojnë njerëzit e drejtësisë në drejtimin e pasurisë, lidhjeve me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale.

 

Anëtarët e KPK 

Etleda Çiftja, ish-përfaqësuese ligjore e Hydropower Devoll

Firdes Shuli, notere
Genta Tafa Bungo, pedagoge, sekretare e Përgjithshme e Dhomës së Përmbaruesve
Xhensila Pine, pedagoge e të drejtës kushtetuese

Brunilda Bekteshi Vasha, juriste
Roland Ilia, avokat dhe lektor në universitetin e Shkodrës
Suela Shegu, specialiste në KLD
Valbona Sanxhaktari, juriste në Kryeministri
Pamela Qirko, juriste në AMC
Alma Feskaj Vokopola, juriste në Kuvend
Lulzim Hamitaj, avokat në Romë
Olsi Komici, ish-punonjës në disa institucione i cili është hetuar dhe shpallur i pafajshëm për shpërdorim detyre.

Anëtarët zëvendësues:

Vojo Malo, avokat

Pal Shkëmbi-avokat dhe kryetar i Partisë Popullore Kristian Demokrate.

Komisionerët Publikë:

Herald Saraçi

Klodian Ballhysa

Zëvendësues:

Dariel Sina

Aldona Sylaj

Kolegji i Apelimit

Ardian Hajdari, avokat

Natasha Mulaj, ndihmëse ligjore e Gjykatës së Lartë

Sokol Çomo, anëtar i KLD

Ina Rama, ish Prokurore e Përgjithshme

Albana Shtylla, sekretare e Përgjithshme e Kuvendit dhe anëtare e KLD

Luan Daci, ish-kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë

Rezarta Schuetz, drejtoreshë juridike për OSBE në Shkup

Anëtarët zëvendësues:

Etleva Papleka

Mimoza Tasi