Lajm9 Jun 2021

Parlamenti voton shkarkimin e Metës si president

Në një votim të parë gjerësisht si simbolik, parlamenti i kontrolluar nga socialistët gjeti fajtor presidentin Ilir Meta dhe votoi shkarkimin e tij nga detyra. Vendimi duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese që të marrë fuqi, ndërsa Meta e shpalli atë menjëherë antikushtetues dhe qesharak.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Dy deputetë duke votuar shkarkimin e Metës si president në Tiranë më 9 qershor 2021. Foto: LSA

Parlamenti i kontrolluar nga socialistët votoi të mërkurën më 9 qershor një raport që e gjeti Presidentin Ilir Meta fajtor për shkelje të rënda të kushtetutës dhe e shpalli atë të shkarkuar, në një vendim që shihet gjerësisht si një spektakël politik jo shumë dramatik. Nga 122 deputetë aktualisht me mandat në kuvend, 105 votuan pro shkarkimit të Metës, votim në të cilin kontribuuan edhe një numër i madh nga të ashtuquajturit, deputetë të opozitës së re ndërsa shtatë vota ishin kundër.

Sipas socialistëve, Meta ka shkelur kushtetutën duke u angazhuar me politikë aktive në deklaratat e tij para zgjedhjeve të 25 prillit, krime këto të konsumuara, sipas tyre, në 19 intervista, 9 deklarata dhe 45 postime.

Socialistët organizuan një shfaqje të gjatë televizive të mërkurën me fjalime të shumta në parlament, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, në përpjekje për t’i dhënë peshë vendimit që morën, i pari i këtij lloji në historinë e re të Shqipërisë. Sipas Ramës, “Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit”, ndërsa sipas socialistëve të tjerë, ai “nuk përfaqëson unitetin e popullit”.

Sipas kushtetutës së vendit, presidenti mund të shkarkohet për “shkelje të rëndë të kushtetutës” ndërsa është Gjykata Kushtetuese ajo që do të duhet të vlerësojë nëse vendimi i parlamentit mbështetet apo jo në këtë parim kushtetues.

Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi, deklaroi në Facebook se nuk ka shqetësim nga vendimi i parlamentit, të cilin e quajti “antikushtetues” ndërsa shau vendimarrësit si “partnerë dhe vasalë të oligarkëve, të mafias së incineratorëve,” etj. Blushi i cilësoi deputetët “torollakë të dobishëm”.

Edhe Partia Demokratike në opozitë deklaroi vendimin “sulm antikushtetues”, ndërsa i kërkoi Gjykatës Kushtetuese ta rrëzojë atë.

Gjykata Kushtetuese është plotësuar aktualisht me anëtarë të përzgjedhur sipas formulave të reja të komplikuara të reformës në drejtësi dhe pas sherreve të shumta dyvjeçare mes Metës dhe shumicës parlamentare socialiste apo institucioneve të reja të drejtësisë.

Meta, 52 vjeç, u zgjodh president me votat e Partisë Socialiste katër vjet më parë ndërsa erdhi në këtë post pasi bashkëqeverisi me socialistët për katër vjet në periudhën 2013-2017 dhe me demokratët në periudhën 2009-2013.