Lajm27 May 2019

Partia qeverisëse e Maqedonisë së Veriut shkarkon zyrtarë të lartë

Si pjesë e spastrimit të saj të premtuar, Partia Social Demokrate në pushtet në Maqedoninë e Veriut, të dielën shkarkoi të gjashtë nënkryetarët e saj, sekretarin e saj të përgjithshëm dhe disa zyrtarë të lartë, me kryeministrin që paralajmëroi se së shpejti do të shkarkohen edhe ministra.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Foto: Facebook/Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Partisë Social Demokrate, SDSM, Zoran Zaev, tha të dielën se një “spastrim” i premtuar pas rezultateve më të ulëta sesa pritej në zgjedhjet e fundit presidenciale nuk do të kalonte pa një shkarkim masiv të zyrtarëve të partisë – i cili së shpejti do të përfshijë edhe ministrat.

“Ne kemi premtuar ndryshime thelbësore dhe ato po ndodhin,” tha Zaev të dielën në mbrëmje pas një takimi të komitetit qendror të partisë.

Partia shkarkoi të gjashtë nënkryetarët e saj, Frosina Remenski, Oliver Spasovski, Muhamed Zeqiri, Petre Shilegov, Blagoj Bocvarski dhe Damjan Mancevski. Pasardhësit e tyre do të zgjidhen në një fazë të mëvonshme.

Partia gjithashtu shkarkoi Aleksandar Kiracovskin si sekretar të përgjithshëm. Ai u zëvendësua nga Ljupco Nikolovski, i cili do të largohet nga posti i tij aktual si ministër i bujqësisë.

Kryeministri Zaev tha se brenda muajit të ardhshëm brenda kabinetit do të ketë ndryshime të tjera, duke shtuar se të paktën tre ministra do të shkarkohen.

“Kudo ku mungojnë rezultatet, ose zyrtarët kanë treguar arrogancë, do të ketë ndryshime,” tha Zaev.

Partia më parë shkarkoi 78 krerë të degëve të saj komunale.

Zaev njoftoi ndryshimet brenda partisë së tij, por gjithashtu brenda kabinetit menjëherë pas rezultateve zhgënjyese të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të prillit dhe majit.

Edhe pse kandidati i miratuar nga partitë në pushtet, Stevo Pendarovski, fitoi presidencën, rezultatet treguan një humbje shqetësuese të mbështetjes  për partitë në pushtet.

Ky spastrim vjen në mes të mandatit katërvjeçar të qeverisë pro-europiane të Zaevit, e cila erdhi në pushtet në vitin 2017, duke i dhënë fund sundimit autoritar të ish-kryeministrit të së djathtës Nikola Gruevski.