Lajm31 Jul 2019

Partitë e Kosovës kërkojnë zgjedhje pas dorëheqjes së kryeministrit

Partitë qeverisëse dhe opozitare të Kosovës dëshirojnë zgjedhje të reja pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, por presidenti Hashim Thaçi nuk ka bërë ende lëvizjen e parë për caktimin e një date për mbajtjen e këtyre të fundit.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: Facebook/Hashim Thaçi

Pas dorëheqjes së papritur në fillim të këtij muaji të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, pasi ai u thirr për t’u marrë në pyetje si i dyshuar nga prokurorët e krimeve të luftës në Hagë, është shtuar presioni mbi presidentin Hashim Thaçi për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Asnjë nga partnerët e koalicionit qeverisës të vendit nuk duket i interesuar të propozojë një kryeministër të ri dhe kanë thënë se janë në favor të zgjedhjeve të reja.

Por Thaçi, i cili është përgjegjës për thirrjen e një takimi këshillues të partive qeverisëse të vendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, duke shkaktuar kritika.

Nëse Thaçi nuk vepron, deputetët mund ta shpërndajnë parlamentin dhe nëse kjo ndodh, presidenti është i detyruar të caktojë një datë zgjedhjesh brenda 45 ditëve.

“Do t’u bëja thirrje kolegëve të mi nga partitë politike që të mblidhen në Kuvend, të shpërndajnë parlamentin dhe të bien dakord për një datë zgjedhjesh. Kjo është zgjidhja më e mirë,” bëri thirrje kryetari i parlamentit Kadri Veseli, raportoi RTK të hënën.

Kryeministri në largim Haradinaj u takua të martën me partnerët e tij të koalicionit qeverisës për të diskutuar zgjidhjet e mundshme të situatës, edhe pse përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, partia e Thaçit, nuk morën pjesë në këtë takim.

Përfaqësuesit e partisë diskutuan sesi, nëse Thaçi nuk i thërret ata për t’u konsultuar për një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, ata synojnë nisin një mocion për shpërndarjen e parlamentit, duke e detyruar Thaçin të mbajë zgjedhje të reja.

“Cilido nga dy skenarët e mundshëm që mund të ndodhë, është mëse e nevojshme të ecim përpara. Ne nuk mund të lëmë një vakuum institucional, një vakum politik. Ne duhet të kemi institucione legjitime sa më shpejt që është e mundur,” tha Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës të martën.

Albulena Haxhiu nga partia opozitare Vetëvendosja tha se parlamenti duhet të shpërbëhet.

“Shpërndarja e parlamentit është rruga e duhur për zgjedhje, pa vonesa dhe pengesa nga ana e presidentit,” tha Haxhiu të enjten e kaluar.

Lumir Abdixhiku, një deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, pohoi se Thaçi druhej se Partia e tij Demokratike e Kosovës, PDK, do të humbiste zgjedhjet.

“Kjo është arsyeja pse Thaçi i PDK-së nuk e cakton një datë,” tha Abdixhiku.

Kryeministri në largim Haradinaj, i cili dha dorëheqjen më 19 korrik, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse kabineti i tij mund të marrë ligjërisht vendime derisa të krijohet një qeveri e re.

Haradinaj është zotuar se nuk do të lejojë një “vakum qeverisjeje” derisa të jetë krijuar një administratë e re, edhe pse kundërshtarët e tij kanë vënë në pikëpyetje nëse ai mund të vazhdojë të qeverisë në mënyrë të ligjshme derisa të mbahen zgjedhjet e reja.