Partia opozitare Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, të dyja kishin arsye për të festuar rezultatet e dala nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale – njësoj si edhe partia e kryeministrit.
Rezultatet paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, KQZ, kishin lajme të mira për partinë opozitare Vetëvendosja dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK – dhe për Aleancën qeverisëse për Ardhmërinë e Kosovës, AAK. Ishte një natë e keqe për Partinë Demokratike të Kosovës, PDK.
Vetëvendosja duket se ka fituar në tri komuna, duke përfshirë kryeqytetin, Prishtinën, ku kryetari aktual, Shpend Ahmeti, duket se do të vazhdojë të mbajë postin e tij. Fitore të tjera të konfirmuara ishin në qytetin e dytë më të madh Prizrenin dhe në Kamenicë.
Ahmeti duket se ka fituar në Prishtinë me një rezultat shumë të ngushtë, duke marrë 50.19 për qind të votave. I rendituri i dytë, kandidati i LDK-së Arban Abrashi, mori 49.81 për qind të votave. Megjithatë, votat postare ende nuk janë numëruar, kështu që rezultati përfundimtar është shumë më i ngushtë se deri më tani.
Një fitore e papritur për Vetëvendosjen ishte ajo në Prizren, ku kandidati i saj, Mytaher Haskukaj fitoi 50.32 për qind të votave. Kandidati i renditur i dyti, Shaqir Totaj, nga PDK-ja, i cili kishte qeverisur Prizrenin gjatë tre mandateve të fundit, fitoi 49.68 për qind të votave.
Në zgjedhjet e fundit komunale, Vetëvendosje fitoi vetëm në kryeqytet, Prishtinë. Këtë ajo herë do të qeverisë edhe Kamenicën, ku Qendron Kastrati fitoi me 55.69 për qind të votave kundër Shaip Surdullit të LDK-së me 44.31 për qind të votave.
Një tjetër fituese e papritur në zgjedhjet lokale është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e kryeministrit Ramush Haradinaj. Në zgjedhjet e fundit, ajo fitoi vetëm tre komuna. Tani ajo ka fituar në shtatë komuna: në Deçan, Junik, Gjakovë, Klinë, Obiliq, Suharekë dhe Rahovec.
Në përgjithësi, LDK fitoi më shumë komuna se çdo parti tjetër, duke fituar edhe katër komuna të tjera në raundin e dytë. Kjo përveç katër të tjerave që fitoi në raundin e parë. Tani ka një total prej tetë komunash: Pejë, Lipjan, Fushë Kosovë, Viti, Gjilan, Istog, Podujevë dhe Vushtrri.
PDK-ja u zhgënjye në zgjedhje, duke humbur bastione si Prizreni, Vushtrria, Klina dhe Rahoveci. Raundin e fundit, PDK-ja fitoi 10 komuna. Këtë herë ajo fitoi vetëm pesë, duke mbajtur bastione si Drenasi gjatë raundit të parë dhe duke fituar në Dragash, Kaçanik, Shtime dhe Ferizaj në raundet e tjera.
Aleanca Kosova e Re mbajti kontrollin e Mitrovicës së Jugut, ku kryetari aktual Agim Bahtiri u përball me Valdete Idrizin e PDK-së.
Kllokoti, e vetmja komunë me shumicë serbe që ku u mbajt një votim balotazhi, do të drejtohet nga Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, duke e lënë atë në kontroll të të dhjeta komunave kryesisht serbe në Kosovë.
Gjatë raundit të parë, dy kandidatë të pavarur fituan në Skenderaj, Bekim Jashari, dhe Rufki Suma në Hanin e Elezit.
Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 38.10 për qind.
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve paraprake, mbështetës të partive politike dolën në sheshet kryesore të qyteteve për të festuar, përfshirë Vetëvendosjen në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.