Ndërsa pritet që të zhvillohen bisedimet zyrtare për krijimin e qeverisë së re maqedonase, partitë shqiptare të cilat do të kenë rol të rëndësishëm në vendosjen e krahut politik që do të formojë qeverinë, po nxiten të refuzojnë koalicionin me Nikola Gruevskin.
Ismet Ramadani, një ish-deputet i cili tani drejton një OJQ të quajtur Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë, është një nga shumë intelektualët etnikë shqiptarë që këtë fundjavë nënshkroi një apel të përbashkët ndaj partive shqiptare në vend për t’i nxitur ato të mos ndihmojnë partinë e Nikola Gruevskit, VMRO DPMNE, të marrë pushtetin pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
“Shumica e shqiptarëve, dy e treta e votuesve në fakt, kërkuan ndryshim… kështu një aleancë e partive shqiptare me VMRO DPMNE do të shkonte kundër vullnetit të shprehur qartë”, tha Ramadani për BIRN.
Partitë opozitare shqiptare dhe Social Demokratët, SDSM, që gjithashtu tërhoqi shumë mbështetje shqiptare, fituan të paktën dyfishin e votave shqiptare në zgjedhje krahasuar me BDI, që ka qenë në koalicion qeverisës për tetë vite.
Ramadani tha se apeli publik po bëhej për të pakësuar mundësinë që partitë shqiptare, veçanërisht BDI, të joshen nga marrëveshjet dhe të ndihmojnë Gruevskin të mbetet në pushtet.
“Marrëdhëniet ‘e tenderave të biznesit’ mes VMRO DPMNE dhe BDI po shtojnë dyshimet për plane sekrete të një aleance të ardhshme të tyre,” tha Ramadani.
Plane të tilla mund të çojnë në një rinovim të aleancës VMRO DPMNE ose të krijojnë një situatë ku asnjë qeveri e re nuk formohet, duke i dhënë Gruevskit pushtetin dhe për një gjysmë viti derisa të bëhen zgjedhjet e reja.
Pas një fitoreje të ngushtë, Gruevski tani po përpiqet të formojë një shumicë në parlament, por për këtë i duhet mbështetje nga partitë shqiptare. Nëse dështon, lideri i opozitës Zoran Zaev do të marrë mundësinë e krijimit të një qeverie.
Apeli publik, që deri tani ka marrë mbështetjen e rreth 200 intelektualëve të shquar shqiptarë nga Maqedonia, i nxit partitë shqiptare të kenë parasysh disa parime kur marrin në konsideratë se kë do të mbështesin për qeverinë e re.