Opinion17 Feb 2020

Pas 12 vjet pavarësi, e ardhmja e Kosovës ende e mjegullt

Një zgjidhje e qëndrueshme për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi duhet të përfshijë si njohjen ashtu edhe një paqe të qëndrueshme, por në rrethanat aktuale, pranimi i njërës pa tjetrën mund të jetë e vetmja mënyrë për të dalë nga bllokimi.

Autor: Gezim Visoka BIRN Dublin
Printo

Flamuri i Kosovës. Foto Ilustruese.

Më 17 shkurt, Kosova shënon përvjetorin e dymbëdhjetë të shpalljes së pavarësisë. Për shumë njerëz, Kosova mbetet një histori suksesi e ndërhyrjes liberale perëndimore, në krijimin nga e para të një shteti pas shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë dhe njohja e gjerë diplomatike e së cilës u dha për të promovuar demokracinë, multi-etnicitetin dhe paqen rajonale.

Midis viteve 1999 dhe 2008, Kosova ishte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe u lejua të ushtronte vetëm vetëqeverisje të kufizuar. Ajo nuk mund të mbante as një referendum për të matur dëshirën popullore për pavarësi dhe as të qeveriste marrëdhëniet e saj të jashtme.

Pasi ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008, deri në vitin 2012, Kosova u vendos nën mbikëqyrjen ndërkombëtare për t’u siguruar që do t’u jepte pakicave të drejta të gjera politike dhe institucionale, si dhe të ndërtonte institucione shtetërore të pjekura në fushën e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe qeverisjes efektive.

Edhe pse Kosova ka ekzistuar një shtet i pavarur që nga viti 2008, ajo ende nuk ushtron sovranitet të plotë. Kosova ka kufizime në pjesëmarrjen e saj ndërkombëtare, përfshirë praninë e misioneve të shumta ndërkombëtare. Mbështetja ndërkombëtare për Kosovën është kushtëzuar kryesisht me gatishmërinë e saj për të akomoduar pakicën e saj serbe dhe për të ndërmarrë reforma të brendshme në përputhje me projektet e imponuara nga jashtë.

Deri më tani, Kosova është njohur nga mbi 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe është anëtare e dhjetëra organeve ndërkombëtare dhe rajonale. Njohja e hershme nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e fuqive europiane e vendosën atë në një trajektore pozitive, e cila ndikoi që shtetet e tjera gjithashtu ta njihnin atë. Sa më shumë njohje që siguronte Kosova, aq më shumë ajo krijonte kushtet dhe vrullin për njohje të mëtejshme.

Foto ilustruese: Atdhe Mulla.

Pas vitit 2011, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës u përpoqën të inkurajojnë lidershipin e saj që të ndërmerrte një rol më pro-aktiv në sigurimin e njohjes së re diplomatike dhe sigurimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, kjo nuk ishte një simptomë e pjekurisë diplomatike të Kosovës. Përkundrazi, kjo reflektoi tërheqjen e tyre strategjike nga premtimi i tyre për integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar.

Por frika se pavarësia e Kosovës ka vendosur një precedent negativ ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen që shumë vende të mos e pranojnë njohjen e saj, nga frika se një veprim i tillë do të dëmtonte rendin ndërkombëtar dhe do të inkurajonte lëvizje më shumë secesioniste.

Dymbëdhjetë pas shpalljes së pavarësisë, shumë njerëz në Kosovë tani mendojnë se vendi është në harresë dhe se partnerët e saj ndërkombëtarë nuk kanë arritur të përmbushin premtimin e tyre për ta ndihmuar Kosovën të fitojë vendin e saj të ligjshëm brenda komunitetit demokratik dhe ndërkombëtar.

Pa shkëmbime të strukturuara diplomatike dhe tregtare me vendet e tjera, njohja diplomatike e Kosovës dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare do të mbetet simbolik. Për më tepër, njohja bilaterale nuk është përkthyer automatikisht në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Nuk është përkthyer as në përfitime të prekshme politike dhe ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Pavarësisht se njihet nga gjysma e shteteve të botës, qëndrimi ndërkombëtar i Kosovës mbetet i prekur nga mospasja e një vendi në Kombet e Bashkuara për shkak të kundërshtimit të Serbisë, e mbështetur nga fuqitë e tjera kryesore ndërkombëtare, si Rusia dhe Kina. Serbia ka filluar një fushatë për të dëmtuar sovranitetin e Kosovës, në vend nëpërmjet mbështetjes së strukturave paralele serbe brenda Kosovës, dhe ndërkombëtarisht, duke kundërshtuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, BE-ja mori rolin kryesor në vitin 2011 për të ndërmjetësuar një dialog teknik dhe politik. Dialogu teknik favorizoi Kosovën, e cila arriti të zgjerojë sovranitetin e saj në të gjithë territorin dhe të largojë praninë e Serbisë.

Megjithatë, në vitin 2012, Serbia e kuptoi këtë dhe vendosi të ndryshojë formatin e dialogut, nga teknik në dialog politik. Argumenti i saj ishte se, “Ne nuk kemi rënë dakord për asgjë derisa të biem dakord për gjithçka.” Ky model bisedimesh rezultoi në marrëveshjen e parë gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2013.

Ndërsa dialogu politik i udhëhequr nga BE-ja filloi të prishte rendin kushtetues të Kosovës dhe u zhvendos në zona të ndjeshme, siç ishte ideja për të formuar një Asociacion të Komunave Serbe, ai u ndal.

Për ta shtyrë Kosovën të pranojë qëllimet e Serbisë, Beogradi filloi një fushatë për kthimin e njohjes së Kosovës. Në dy vitet e fundit, ai ka siguruar tërheqjen e njohjes së Kosovës nga 17 shtete, dy prej të cilave janë tërhequr pas nga një vendim i tillë.

Së fundmi, Serbia dëshiron ta detyrojë Kosovën të bëjë lëshime dhe të tregojë që, pa kompromis me kushtet e Serbisë, Kosova nuk mund të bëjë shumë ndërkombëtarisht. Në shenjë hakmarrjeje, Kosova vendosi tarifa doganore për mallrat serbe, gjë e cila solli edhe pezullimin dhe kolapsin e të gjithë procesit të dialogut.

Por Rusia e mbështet në mënyrë aktive fushatën e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, ndërsa SHBA-ja, Britania dhe fuqitë e tjera perëndimore nuk po bëjnë shumë. Përkundrazi, ato po përdorin çnjohjen si pikë presioni për ta detyruar Kosovën të heqë tarifat doganore dhe t’i rikthehet dialogut.

Qëllimi përfundimtar i dëshiruar për Kosovën është të arrijë njohje reciproke si pjesë e një procesi normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Nga ana tjetër, Serbia synon të ripërcaktojë shtetësinë e Kosovës dhe të zgjerojë autonominë territoriale dhe funksionale të serbëve lokalë në Kosovë.

Kostoja që Serbia ka vendosur për njohjen e Kosovës është ose ndarja ose rregullimi i kufijve përgjatë vijave etnike, ose autonomia territoriale për pakicën serbe në Kosovë.

Kështu që, Kosova ka arritur një ngërç në nivel ndërkombëtar. Të dyja palët duket se po ndërmarrin veprime që mund të kontribuojnë në një ngërç që i dëmton reciprokisht. Komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të rindezë dialogun, por nuk ka vizion të qartë dhe lidership të fortë.

Foto ilustruese: Atdhe Mulla.

Duke gjykuar nga gjendja aktuale e lojës, katër skenarë të mundshëm mund të formësojnë marrëdhëniet e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë:

  1. Jo paqe, jo njohje.

Kjo i ngjan situatës aktuale kur nuk ka marrëveshje paqeje dhe që rrezikon ta kthejë Kosovën në një konflikt të ngrirë dhe të paqëndrueshëm në vend dhe të izoluar ndërkombëtarisht.

Kjo situatë mund ta shtyjë Kosovën ose të bëjë lëshime për Serbinë, të zhbëjë angazhimet që ka ndërmarrë tashmë, ose të kërkojë një bashkim më të ngushtë me Shqipërinë. Rusia do të përfitonte më shumë nga një konflikt i ngrirë pasi do të prishte planet e zgjerimit të NATO-s në rajon.

  1. Paqe pa njohje.

Kjo do të nënkuptonte normalizim të pjesshëm të marrëdhënieve pa njohje zyrtare. Kjo marrëveshje mund të përmbajë dispozita për zgjerimin e autonomisë për serbët e Kosovës në këmbim të zgjerimit të sovranitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Kosova mund të pajtohet me një version të modifikuar të Asociacionit të Komunave Serbe dhe t’i japë fund tarifave doganore. Serbia mund të përfundojë fushatën e saj për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe për të hequr pengesat për anëtarësimin e Kosovës në një sërë organesh rajonale dhe ndërkombërtare.

Ky mund të jetë formati që BE-ja dhe SHBA-ja mund të ndjekin, nëse bisedimet fillojnë përsëri. Kjo marrëveshje mund të jetë e pranueshme për Serbinë, por nuk do të ishte e dobishme për Kosovën.

  1. Njohje pa paqe.

Kjo do të nënkuptonte shtrirjen e një forme njohje implicite të shkurtër të dispozitave për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë.

Kjo marrëveshje do të nënkuptonte heqjen e barrierave për njohjen diplomatike dhe anëtarësimin në organet ndërkombëtare, dhe ndoshta një vend të Kombet e Bashkuara, por jo marrëdhënie bilaterale.

Kjo trajektore do të kishte qenë e besueshme nëse BE-ja dhe SHBA-ja do të kishin ushtruar presion të mjaftueshëm ndaj Serbisë. Megjithatë, ne jemi dëshmitarë të fuqisë së venitur të Perëndimit dhe ndikimit në rritje të Rusisë në rajon. Ekziston gjithashtu një mungesë konsensusi brenda BE-së për Kosovën dhe, më e rëndësishmja, kundërshtimi i brendshëm në Serbi për të bërë lëshime për Kosovën.

  1. Paqe me njohje të ndërsjelltë.

Ky skenar do të nënkuptonte normalizim të plotë dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë dispozitat për krijimin e marrëdhënieve diplomatike, socio-ekonomike dhe bashkëpunimin, dhe përfshirje në përpjekjet për pajtim ndër-shtetëror dhe ndër-shoqëror.

Kjo do të kërkonte mbështetje për pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në organet e tjera. Ky skenar do të nënkuptonte gjithashtu bashkëpunim të ndërsjellë në lidhje me krimet e luftës dhe drejtësinë tranzicionale, pretendimet për dëmshpërblim për dëmet e luftës, pretendimet për pronën dhe çështje të tjera të pazgjidhura bilaterale.

Ky është skenari që qeveria e re e Kosovës po kërkon të ndjekë. Ai nuk ka gjasa të pranohet nga Serbia dhe aleatët e saj.

Për ta përmbledhur, gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi duhet të adresojë si çështjen e njohjes, ashtu edhe atë të një paqeje të qëndrueshme.

Njëra pa tjetrën nuk do ta zgjidhin konfliktin. Megjithatë, kërkimi i njërës pa tjetrën mund të jetë e vetmja mënyrë për të kapërcyer rrugën aktuale pa krye.

Kapitulli i paqes së papërsosur nuk është shkruar ende, por të gjitha parakushtet duket se janë në vend për një zgjidhje ambivalente përgjatë vijave të një lloj paqeje pa njohje – me fjalë të tjera, një pavarësi e varur.

Por, ndërkohë që e ardhmja është e paparashikueshme, edhe skenarë të tjerë s’duhet të përjashtohen si mundësi.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.