Lajm13 Feb 2018

Pas dorëheqjes, KPK pushon procesin e vetingut për Imerajn e Kushtetueses

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procedurën e vetingut për gjyqtarin e Kushtetueses, Besnik Imerajt pasi ky i fundit dha dorëheqjen.   

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Gjykata Kushtetuese. Foto: Malton Dibra/LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procedurën e vetingut për gjyqtarin e Kushtetueses, Besnik Imerajt pasi ky i fundit dha dorëheqjen.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ndërpreu procedurën e rivlerësimit kalimtar për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj për shkak se ky i fundit dha dorëheqjen nga pozicioni i tij më 31 janar 2018 dhe e motivoi atë “me arsye personale dhe shëndetësore”.

Sipas vendimit që KPK mori më 12 shkurt, dorëheqja e gjyqtarit sjell edhe ndërprerjen e procesit të vetingut.

Sipas komisionit, vendimi është në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, i cili thotë se: “subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”.

Imeraj ishte ndër të parët gjyqtarë që u përfshi në procesin e vetingut për shkak të pozicionit të tij: përveçse anëtar i Gjykatës Kushtetuese ai u zgjodh me short edhe si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Besnik Imeraj ka një karrierë të gjatë dhe të diskutueshme në sistemin shqiptar të drejtësisë. Ai u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese në mars të vitit 2013, pas një mandati  8 vjeçar në Gjykatën e Lartë. Në vitet 2000-2006, Imeraj ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Si anëtar i Gjykatës së Lartë, Imeraj ka qenë anëtar apo kryesues i çështjeve të rëndësishme gjyqësore si tragjedia e Gërdecit apo çështja e rrugës Durrës-Kukës. Në të dyja rastet, akuzat u pushuan si për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu ashtu edhe për ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha.

Pavarësisht pozicioneve të larta në të shkuarën, Imeraj është i detyruar të qëndrojë jashtë sistemit për një periudhë 15-vjeçare.

“Subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare,” thuhet në pikën G të aneksit të Kushtetutës.