Analize29 Jul 2019

Pas grushtit të dështuar, gazetaria në Turqi shpesh do të thotë burg

Që nga koha e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi tre vjet më parë, Turqia është bërë burgosësi më i madh i gazetarëve në botë.

Autor: Roza Ismailaj, Larisa Karr BIRN
Printo

Foto ilustruese: BIRN.

Në vitin 2014, gazetarja turke Arzu Yildiz zbuloi lajmin se si shërbimet sekrete të vendit po furnizonin me armë rebelët në Siri, një temë sensitive të autoritetet nën presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Natën tjetër, policia trokiti në shtëpinë e Yildiz por ajo nuk gjendej aty. Yildiz i kaoi të pesë muajt që pasuan duke u fshehur në një dhomë pa dritare para se të arratisej në Kanada. Ajo la dy vajzat e saj pas.

“Kjo preku tre gjenerata,” tha yildiz. “Nëna ime humbi vajzën dhe unë humba vajzat.”

“Unë nuk do të kthehem më kurrë në Turqi. Zemra më është thyer.”

Megjithatë Yildiz mund ta konsiderojë veten me fat.

Dy vjet pasi Yildiz pati fërkime me ligjin, Erdogani mposhti një grusht shteti, dhe në tre vitet që kanë kaluar që nga grushti i shtetit, Turqia është bërë burgosësi më i madh i gazetarëve në botë, sipas shifrave të mbledhura nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, IPI, dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, CPJ.

Vlerësohet se 137 gazetarë janë aktualisht në burg në Turqi, një shifër që u rrit pasi autoritetet zbatuan një shtypje shkatërrimtare pas puçit të dështuar në korrik 2016, puç për të cilin Erdogan akuzoi një klerik me bazë në SHBA, por që duket se u përdor nga qeveria e tij edhe për të shënjestruar disidentët nëpër të gjithë shoqërinë turke.

Sipas shifrave të vetë qeverisë, më shumë se 130 media janë mbyllur.

“Për sa kohë që edhe një gazetar i vetë mbetet në burg apo ka frikë të raportojë të vërtetën apo pushohet nga puna për shkak se ka raportuar të vërtetën, atëhere ka një problem të madh për çfarëdolloj demokracie,” tha Emre Kizilkaya, një gazetar dhe zëvendëspresident i Komitetit Kombëtar te IPI.

Në Turqi, tha Gulnoza Said, koordinatore programi për Europën dhe Azinë Qendrore në CPJ, ka “një krëhër që kreh të gjithë hapësirën dhe çdokush që duket lehtësisht më i pavarur nga sa dëshiron Erdogani që të jetë, shënjestrohet dhe përndiqet dhe përndiqet.”

Akuza për terrorizëm

Grushti i shtetit i 15 gushtit la 250 njerëz të vdekur, mijëra të plagosur dhe parlamentin e Turqisë të bombarduar.

Erdogan, i cili tashmë ka më shumë se 15 vjet në pushtet si kryeministër dhe president, akuzoi menjëherë Fethullah Gulen, një klerik, biznesmen dhe udhëheqës të një lëvizjeje fetare me një rrjet shkollash dhe pasuesish në të gjithë botën. Ata që dikur ishin aleatë janë bërë aktualisht armiq të egër. Gulen, nga shtëpia e tij në Pensilvani, ka hedhur poshtë akuzat.

Duke vepruar nën mbulesën e Gjendjes së Jashtëzakonshme të cilën e ka zgjatur pesë herë deri në korrik 2018, Erdogan ndoqi oficerët e ushtrisë dhe të policisë, punonjësit e shtetit, akademikët dhe gazetarët. Më shumë se 160 mijë njerëz janë ndaluar nga policia.

Për shumë vite, Turqia është përballur me kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe organizatat e medias, por niveli i dhunimit të të drejtave shënoi një rekord të ri pas grushtit të shtetit. Turqia tashmë renditet në vend të 157 nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterë pa Kufi.

“Ne shohim diçka që po e përshkruajmë si kolaps të sundimit të ligjit dhe procesit të drejtë ligjor për gazetarët,” tha Scott Griffen, drejtor i Programeve për Lirinë e Shtypit në IPI.

“Ti sheh se gazetarët e majtë janë shënjestruar, gazetarët laikë janë shënjestruar dhe gazetarët kurdë janë veçanërisht të shënjestruar,” tha Griffen. “Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se ata në shumë mënyra vuajnë pasojat e sulmeve ndaj lirisë së medias.”

Një sulm i ngjashëm mbi lirinë e gjyqtarëve do të thotë se ata gjyqtarë që i shpëtuan spastrimit në mënyrë të përsëritur marrin vendime kundër gazetarëve, të cilët përballen me raste me akuza të lidhura me terrorizmin, të cilat mbartin dënime me deri njëzet vjet burg.

“Formulimi i mjegullt i veprave penale në fushën e sigurisë së shtetit te terrorizmit në Turqi si dhe interpretimi tepër të gjerë i tyre nga gjyqtarët dhe prokurorët turq i bën të gjithë kritikët, në veçanti avokatët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gazetarët dhe politikanët rivalë, viktima potenciale të sulmeve gjyqësore,” tha një avokat turk, i cili foli në kushtet e anonimatit.

Ahmet Donmez, i cili dikur punonte për gazetën Zaman Daily, i tha BIRN: “Disa gazetarë janë mbajtur në burg të izoluar për shumë vite. Shumica kanë vuajtur keqtrajtime, ngacmime seksuale dhe torturë psikologjike.”

Të jetosh me frikë

Bulent Kenes, ish-kryeredaktor i gazetës popullore në gjuhën angleze Today’s Zaman, kaloi ca kohë duke hyrë e dalë nga burgu deri sa u arratis për në Stokholm më 2015.

“Kur unë e krahasoj situatën time me atë të kolegëve, ndjehem me fat. Ata janë ende në burg,” tha ai. “Edhe drejtori i artit u dënua me burg për jetë.”

“Është tërësisht e pamundur që të bësh gazetarin në Turqi pas grushtit të shtetit, për gazetarë si unë.”

 

Ata që kanë mbetur pas jetojnë me frikë.

Nurcan Baysal, një kurde, u ndalua nga policia në shtëpinë e saj më 2018 pasi ajo bëri mesazhe kritike në Tëitter kundër operacioneve ushtarake turke në Sirinë fqinje. Ajo u arrestua përkohësisht sërish muajin e kaluar por u liria pak orë më vonë pas protestave ndërkombëtare.

“Është me të vërtetë e vështirë kur ti je kurde dhe grua për shkak se ata po përpiqen të të sulmojnë ty për atë që ti vesh dhe se ti jeton,” tha Baysal, një kolumniste në faqen e internetit Ahval.

“Ata po e bëjnë këtë nga çdo anë për shkak se, në shoqërinë tonë, ata nuk duan të shohin një grua guximtare që shkruan mbi dhunimin e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës.”

Pavarësisht pasigurisë, disa gazetarë refuzojnë të largohen.

“Unë do të qëndroj në Turqi, Unë do të vijoj të praktikoj gazetarinë. Ky jam unë. Unë nuk dorëzohem. Unë nuk do të dorëzohem,” tha Kadri gursel, i cili ishte mes 18 gazetarëve të gazetës Cumhuriyet, të cilët u arrestuan më 31 tetor 2017.

Gursel kaloi 11 muaj në burg, pesë prej tyre në paraburgim në pritje të gjykimit, pa e ditur se për çfarë akuzohej. “Komunikimi ynë me botën jashtë ishte jashtëzakonisht i kufizuar për shkak se ne na e ndalonin të merrnim letra,” tha ai. “Ne kishim të drejtën e një telefonate dhjetëminutëshe një herë në dy javë, ndërsa të burgosurit normalë kanë një telefonatë dhjetëminutëshe në javë.”

Gursel më në fund u u lirua por duhet të raportojë një herë në dy javë pranë një stacioni policie deri në vitin 2020.

“Erdogani dhe AKP nuk duan të shohim gazetarinë dhe nuk duan që të jenë subjekte të lajmeve që nuk i lavdërojnë ata,” tha Pelin Unker, e cili i shpëtoi vuajtjes së një viti burg pasi një gjykatë anuloi dënimin e saj për shpifje për shkak të raportimeve të saj mbi kompanitë ofshore të lidhura me politikanët turq dhe familjet e tyre.

Pavarësisht kësaj, kontrolli i pushtetit nga Erdogani mori një goditje në kutitë e votimit këtë vit kur partia Republikane Popullore e Turqisë CHP, fitoi kontrollin e kryeqytetit Ankara dhe qytetit më të madh, Stambollit.

“Erdogani ka menduar seriozisht për të ardhmen e tij politike,” tha Erol Onderoglu, përfaqësues i Turqisë në Reporterë pa Kufi.

Onderoglu, një tjetër gazetar dhe kryetar i një organizate për të drejtat e njeriut, u shpallën të pafajshëm këtë muaj ndaj akuzave për kryerjen e propagandës terroriste dhe mbështetjen e aktivitetit kriminal. Ai përballet me gjyq sërish në nëntor me akuza për propagandë terroriste pasi nënshkroi një peticion solidariteti me qindra akademikë të përndjekur të Turqisë.

Onderoglu tha se humbjet e fundit elektorale të Erdoganit mund ta detyrojnë atë të kërkojë një kompromis. Por e ardhmja është e pasigurt.

“Kjo është Turqia,” tha Yildiz nga ekzili i saj i vetëimponuar në Kanada. “Është shumë e vështirë të njohësh të nesërmen.”