Analize4 Dec 2018

Pas grushtit të dështuar të shtetit, biznesi turk lulëzon në Mal të Zi

Një numër në rritje turqish po ngrenë biznese në Mal të Zi, duke lënë pas paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Podgoricë, Sarajevë
Printo

Foto: Hamdi Firat Buyuk.

Ky njoftim u vendos në mediat kryesore turke dhe thoshte: “Bëhu qytetar europian duke investuar në Mal të Zi!”

Pranimi i Malit të Zi në Bashkimin Europian mund të jetë vite larg, nëse ndodh vërtet, por premtimi që mbart reklama duket të jetë e mjaftueshme për shumë turq pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016 që bëri që shumë vetë të mendonin të largoheshin nga vendi.

Tani janë 2,162 biznese turke të regjistruara në Mal të Zi, duke numëruar më shumë sesa firmat ruse dhe serbe, sipas të dhënave të administratës tatimore në shtetin e vogël të Adriatikut prej rreth 622.000 banorësh. Rreth 450 kompani janë regjistruar vetëm në vitin 2017, dy herë më shumë se një vit më parë.

Ismail Guvenc, një biznesmen turk në fillim të të tridhjetave, tha se ai ishte shpërngulur për shkak “të vështirësive ekonomike” në vendin e tij. Kur gruaja e tij kundërshtoi fuqimisht Kilin sepse ishte shumë larg, ata përfunduan në Mal të Zi, ku portofoli i interesave të Guvencit varion nga turizmi te IT, pasuritë e patundshme e deri te ndërtimi, tha Guvenc për BIRN.

“Njësoj si shumë të tjerë, vendosëm t’i investonim paratë tona jashtë vendit,” tha ai. “Ne kemi investuar tre milionë euro gjatë dy viteve të fundit dhe planifikoj të investoj edhe tre milionë të tjera në dy vitet e ardhshme.”

Guvenc dhe familja e tij janë ndër qindra e mijëra turq që kanë lënë Turqinë që pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016 për shkak të paqëndrueshmërisë politike në rritje.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka bërë një goditje të ashpër kundër kundërshtarëve të perceptuar që atëherë dhe ka vendosur sanksione me Shtetet e Bashkuara që kanë dëmtuar ekonominë.

Sipas një raporti të publikuar në shtator nga Instituti Turk i Statistikave, TurkStat, 253,640 turq u larguan nga vendi vitin e kaluar, 42.5 për qind më shumë se 2016.

Edhe më shqetësuese për Turqinë është fakti se pothuajse gjysma e atyre që kanë mbetur janë të moshës midis 25 dhe 34 vjeç dhe 57 për qind janë nga qytetet kryesore si Stambolli, Ankaraja, Antalia, Bursa dhe Izmiri – duke nënkuptuar një eksod të madh të turqve të rinj urbanë.

Turqit joshen nga qytetet turistike

Guvenc tha se kur ai arriti në Mal të Zi para dy vjetësh, kishte shumë pak biznesmenë dhe kompani turke që operonin në vend. Por numri i tyre u rrit shpejt, tha ai, ndërsa situata politike dhe ekonomike në Turqi përkeqësohej.

I mbushur me thirrje për këshilla nga të sapoardhurit, Guvenc krijoi një agjenci këshillimi si biznes dhe u bë anëtare themelues i Shoqatës së Biznesmenëve Turq në Mal të Zi.

Erdan Seferoviç, një boshnjak etnik 25 vjeçar me origjinë nga qyteti verior malazez i Rozajes, u diplomua në Turqi vitin e kaluar falë një burse të qeverisë turke dhe gjithashtu vendosi të përdorte eksperiencën dhe lidhjet e tij për të ndihmuar biznesmenët turq që po vijnë në Mal të Zi.

Seferoviç është tani kryetar i Shoqatës së të Diplomuarve nga Turqia në Mal të Zi, MASAT.

“Nëpërmjet OJQ-së tonë unë punoj në biznesin e këshillimit, sidomos për investitorët turq,” tha ai për BIRN.

“OJQ-ja jonë është bërë një nga institucionet referuese të pakta në Mal të Zi për të ndihmuar dhe udhëzuar biznesmenët turq pasi ne e njohim vendin tonë, e njohim Turqinë, gjuhën turke dhe nevojat e investitorëve turq.”

Seferoviç tha se ai gjithashtu kishte parë “një rritje të jashtëzakonshme” në numrin e turqve që ngritën një shtëpi në Mal të Zi dhe në pjesë të tjera të Ballkanit.

Shumë citojnë shtypjen politike.

“Turqit kryesisht punojnë në qytetet turistike bregdetare si Kotor dhe Budva dhe gjithashtu në kryeqytet dhe qytete të tjera kryesisht në turizëm, restorante, ndërtim dhe biznese të pasurive të patundshme,” tha Seferoviç për BIRN.

Miss Mali i Zi

Foto: Hamdi Firat Buyuk.

Sevi Tetik, një biznesmene turke, erdhi fillimisht në Mal të Zi në vitin 2017.

Në qytetin e saj të lindjes Kusadasi, Tetik i shiste rroba turistëve, por biznesi u ra pasi sulmet terroriste dhe paqëndrueshmëria politike në Turqi ulën numrin e të huajve.

“Shumë nga miqtë e mi erdhën dhe hapën dyqanet e tyre në Kotor dhe Budva,” tha Tetik për BIRN. “Kur e kuptova këtë, vendosa të vija dhe të shihja situatën këtu. Pastaj, pas vizitave të mia, zgjodha Podgoricën për të hapur dyqanin tim. Dyqani im funksionon që nga muaji korrik.”

Situata politike ishte në rrënjë të vendimit të saj, tha ajo.

“Presioni i partisë në pushtet ndaj opozitës më shtyu të merrja këtë vendim radikal. Ndjeva se mënyra ime e jetës po ndërpritej nga politikat islamike të qeverisë. Shumica e popullsisë turke në Mal të Zi kanë një profil të ngjashëm.”

Butiku i Tetikut në Podgoricë, RiccaDonna, shet fustane të rangut të lartë që kanë treguar se shiten shumë në kryeqytetin malazez.

Popullariteti i butikut bëri që Tetik të fitonte një vend sponsorizimi në konkursin e bukurisë Miss Mali i Zi, që do të thoshte se secila pjesëmarrëse kishte veshur një nga fustanet e saj ndërsa vetë Tetik ishte në juri.

“Mbretëresha e bukurisë malazeze do të veshë fustanin tim në finalen e botës,” tha ajo.

“Këtu askush s’më pyet për përkatësinë time etike”

Por përveç kërkimit të mundësive më të mira të biznesit, Tetik tha se një motivim më i rëndësishëm për lëvizjen e saj ishte mënyra europiane e jetesës dhe mundësitë e arsimit për dy fëmijët e saj që mund të ofrojë Mali i Zi.

“Unë besoj se Mali i Zi së shpejti do të jetë një vend i BE-së,” tha ajo.

Në frontin e biznesit, Guvenc tha se perspektiva e Malit të Zi për BE, stimujt e tij për investitorët e huaj, situata relativisht e qëndrueshme politike dhe ekonomike dhe burokracia shtetërore më efikase e bëri atë më tërheqës sesa vendet e tjera në rajon.

Disa turq e shohin vendin si një “mundësi të dytë”, tha ai, “pasi ata besojnë se Mali i Zi do të jetë së shpejti anëtar i BE-së.”

Megjithatë, Guvenc tha se disa turq u goditën nga mashtruesit të cilët i joshën ata me premtime të rreme për marrje nënshtetësie në këmbim të investimeve.

“Marrja e nënshtetësisë malazeze në bazë të investimeve ekonomike nuk është aq e lehtë sa e bëjnë,” tha Guvenc, i cili është pjesë e një komiteti qeveritar që merret me nënshtetësinë ekonomike.

“Këto vende janë të kufizuara,” tha ai për BIRN. Sipas rregullave aktuale, të huajt duhet të investojnë të paktën 400,000 euro dhe t’i dhurojnë 100,000 euro të tjera shtetit në mënyrë që të kualifikohen.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se shumica e turqve nuk kanë të drejtë për këto kërkesa të larta.

Seferoviç tha se shumica e turqve nuk ishin në këtë kategori.

“Shumica e turqve që drejtojnë firmat e tyre këtu nuk mund të klasifikohen si investitorë të mëdhenj,” tha ai. “Ata hapin kafene, hotele të vogla, restorante ose dyqane suveniresh në qytetet bregdetare turistike.”

Yildiz Ay, një alevite arabe etnike nga provinca jugore turke Hatajit, tha se familja e saj u zhvendos në Mal të Zi duke kërkuar një të ardhme më të mirë europiane.

“E dua Turqinë, e dua atdheun tim, por kur themi se jemi alevitë, disa njerëz madje nuk duan të pinë apo hanë ushqimin tonë,” tha ajo. “Shoqëria jonë është shumë e fragmentuar dhe e politizuar, fatkeqësisht. Kështu që vendosëm të jetonim në Mal të Zi. Këtu askush nuk pyet për prejardhjen etnike apo fetare.”

Turqia në krizë

Erdogani e ka sunduar vendin për më shumë se 15 vjet, periudhë gjatë së cilës marrëdhëniet dikur premtuese me BE-më dhe Shtetet e Bashkuara janë dëmtuar ndjeshëm, qeveria ka ushtruar kontroll më të madh mbi ekonominë dhe shoqëria turke është bërë shumë e polarizuar.

Ai ka fajësuar klerikun mysliman që ndodhet në SHBA Fethullah Gulen dhe pasuesit e tij për grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016, duke i quajtur ata terroristë. Guleni mohon çdo përfshirje.

Që atëherë, më shumë se 150 mijë njerëz janë burgosur ose janë marrë në paraburgim nga autoritetet për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me organizatat terroriste.

Më shumë se 170,000 vetë janë shkarkuar nga sektori publik, duke përfshirë ushtrinë, policinë, sistemin gjyqësor dhe akademinë.

Qeveria ka mbyllur mijëra organizata të shoqërisë civile, media, shkolla, banka dhe kompani për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me Gulenin dhe organizata të tjera të dyshuara “terroriste”.

Në këtë proces, 94 kryesisht kryetarë bashkish kryesisht opozitarë u hoqën nga detyra dhe disa deputetë u burgosën.

Në vitin 2017, Erdogan ia kaloi pushtetin e parlamentit një sistemi ekzekutiv presidencial që i jep presidentit pushtet suprem, pas një referendumi në të cilin vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, thanë se 2.5 milionë vota mund të ishin manipuluar.

Paqëndrueshmëria politike dhe përkeqësimi i marrëdhënieve me Perëndimin kanë ndikuar në ekonominë e vendit.

Sipas shifrave të publikuara në shtator, lira turke ka humbur më shumë se 40 për qind në vlerë që nga fillimi i vitit. Inflacioni qëndron në 25.2 për qind dhe papunësia në mbi 10 për qind. Njëzet për qind e të rinjve janë  pa punë.