Lajm14 May 2018

Pas ish-kryeprokurorit Llalla, edhe Gashi e Gina nën akuzë për fshehje pasurie

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku pezulloi nga detyra Rovena Gashin dhe Dritan Ginën pas regjistrimit të procedimit për fshehje pasurie. Dy prokurorët kundërpërgjigjen me akuza dhe pohojnë se vetëm Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka tagrin e hetimit të pasurisë së tyre.  

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Foto: Malton Dibra/LSA

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi të hënën se dy prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina janë marrë të pandehur për veprën penale të fshehjes së pasurisë, akuzë kjo që është pasuar me urdhrin e pezullimit të tyre nga detyra.

Pasuria e bashkëshortëve Gashi dhe Gina po hetohej nga Prokuroria e Durrësit, e cila njoftohet se ka regjistruar ndaj tyre procedimin në bazë të nenit 257/a-2 të Kodit Penal, i cili parashikon veprën penale të “refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, pezullimi nga detyra për Rovena Gashin dhe Dritan Ginën u firmos nga kryeprokurorja Marku më 11 maj, pasi kjo e fundit u njoh me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurve për të dy bashkëshortët.

“Prokurori [ët] do të jenë të pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës,” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme.

Vendimi i pezullimit, i firmosur nga kryeprokurorja Arta Marku konsiderohet si “hakmarrje personale dhe inskenim” nga prokurori Dritan Gina. Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i zonjës Gashi, Çlirim Gjata argumentoi në një bisedë telefonike me BIRN se i vetmi institucion që ka tanimë tagrin të hetojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve është Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“Procedimi penal ndaj meje është inskenim dhe hakmarrje mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Durrësit. Kanë marrë lajmet e një portali dhe më ka regjistruar direkt emrin si person i proceduar në kundërshtim me ligjin. Nuk më kanë thërritur asnjëherë për të dhënë shpjegime,” tha Gina për BIRN.

“Vetingu është një procedurë e jashtëzakonshme, por e pranuar nga të gjithë dhe në këto kushte askush tjetër nuk ka të drejtë të kryejë hetim pasuror për gjyqtarët dhe prokurorët. Prokurorja e Përgjithshme ka si kompetencë të vetme të bëjë dosjen e vlerësimit për prokurorët dhe t’ia kalojë atë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit,” tha Gjata për BIRN.

Gjata akuzoi gjithashtu Markun se kishte shpërdoruar detyrën, pasi kishte marrë atributet e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë [ende i pangritur] në dhënien e masave disiplinore ndaj dy prokurorëve.  I pyetur nëse ishin njohur me akuzën e fshehjes së pasurisë, Gjata i tha BIRN se Prokuroria nuk ka marrë asnjë deklarim nga Gashi dhe Gina dhe e cilësoi këtë “një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”.

Rovena Gashi dhe Dritan Gina mbanin poste drejtuese në organin e akuzës, gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Ulja e tyre në detyrë ishte ndër aktet e para të ndërmarra nga kryeprokurorja Arta Marku, pas zgjedhjes së saj në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017.

Pas uljes në detyrë, Gashi dhe Gina i kundërshtuan vendimet e Markut në gjykatë, duke i cilësuar ato të kundraligjshme. Pretendimet e tyre u rrëzuan respektivisht nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata Administrative e Tiranës, duke lënë në fuqi vendimet e kryeprokurores.

Regjistrimi i procedimit penal për fshehje pasurie ndaj prokurorëve Gashi dhe Gina vjen pas vënies nën akuzë të ish-shefit të Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla, i cili po hetohet për pastrim parash me transaksionet multimilionëshe të blerjes së tokave. I nisur fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, procedimi penal për Llallën po vijon nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.