Opinion17 Jun 2019

Pas krizës aktuale të Shqipërisë qëndrojnë krimet e pandëshkuara

Kriza aktuale e Shqipërisë i ka rrënjët në dështimin e saj për të bërë paqe me të kaluarën e përgjakshme, gjë e cila ka krijuar një klimë cinizmi dhe mosndëshkimi që po gërryen ende shpirtin e kombit.

Autor: Gazmend Kapllani BIRN Çikago
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Shqipëria po kalon një ngërç politik. Është e vështirë të dish si dhe përse. Besoj, megjithatë, se burimi i krizës së fundit absurde qëndron kryesisht në faktin se partitë politike shqiptare kanë ndërprerë përfaqësimin e interesave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë.

Ata “përfaqësojnë”, në pjesën më të madhe, interesat dhe tekat e liderëve të tyre autokratikë dhe kleptokratikë dhe miqve që i rrethojnë ata. Opozita dhe qeveria jetojnë sot në botë krejtësisht të ndryshme, ndërsa presidenti i Shqipërisë (i cili ka bashkë-qeverisur me të dyja palët dhe gruaja e tij “zotëron” gjysmën e opozitës), është në prag të shndërrimit në një shaka politike – edhe pse shakatë politike në demokracitë e brishta zakonisht kthehen në tragjedi politike.

Nuk ka asnjë dyshim se shoqëria shqiptare ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këto 30 vitet e fundit. Është vërtet mrekulli që shqiptarët qenë në gjendje ti mbijetonin regjimit më mizor stalinist në Europën Lindore, i cili shkatërroi strukturën e vërtetë të vendit. Sot ata ëndërrojnë t’i bashkohen BE-së, kryesisht për shkak se duan të kapërcejnë njëherë e përgjithmonë fantazinë përndjekëse të izolimit total nga pjesa tjetër e Europës në të cilën ata jetuan për pothuajse gjysmë shekulli gjatë Luftës së Ftohtë.

Por, në të njëjtën kohë, 30 vjet pas rënies së regjimit stalinist, rivalët politikë në Shqipëri ende e shohin njëri-tjetrin jo si kundërshtarë politik me të cilët ata duhet të konkurrojnë ashpër, duke ndjekur disa norma demokratike, por si armiq të cilët duhet të asgjësohen me çdo kusht.

Kriza e demokracisë në Shqipëri këto ditë duhet të shihet edhe si pjesë e të njëjtës krizë po aq serioze që po ndodh në Europë dhe në mbarë botën. Në Shqipëri, një demokraci ende e brishtë, kriza globale e demokracisë pasqyrohet ndoshta në pasojat e saj më të zymta.

Përveç dimensionit krejtësisht politik të kësaj krize, Shqipëria duhet të përballet me një problem të thellë moral dhe ekzistencial të lidhur me konceptet e drejtësisë dhe kujtesës.

Në 80 vitet e fundit, qoftë nën totalitarizëm apo nën pluralizëm, jeta politike e Shqipërisë mund të tregohet si historia e dhimbshme e një krimi të vazhdueshëm pa dënim. Kjo, nga ana tjetër, ka shkaktuar një nihilizëm dhe cinizëm mbizotërues moral që po gërryen shpirtin e kombit.

Është e çuditshme që në Shqipëri viktimat e regjimit totalitar – disa prej të cilëve janë ende në kërkim të varreve të njerëzve të tyre të dashur të ekzekutuar nga regjimi i mëparshëm – nuk morën kurrë hak ndaj persekutuesve të tyre.

Nëse në Shqipëri u shmang gjakderdhja, kjo ishte për shkak të një akti të jashtëzakonshëm faljeje. Por në të njëjtën kohë nuk pati atë që francezët e quajnë Le devoir de mémoire – detyra morale për të kujtuar të kaluarën në mënyrë që të nxjerrin mësime politike dhe morale për të ardhmen.

Narrativa mbizotërues pas rënies së regjimit, se “të gjithë ishim persekutues dhe të persekutuar” , hapi rrugën për barazimin e autorëve dhe viktimave dhe, si pasojë, për nihilizmin moral.

Organet politike post-totalitare që synonin të trajtonin krimet e regjimit shpesh drejtoheshin nga njerëz që kishin qenë pjesë e të njëjtit sistem. Ndërsa ata shpesh lëshonin fushata anti-komunizmi histerik dhe qesharak, ata nuk treguan asnjë interes të vërtetë që trajtonin seriozisht një të kaluar komplekse dhe të dhimbshme.

Sot qytetarët shqiptarë ende nuk kanë qasje të lirë në arkivat e Sigurimit famëkeq, policisë sekrete të regjimit komunist. Shqipëria nuk krijoi kurrë një Komision të së Vërtetës dhe Pajtimit për periudhën e totalitarizmit.

Shqipëria është ndoshta i vetmi komb midis vendeve ish-komuniste, ku njerëzit që duhet të ishin përjashtuar nga jeta politike janë ulur si deputetë në parlament, ende duke u mburrur me krenari se si i shërbyen një regjimi kriminal, siç bën edhe sot Spartak Braho, një deputet i Partisë Socialiste.

Shqipëria është ndoshta i vetmi vend ish-komunist, ku një ish-shef policie gulag, Edmond Caja, i cili udhëhoqi shtypjen e përgjakshme të kryengritjes së të burgosurve politikë në Qafë Bari në vitin 1984 (një nga gulagët më të frikshëm shqiptarë), kërcënon publikisht dhe njollos viktimat dhe të mbijetuarit në vitin 2019.

Për më tepër, shpifjet e tij të liga publikohen në gazetat kryesore të përditshme si lajme të bujshme për të argëtuar audiencën. Shqipëria është i vetmi vend në mesin e shteteve ish-totalitare ku vejusha e diktatorit Enver Hoxha, një nga diktatorët më të egër të historisë moderne europiane, mund të shfaqet e qetë në faqen e parë të një gazete të madhe, duke fyer ata që guxojnë të hetojnë krimet të regjimit.

Nuk është thjesht rastësi, besoj, se gjithçka që përmend unë po ndodh ndërsa kriza politike po thellohet. Ekziston një lidhje organike midis rrëmujës politike dhe morale të një shoqërie të tërë, e cila mendon se autorët, nën totalitarizëm ose nën pluralizëm, kurrë vihen kurrë para drejtësisë morale dhe institucionale.

Ish-selia e Sigurimit në Tiranë, tani Muzeu i Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit. Foto: Wikimedia/Bes-ART.

Ne nuk ishim të gjithë persekutues dhe të persekutuar. Disa ishin autorë dhe disa të tjerë ishin viktima. Disa ishin ekzekutues dhe të tjerët u ekzekutuan. Sloganet si “Të gjithë jemi viktima dhe autorë krimesh”, në lidhje me të kaluarën totalitare politike, dhe, “Të gjithë jemi të korruptuar dhe viktima korrupsioni”, lidhur me të tashmen politike kleptokratike, qeverisen nga e njëjta logjikë nihiliste.

Ata përfundojnë duke eliminuar të gjithë ndjenjën e përgjegjësisë individuale, duke shpërblyer autorët e krimeve dhe duke e kthyer mosndëshkimin në një mënyrë jetese politike.

Shqipëria ka nevojë për drejtësi morale dhe institucionale që të pajtohet me veten. Pa këtë, një kulturë dypartiake dialogu dhe bashkëpunimi nuk do të zërë kurrë rrënjë në jetën politike të kombit. Mungesa e drejtësisë është ajo që çon në një nihilizëm dhe dorëzim të shfrenuar moral që po i kthen të gjitha sukseset e shoqërisë sonë në dështime dramatike.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e BIRN. Copyright Project Syndicate. Jo për ripublikim.