Lajm16 Nov 2020

Pas muajsh “qetësie” nga pandemia, dyfishohet numri i refugjatëve të kapur në Korçë

Numri i refugjatëve dhe emigrantëve nga Lindja e Mesme që hyjnë ilegalisht nga Greqia në Shqipëri, u dyfishua në tetor, ndërsa policia njoftoi se arrestoi 36 trafikantë. Kufiri shqiptarë kontrollohet nga policia lokale dhe njësi të policisë nga vende të BE në misionin FRONTEX. 

Autor: Dhorjela Çule BIRN Korçë
Printo

Forca të FRONTEX me dy refugjatë të ndaluar në zonën e Korçës. Foto:Dhorjela Çulerç

Mëngjesin e së hënës një 32 vjeçar nga Korça u arrestua në aksin Pogradec – Librazhd pasi ishte duke transportuar 4 refugjatë. Policia njoftoi se “32 vjeçari D.M. u kap nga pika e kontrollit në afërsi të vendit të quajtur “Lumi I Tërhanit” në dalje të Pogradecit së bashku me 4 emigrantët të cilët kishin kaluar kufirin e gjelbër ilegalisht me synim për të shkuar drejt përëndimit”. Sipas policisë ai u kishte kërkuar nga 215 euro për person atyre që po transportonte.

Ndërkohë një ditë më parë 4 persona u arrestuan në afërsi të fshatit Dardhas në Pogradec teksa po transportonin 6 emigrantë të paligjshëm.

Mesatarisht Policia e Korçës thotë se ndalon 120 emigrantë në muaj. Por numrat u dyfishuan sëfundmi. Policia e Korçës i tha BIRN se tetori kishte qenë muaj me fluksin më të madh te emigrantëve të kapur pasi kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri. 235 emigrantë të paligjshëm u kapën sipas policisë teksa transportoheshin me mjete të ndryshme,  ndërsa u arrestuan 36 persona që po bënin transportimin e tyre. Policia tha se prej qershorit ka ndaluar mbi 700 emigrantë që kishin hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë krahas transportit me automjete të vogla, u evidentuan edhe raste të transportimit me kamion të tyre. “78 emigrantë të grupmoshave të ndryshme u ndalën po transportoheshin në rimorkion e një kamioni, të cilit i paraprinte një mjet tjetër që kontrollonte rrugën për të shmangur kontrollet policore”, njoftoi policia e Korçës.

Prej rreth 5 vitesh miliona refugjatë nga vendet e lindjes ndërmarrin udhëtime të rrezikshme në përpjekje për t’i shpëtuar luftës dhe për të rregulluar jetesën e tyre në vende të ndryshme të Evropës. Pasi u dyndën në shtetin grek, Shqipëria u kthye në një prej korridoreve kryesore të kalimit të tyre ndërsa Korça mbetet në zonat më të nxehta sa i takon shtigjeve ilegale të kalimit.

Krahas trafikantëve shqiptarë muajin e kaluar, janë arrestuar edhe 5 shtetas të huaj, të cilët janë përpjekur të udhëtojnë në drejtim të kryeqytetit, me synim për të vazhduar më tej drejt vendeve të tjera – bëri zyrtarisht me dije Policia e Korçës.

Çdo ditë 5 pika kontrolli monitorojnë akset kyçe që lidhin qarkun e Korçës me qarqet e tjera të vendit ndërsa pak ditë më parë 4 refugjatë sirianë u aksidentuan në afërsi të fshatit Lozhan në përpjekje për t’i shpëtuar policisë. Ata u arrestuan pasi kishin vjedhur automjetin me të cilin po lëviznin.