Kryetari i sindikatës së naftëtarëve të KPTHN Ballsh shprehet se do të vazhdojnë me protestat dhe grevën e urisë derisa rafineria të administrohet nga një kompani serioze e kontrolluar nga shteti dhe të likuidohen pagat e prapambetura.
Pas disa protestave, naftëtarë të Rafinerisë së Përpunimit të Thellë të Naftës së Ballshit, KPTHN Ballsh nisën të hënën grevën e urisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre për rifillimin e punës dhe pagesën e pagave të prapambetura.
Greva e urisë filloi pasi naftëtarët nuk morën zgjidhje pas disa protestave, ku ajo e fundit u zhvillua para godinës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë më 17 shtator. Kryetari i sindikatës së naftëtarëve të KPTHN Ballsh, Sokol Dautaj i tha BIRN se shqetësimet e ngritura prej tyre nuk u dëgjuan as nga përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi nuk u pranua kërkesa për takim.
“Drejtuesit e kompanisë duket se e kanë marrë me tallje vuajtjen tonë. Na u pemtua një pagë paradhënie dhe rifillimi i punës, por deri tani asgjë. Edhe kontratën individuale e nënshkruam nga halli se jemi prej muajsh pa punë e pa të ardhura. Kanë nëntë muaj që na gënjejnë”, pohoi kryetari i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj dhe shtoi se askujt nuk i është vënë në dispozicion kopje e kontratës nga ana e palës punëdhënëse.
Ai shtoi se kërkesat e tyre janë konkrete dhe të zgjidhshme. “Ne kemi dy kërkesa: Të vijë një kompani e kontrolluar nga shteti që të mos falimentojë pas disa muajsh – ose, në të kundërt, nëse vendoset të mbyllet, të na likuidojnë pagat e prapambetura që vetëm për periudhën 2015-2016 janë 13 për secilin nga ne, si dhe të likuidohen gjithë detyrimet e tjera”, tha Dautaj dhe theksoi se dy qëndrojnë kërkesave të tyre.
“Do të vazhdojmë grevën dhe protestat tona derisa të ketë zgjidhje. Do vazhdojmë… . Ne të vdekur jemi…. Kemi muaj që nuk paguhemi…, si do jetojmë? Ne këtë profesion kemi”, pohon Dautaj.
Pasi kaloi dorë më dorë që pas privatizimit të dështuar të vitit 2008, rafineria e Ballshit u mor në administrim në mars 2018 nga kompanitë Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat janë në pronësi të dy kompanie zvicerane, CFD Conseils Sarl dhe PGFS Pilotage & Gestion S.
Së fundmi, KPTHN e Ballshit administrohet nga kompania Allum Enterprises, e cila ka negociuar me naftëtarët, por pa dhënë ndonjë zgjidhje konkrete për rifillimin e punës dhe pagesën e rrogave të prapambetura.
Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se Bankers dhe Allum kishin arritur marrëveshje për rifillimin e punës në KPTHN-në e Ballshit, por naftëtarët shprehen se një gjë e tillë nuk është realizuar ende.