Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit priti gazetarët në një takim në të cilin iu kërkua ndryshimi i rregullores së miratuar pa konsultë dhe lejimi i gazetarëve të kenë akses fizik në komisionet parlamentare.
I vënë në presion pas protestës së gazetarëve dhe reagimit të Bashkimit Europian për rregulloren e re mbi mediat, Kuvendi i Shqipërisë organizoi të premten një takim me gazetarëve dhe përfaqësues të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Takimi, që bëhet pas miratimit të rregullores nga Byroja e Kuvendit, një përpjekje për të zëvendësuar konsultimin e munguar më herët, u drejtua prej Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj.
Gjonçaj lexoi para gazetarëve një deklaratë të bërë publike më parë në të cilën mohohej se rregullorja cënonte raportimin e lirë dhe prezantoi një sallë me 13 kompjuter prej nga gazetarët mund të ndiqnin punimet e komisioneve si përmirësim të transparencës. I fokusuar tek përmirësimi teknik, Gjonçaj pretendoi se kjo ishte një ndihmë e mundësuar nga institucioni dhe e bënte më komod punën për gazetarët.
“Ky investim nuk duhet parë me negativizëm”, tha ai duke iu referuar qëndrimit të gazetarëve në protestë.
Por gazetarët i thanë Gjonçajt se shqetësimi i tyre nuk kishte të bënte me teknikën e re të vënë në punë, por me pengesën për të qenë të pranishëm në mbledhjet e komisioneve, aksesin te deputetët para apo pas këtyre mbledhjeve, përcaktimin në rregullore të shoqërimit të tyre nga garda, kufizimit të zonave ku ata kanë akses e të ngjashme.
Olta Blaceri, që ndjek punimet e Kuvendit prej vitit 2004, tha se kundërshtimi nuk kishte të bënte me sistemin teknik.
“Nuk e kemi me sistemin (audio-video), duam akses në komision, siç ka publiku akses në komision. Është vetmja mënyrë që unë të kuptoj çfarë ndodh”, tha Blaceri.
Ajo thkesoi se sistemi audio video mund të ishte një alternativë, por jo i detyrueshëm, ndërsa shtoi se salla e me 13 kompjutera nuk mjaftonte për të punuar as gazetarë që ndiqnin njërin prej komisioneve, pa llogaritur pjesën tjetër.
Duke iu referuar pretendimeve të Gjonçaj mbi sistemin dhe transparencën Blaceri shtoi se nuk kishte një shpjegim pse gazetarët nuk lejoheshin në komisione.
“Unë dua të di pse gazetarët nuk janë në komision dhe këtë nuk ma thua. Nëse unë nuk hyj t’i më ke cënuar të drejtën për informim,” tha Blaceri.
Gjonçaj në përgjigje tha se do ta shënonte këtë si kërkesë që do i paraqitej Kryetarit të Kuvendit dhe Byrosë së Kuvendit, por këmbënguli se teknika e re mundësonte akses të plotë për gazetarët.
Këta të fundit me radhë parashtruan një sërë kërkesash, përfshi disa ndryshime në rregullore, ku kryesorja ishte lejimi i pranisë fizike në komisione. Gjonçaj u mbrojt se pjesë të rregullores ishin të pandryshuara nga e vjetra, por gazetarët thanë se ato kishin qenë gabim atëherë dhe duhej të ndryshoheshin. Këto përfshin kryesisht nenin 12 mbi akomodimin, kërkesën paraprake për intervistë me deputetë, shoqërimin në mjedis nga garda apo punonjës të zyrës së shtypit dhe pengesa të tjera që kishin qenë apo ishin shtuar në rregullore.
Ndërkohë gazetarët shtuan se sistemi i audios dhe videos i instaluar nuk përmbushte kritere të cilësisë. Pretendimi i Gjonçajt për dy sisteme audio dhe për kamera të ndryshme u kundërshtua nga gazetarët si jo praktik, ndërsa ata vunë në dukje se cilësia e pamjeve që vinin nga sallat ishte e patrasmetueshme.
Gjonçaj listoi në fund të takimit pesë çështje që tha se do i paraqiteshin Kryetarit të Kuvendit dhe Byrosë, përfshi të drejtën e gazetarëve për akses në komisione dhe ato për lëvizjen e tyre në mjediset e Kuvendit, por tha se nuk mund të premtonte ndryshim të rregullores.
Rregullorja e re e Kuvendit për gazetarët që kufizon qëndrimin e tyre në një newsroom dhe vende të përcaktuara për intervista, është kritikuar ashpër nga organizatat lokale të gazetarëve, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësia e Bashkimit Europian.
“Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014,” thuhet në deklaratën e BE.