Kryeministri Rama deklaroi të hënën se Sandër Lleshi do ta drejtojë Ministrinë e Brendshme nga posti i zv.ministrit, duke i dhënë përkohësisht zgjidhje ngërçit të krijuar nga refuzimi i presidentit Ilir Meta.
Me një mesazh të shkurtër në Twitter, kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme si zv.ministër. Kjo zgjidhje qarkulloi në media menjëherë pas refuzimit të presidentit Ilir Meta për të hedhur firmën mbi dekretin e emërimit të Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm, por u zyrtarizua të hënën pas një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Rama paralajmëroi gjithashtu mbledhjen e parlamentit të martën për të votuar shkarkimin e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në orën 10.00,” shkroi kryeministri në Twitter.
Më 27 tetor, Rama e propozoi Lleshin si pasues të ministrit të dorëhequr, Fatmir Xhafaj për njërin prej posteve më të rëndësishme të kabinetit të tij, por propozimi nuk u dekretua nga presidenti Ilir Meta. Në një mesazh të thatë për mediat, zëdhënësi i Metës njoftoi më 3 nëntor se “presidenti nuk kishte krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besim kandidaturës së Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm”.
Refuzimi i Metës për të dekretuar kandidaturën e Ramës për ministër të Brendshëm përbën një rast të paprecedentë, pasi Kushtetuta e Shqipërisë i jep presidentit një rol ceremonial në dekretimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Më herët, ish-presidenti Bujar Nishani shprehu publikisht mospëlqimin e tij për kandidaturën e Fatmir Xhafajt, por e dekretoi atë me argumentin se Kushtetuta nuk i jepte hapësirë për të kundërtën.