Lajm24 Jun 2019

Pasuria e pajustifikuar dhe figura rrezikojnë karrierën e prokurorit Eugen Beçi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se prokurori Eugen Beçi nuk justifikonte pasurinë si dhe nuk kishte deklaruar refuzimin e vizës nga SHBA dhe se kishte kontakte të papërshtatshme. Beçi s’dha shpjegime për pasurinë, por kërkoi që fotoja e tij publike me një person të dënuar të mos merrej parasysh.  

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: Vladimir Karaj.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi u përball me një sërë problemesh gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. KPK vuri në dukje në seancën e zhvilluar mesditën e të hënës, se Beçi ishte hetuar vetëm për dy prej kritereve të vetingut: figurën dhe pasurinë.

Gjatë leximit të relacionit, Beçit iu vu në dukje se hetimi i Komisionit, ndryshe nga ai i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Kontrollit të Interesave, ILDKPKI, kishte gjetur një sërë problemesh në pasurinë e tij dhe kryesisht blerjen e një apartamenti 169 metra katrorë në Tiranë.

Po ashtu probleme iu gjetën edhe gjatë kontrollit të figurës, përfshi kontaktin e papërshtatshëm me një person, të publikuar gjatë debatit publik për të ashtuquajturin “komplot për vrasjen e deputetit Tom Doshi”, i cili rezultoi më pas një ngjarje e sajuar.

Trupa që hetoi Beçin kryesohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Roland Ilian, ndërsa vëzhguese ndërkombëtare ishte Maria Tuma. Beçi nuk dha shpjegime në seancë mbi pasurinë. Ai i tha trupës gjykese që i qëndronte shpjegimeve me shkrim mbi pasurinë, por kërkoi që ngjarja sipas të cilës ai kishte kontakt të papërshtatshëm të mos merrej në konsideratë. Ai shpjegoi se ngjarje të ngjashme mund të përdoreshin në vijim ndaj çdo zyrtari publik.

Eugen Beçi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokuror në Prokurorinë e Vlorës. Në vitin 2004 ai është emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe aktualisht.

Eugen Beçi ka mbajtur postin e drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për disa vite. Në vitin 2015, ai e la këtë detyrë për t’u transferuar përkohësisht në Prokurorinë e Elbasanit, për tu kthyer sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Hetimi mbi pasurinë

KPK bëri me dije se hetimi mbi pasurinë e Beçit ishte fokusuar të blerja përmes shkëmbimit e një apartamentit 169 metra katrorë. Sipas relatores Pine, burimi i deklaruar për këtë ishte një apartament  83.2 metra i financuar me kredi të butë dhe dy hua nga vëllezërit prej 4 milionë lekësh.

Gjatë hetimeve për burimin e ligjshëm, KPK hetoi mbi krijimin e pasurisë apartament 83.2 metra katrorë. Sipas relacionit ishin gjetur dy kontrata mbi këtë apartament. Një kontratë porosie me një kompani ndërtimi e tetorit 2006, sipas të cilës për vlerën në total 5.9 milion lekë, blerësi paguante në dorë 900 mijë lekë dhe pjesën tjetër e paguante me kredi.

Hetimet zbuluan gjithashtu se një vit më vonë, Beçi kishte bërë një kontratë shitje me pronarin e truallit, në të cilën nuk referohej kontrata e mëparshme me kompaninë e ndërtimit. Në këtë kontratë të dytë blihej edhe një garazh me vlerë 700 mijë lekë, nga të cilat 200 mijë lekë rezultonin të paguara në dorë.

Relatorja Pine vuri në dukje se mes dy kontratave kishte mospërputhje. Pine theksoi se po ashtu kishte mospërputhje edhe mes gjendjes faktike të provuar nga Komisioni dhe kontratave. Sipas saj Beçi kishte jetuar në apartamentin në fjalë para lidhjes së kontratës së sipërmarrjes dhe se ishin krijuar dyshime se kontrata në fjalë ishte bërë vetëm për të përfituar kredinë e butë.

Sipas relacionit, kredia e butë ishte tërhequr pjesë-pjesë dhe nuk ishte e qartë se kujt i ishin paguar shumat e tërhequra cash nga banka. “U krijuan dyshime se qëllimi i kontratës ka qenë vetëm aplikimi për të përfituar kredi të butë,” tha relatorja.

Duke u nisur nga deklaratat vjetore të prokurorit dhe deklarimit për llogari të procesit të vetingut, relatorja bëri me dije se ai kishte bërë deklarim të rremë në lidhje me një kredi të dytë nga një bankë. Sipas relatores, Beçi “kishte bërë deklarim të rremë edhe gjatë hetimit administrativ”.

Problemet që u gjetën në krijimin e kësaj pasurie, sipas relacionit u thelluan në momentin e hetimit për apartamentin 169 metra katrorë në Tiranë. Beçi rezultoi me një kontratë të dytë me probleme. Sipas relatores, asnjë nga veprimet që pretendohej se kishin ndodhur gjatë shkëmbimit të apartamentit 83.2 metra me vlerë 8.6 milionë lekë me apartamentin 169 metra me vlerë 22.9 milionë lekë nuk dokumentoheshin.

Sipas kontratave të marra nga KPK rezultonte që veç apartamentit, Beçi do paguante edhe 3.2 milionë lekë me këste prej 400 mijë lekësh në vit te pronari i apartamentit 169 metra. Ai po ashtu deklaroi se në një kontratë jo noteriale ishte parashikuar që shitësi të merrte 4 milionë lekë, që prokurori thotë se i ka marrë hua nga dy vëllezërit emigrantë në Greqi.

Komision thotë se i kishte kaluar barrën e provës për të ardhurat e vëllezërve, ndërsa u vu në dukje se asnjë prej veprimeve, qoftë pagesa prej 3.2 milionë lekësh, qoftë pagesa prej 4 milionë lekësh nuk provoheshin me asnjë dokumentacion. Po ashtu nuk provohej me dokumentacion as marrja e huasë nga vëllezërit dhe as kthimi i saj.

Barrë prove atij iu kalua edhe për të provuar burimin e ligjshëm të pasurive të prindërve të bashkëshortes, te shtëpia e të cilëve ai kishte deklaruar se kishte banuar për 2 vjet dhe të cilët kishin paguar për shkollimin e fëmijëve. KPK vuri në dijeni se Beçi kishte sjellë dokumentacionin, i cili do të shqyrtohej para vendimit.

Beçi në fjalën e tij nuk u ndal gjatë të shpjegimi i pasurive. Ai tha se u qëndronte shpjegimeve të paraqitura me shkrim dhe se besonte se ato shpjegonin veprimet që ai kishte bërë me pasurinë.

Kontrolli i figurës

Ndryshe nga ILDKPKI, organi tjetër ndihmës i Komisionit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK,  e kishte shpallur prokurorin të papërshtatshëm për shkak të mosdeklarimit të revokim të një vize nga Ambasada e SHBA në Tiranë. Revokimi i vizës ishte bërë një ditë para se Beçi të bënte deklarimin për kriterin e pastërtisë së figurës.

Ky iu fundit u përpoq të sqaronte këtë moment, të verifikuar nga Komisioni, duke thënë se heqja e vizës nga SHBA nuk ishte e barabartë me ndalimin e hyrjes për të cilin ai ishte pyetur në formular. Sipas tij, pyetja në formular ishte specifikisht për ndalimin e hyrjes dhe në këtë rast, revokimi i vizës nuk mund të cilësohej i tillë.

Komisioni vuri në dukje se Beçi kishte deklaruar një kontakt të papërshtatshëm, duke iu referuar publikimit kohë më parë të një fotoje të tij në prani të personave të dënuar. Fotoja u publikua në vitin 2015, si pjesë e asaj që u bë e njohur si “atentati i mbetur në tentativë ndaj deputetit Tom Doshi”, por që rezultoi të ishte një ngjarje e sajuar për të bërë me përgjegjësi penale persona të tjerë.

Beçi ndodhej në fotografi ndër të tjera edhe me një person të dënuar për trafik narkotikësh, një nga ish-drejtuesit e lartë të policisë si dhe persona të tjerë. Relatorja i vuri në dukje Beçit se deklarimi prej tij në këtë rast i kontaktit të papërshtatshëm nuk konsiderohej lehtësues.

Ajo theksoi se fakti ishte i njohur botërisht dhe deklarimi nuk përbënte “rrethanë lehtësuese”. Beçi kundërshtoi këtë qëndrim. Ai tha se fotografia ishte bërë për këtë qëllim dhe ftoi KPK të mos e përdorte atë si provë kundër tij.

Ai tha se me personin në fjalë i kishte shkëputur kontaktet që në vitin 2014 dhe se një foto e tillë mund të përdorej ndaj çdo zyrtari, për ta vënë atë në pozitë të keqe.

“Nëse do të keqintepretohet një rast i tillë, thjesht çdo zyrtar shteti bëhet i aksesueshëm publikisht duke realizuar qëllimet kriminale të grupeve të tilla”, tha Beçi, duke vënë theksin se hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda kishte provuar se qëllimet e publikuesve kishin qenë mashtrimi dhe krijimi i rrethanave të rreme.  “Besoj se ju do të godisnin qëllimin e publikimit të asaj fotoje”, tha Beçi.

Ai po ashtu bëri një paraqitje të punës së tij 20-vjeçare në prokurori, duke thënë se kishte kërkuar dhjetra dënime me burgim përjetë. Beçi këmbënguli të fliste për profesionalizmin edhe pse ai nuk ishte hetuar nga KPK. I pyetur nga kryesuesja Valbona Sanxhaktari nëse i kërkonte trupës të merrte në shqyrtim edhe profesionalizmin, Beçi u përgjigj pozitivisht. Megjithatë, pas disa sqarimeve me kryesuesen rreth asaj që ai po prezantonte, ai nuk paraqiti kërkesë formale për t’u rihapur hetimet. Vendimi për Beçin do të jepet më 26 qershor ora 9:30.