Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ngriti akuza ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi si “përfaqësues i interesave të Edi Ramës”, duke dhënë shembullin e vendimit kontrovers të emërimit prokuror të Bledar Valikajt. Ibrahimi nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për koment.
Partia Demokratike në opozitë sulmoi kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi duke e konsideruar vendimin e KLP-së për emërimin në detyrën prokuror të Bledar Valikajt antikushtetues dhe të paligjshëm. Ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj deklaroi në një konferencë për shtyp se rasti i Valikajt, i cili njihet edhe si bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj, është tregues se si institucioni më i lartë i prokurorisë është kapur nga qeveria.
“Rasti i Bledar Valikajt, merita e vetme e të cilit është lidhja bashkëshortore me deputeten e Edi Ramës, përbën një provë skandaloze sesi organet e reja të drejtësisë shkelin kushtetutën për t’i shërbyer pushtetit të kryeministrit, përmes kapjes politike të çdo hallke të sistemit të drejtësisë,” deklaroi Alibeaj.
“Emërimi i burrit të deputetes socialiste është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Reformës në Drejtësi në të paktën 2 pika: Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk e ka përfunduar këtë shkollë. Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të vetingut. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk ka kaluar në veting,” deklaroi Alibeaj.
Kryetari i KLP Gent Ibraimi nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment mbi akuzat.
Bledar Valikaj është emëruar oficer i policisë gjyqësore në vitin 2002 në Berat dhe prej vitit 2013 e ka kryer detyrën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Valikaj, i cili është bashkëshorti i deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj u propozua për prokuror në vitin 2015, por pasi u refuzua me heshtje nga Presidenti i Republikës, nisi një betejë gjyqësore kundër tij, të cilën e fitoi.
Aktualisht ai është emëruar prokuror në Tiranë me vendim të KLP-së të datës 25 mars. Vendimi e ndau trupën që aktualisht ka 10 nga 11 anëtarë në pesë me pesë, por vota e kryetarit Ibrahimi prevalon mbi anëtarët e tjerë. Emërimi i Valikajt, i cili nuk ka mbaruar shkollën e magjistraturës, është vetëm një nga problemet e rastit. Aktualisht nuk është e qartë nëse prokurori i ri do të duhet t’i nënshtrohet vetingut apo jo. Nëse jo, Valikaj do të jetë prokurori i vetëm deri më sot që nuk i nënshtrohet procesit që u bë simbol i reformës në drejtësi.