Lajm1 Oct 2021

PD depoziton kërkesën për hetim parlamentar të ligjshmërisë së inceneratorëve

Demokratët depozituan kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për tre kontratat koncensionare për trajtimin e plehrave urbane. Deputetja Jorida Tabaku tha se paligjshmëritë në kontrata ishin të shumta “duke vendosur të gjithë qeverinë në shërbim të një biznesi”.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama gjatë inagurimit të inceneratorit të Elbasanit në Prill, 2017 | Foto nga: Ministria e Mjedisit

Partia Demokratike ka depozituar të premten në Kuvend kërkesën për hetim parlamentar për kontratat koncensionare të qeverisë për ndërtimin e tre inceneratorëve.

Deputetja Jorida Tabaku, e cila është propozuar nga partia e saj si kryetare e komisionit hetimor, tha se me këto kontrata: “Janë shkelur të gjitha ligjet dhe rregullat…duke vendosur të gjithë qeverinë në shërbim të një biznesi të vetëm”.

“Me 17 vendime brenda ditës është dhënë inceneratori i Elbasanit, ku ka pasur një shkelje të jashtëzakonshme të të gjithë procedurave, vetëm e vetëm për t’i dhënë këtij biznesi, këtij individi, Klodian Mërtiri të lidhur me qeverinë, të lidhur me anëtarët e qeverisë një kontratë konçesionare”- shkoi Tabaku në njoftim për depozitimin e kërkesës për hetim parlamentarë.

Në dokumentin e dorëzuar nga deputetja Jorida Tabaku, thuhet se ky komision do të ketë si qëllim: “Kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve të pushtetit ekzekutiv në procedurat konkurruese për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane.”

PD argumenton në kërkesë se ka të dhëna të mjaftueshme për shkelje të ligjeve të caktuara në procedurat e ndjekura nga qeveria për dhënien e tre kontratave për ngritjen e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë me vlerë qindramilionë euro.

Hetimi do të fokusohet në verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e ministrisë së Mjedisit si autoritet kontraktor, si dhe nga organe të tjera publike të përfshira në procedurat konkurruese,  dëmin ekonomik që i shkaktohet buxhetit dhe efektet negative mjedisore.

Deputetja demokrate solli në vëmendje faktin se kjo çështje është nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK), por sipas saj “asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë që është sot në qeveri, nuk është në hetim, ndërkohë që në gjykimin tonë, të paktën kryeministri dhe zoti Ahmetaj, si dy persona kyç në aferën e incineratorëve, duhej të ishin’.

Në një prononcim të mëhershëm kur njoftoi se do të kërkohej ngritja e komisionit, kreu i PD Lulzim Basha e cilësoi projektin si “Mafia e inceneratorëve”.

Hetimi prek dhënien me koncesion me vlerë qindra milion euro për ndërtimin e inceneratorëve dhe për menaxhimin e fushave të depozitimit të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier. Tre kontratat në fjalë janë fituar nga kompani që duket se janë të lidhura me njëra-tjetrën. BIRN zbuloi shtatorin e kaluar se Mirel Mërtiri, i afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dyja krahët e politikës, qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve në Shqipëri përmes një rrjeti kompanish satelite. Mërtiri ka hedhur BIRN në gjyq për “dëm moral dhe ekzistencial”.

Nga ana tjetër, ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka, u akuzua nga ish-partia e tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, se ka përfituar 3.3 milionë euro përmes një rrjeti kompanish fantazmë të paguara nga incineratori i Elbasanit. Koka iu përgjigj akuzës duke akuzuar LSI-në si “mosmirënjohëse” ndërsa i konsideroi akuzat si “shpifje”.