Lajm30 Sep 2021

PD dorëzon në Kuvend kërkesën për komision hetimor për zgjedhjet

Demokratët kërkojnë hetimin e procesit zgjedhor të 25 prillit me qëllim “kontrollin e keqpërdorimit të burimeve të administratës dhe asgjësimin e kufirit mes shtetit dhe Partisë Socialiste në pushtet”.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Nënkryetari i Partisë Dekomratike, Enkelejd Alibeaj. Foto: LSA

Partia Demokratike në opozitë depozitoi të enjten kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për procesin zgjedhor të 25 prillit, me pretendimin se ka keqpërdorim të fondeve dhe administratës si dhe të tjera shkelje ligjore nga ana e Partisë Socialiste, e cila fitoi zgjedhjet.

Në dokumentin prej 13 faqesh, PD pretendon për të paktën nëntë rrethana konkrete që kanë çuar në parregullsi të rënda të procesit; që nga përdorimi i të dhënave personale, përdorimi fondeve të tërmetit apo ndihmës ekonomike dhe deri tek mohimi i së drejtës së votës për diasporën.

Argumenti i kërkesës bazohet kryesisht mbi disa gjetje të raportit final të misionit vëzhgues të ODHIR  të datës 26 korrik 2021. Demokratët e shohin këtë hetim si një mundësi për të identifikuar problemet dhe adresuar zgjidhjet ligjore, me qëllim rikthimin e besimit të publikut te procesi zgjedhor.

Sipas kërkesës, hetimi do të ketë objekt “a) verifikimin e mbrojtjes dhe përdorimit të të dhënave personale (patronazhistët) nga shteti dhe Partia Socialiste për qëllime elektorale; b) verifikimin e përdorimit të fondeve publike, për qëllime elektorale, duke përfshirë edhe shpërblimin e dëmeve nga tërmeti i vitit 2019; (c) verifikimin e ligjshmërisë së legalizimeve të ndërtimeve informale për qëllime elektorale dhe d) verifikimin e punësimeve në administratën publike për qëllime elektorale”.

Komisioni parashikohet të ketë 15 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe gjashtë anëtarë do t’i përkasin opozitës dhe shumicën vendimarrëse do t’a ketë mazhoranca.

Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se PD e ka detyrim, jo vetëm ndaj zgjedhësve të saj, por ndaj të gjithë qytetarëve që të hetojë zgjedhjet e 25 prillit. “Është një nevojë ulëritëse që sistemi demokratik kërkon, disa nga çështjet kryesore që meritojnë dhe do të hetohen, në transparencë të plotë me publikun,” tha ai.

PD thekson në kërkesë se “puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësive penale për personat e përfshirë”, duke e lënë këtë në dorën e organeve të drejtësisë. Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të kërkojë edhe dy komisione të tjera hetimore për çështjen “Beccheti” dhe të ashtuquajturën “mafia e inceneratorëve”.