Lajm10 Nov 2021

PD kërkon të dhëna zyrtare për përfituesit e inceneratorëve dhe zyrtarët publikë

Anëtarët demokratë të komisionit hetimor në Kuvend paraqitën 12 kërkesa për institucione publike dhe private për të mbledhur informacion mbi procedurat e ndërtimit të 3 inceneratorëve. Ndërsa socialistët kërkuan shtrirje të hetimit në kohën e qeverisjes “Berisha”.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e komisionit hetimor parlamentar, Jorida Tabaku. Foto: LSA

Komisioni hetimor parlamentar për ligjshmërinë e procedurave në ngritjen e impanteve të përpunimit të mbetjeve vendosi të mërkurën që të kërkojë informacion zyrtar dhe prova nga institucionet shtetërore dhe joshtetërore në funksion të hetimit.

Deputetët e Partisë Demokratike, e cila është iniciatore e këtij hetimi, dorëzuan 12 kërkesa për të dhëna zyrtare duke pretenduar se kanë të dhëna paraprake të mjaftueshmë që vërtetojnë se pas tre kontratave konçensionare të inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës fshihet “një aferë e madhe korruptive”.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, tha se kërkesat janë për Këshillin e Ministrave, Ministritë e Financave, Ministrinë e Mjedisit, atë të Infrastrukturës e Mjedisit, Kontrollin e Lartë të Shtetit, bashkitë ku veprojnë incineratorët, përfshirë bashkitë e Durrësit dhe Kavajës, disa drejtori që mund të zbardhin lëvizjet e parave për incineratorët, etj..

Po ashtu demokratët kërkojnë nga Policia e Shtetit vënien në dispozicion e të dhënave të sistemit TIMS duke pretenduar për lëvizjet e disa zyrtarëve të qeverisë me personat që qëndrojnë pas kompanive përtifuese.

Duke u bazuar në një investigim të BIRN, PD i kërkon Ministrisë së Drejtësisë që të kërkojë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut dosjen hetimore lidhur me aksidentin e datës 16.07.2017, pranë qytetit të Kumanovës, ku u përfshi ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe shtetasi Mirel Mërtiri, i cili qëndron pas kompanive përfituese.

Nga Drejtoria e Tatimeve, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe bankat e nivelit të dytë kërkohen të dhëna për për të hetuar lidhjet mundshme të biznesit mes pronarëve të kompanive përfituese dhe ministrave të qeverisë “Rama”.

Në argumentet e tyre, deputetët e PD-së, thanë se ka indicje dhe prova për një skemë korruptive në tre kontratat me kompanitë fituese, të cilat “pavarësisht emrave të ndryshëm janë përqëndruar tek 3 persona: Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stella Gugallja”.

Deputeti Luçiano Boçi foli për inceneratorin e Elbasanit duke e cilësuar një praktike krejtësisht korruptive që në nisje dhe për mënyrën se si qeveria u vu në shërbim të një kompanie private. “Dokumentat tregojnë se brenda 24 oreve janë kryer 9 procedura, nga shpallja fituese deri tek miratimi i kontratës nga qeveria”- tha ai.

Për inceneratorin e Fierit deputeti Lefter Gështenja tha se është shkelur kontrata mes kompanisë koncensionare dhe shtetit duke përfituar fonde publike pa nisur nga puna impanti. “Në propozimin e pa kërkuar subjekti propozues ka parashikuar vitet 2016-2017 si periudhë e nevojshme për ndërtimin e impiantit dhe vitin 2018 si vitin e vënies në punë. Ndërkohë pagesat e shtetit propozohet dhe pranohet dhe në kontratë që pagesat e kësteve nga ana e shtetit të fillojnë qysh nga momenti i lidhjes së kontratës; Fakt është puna nuk filloi as në 2016, as në 2017 dhe as në 2018”- tha ai.

Ndërsa inceneratori i Tiranës, për Partinë Demokratike, përveçse ka të njëjtën skemë procedurash dhe koncensioni fsheh pas të njëjtët persona si në dy rastet e mëparshme,  është edhe “një skenë krimi“. Deputeti Belind Këlliçi i tregoi komisionit foton e Ardit Gjoklajt i cili humbi jetën në landfillin e Sharrës në Tiranë duke kërkuar që të hetohet përgjegjësia e bashkisë Tiranë për këtë ngjarje tragjike.

Edhe socialistët parashtruan disa kërkesa për hetimin duke kërkuar që ai të shtrihet në kohën e qeverisjes “Berisha” para vitit 2013, duke pretenduar se kanë indicie për afera korrupsiove me projektet e mbetjeve për disa persona të afërt me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Nënkryetarja e komisionit, Ermonela Felaj tha se kërkonte të dhëna nga Banka Botërore për një projekt të financuar prej saj, që sipas Felajt “nuk rezulton të jetë përdorur për qëllimin që është dhënë”. Ajo lidhi emrin e dhëndrit të Berishës, Jamambër Malltezi si përfitues i këtij projekti.

Felaj kërkoi që bashkia Tiranë të vinte në dispozicion çdo dokument që ka të bëjë me riciklimin e mbetjeve duke pretenduar se “një aktivitet për të cilin ka të dhëna të forta gjithmonë publike që në të jetë përfshirë kunati i kryetarit Basha, gjatë kohës që drejton e Bashkinë e Tiranës”.  Më tej ajo tha se duhet hetuar edhe landfilli i Porto Romanos i cili ishte jashtë çdo standardi, duke kërkuar dokumentacion për praktikat që ka ndjekur ministria e Mjedisit në kohën kur drejtohej nga Fatmir Mediu.

Komisioni u përfshi në debate proceduriale për mënyrën se si do të zyrtarizoheshin kërkesat hetimore për institucionet, ndërkohë u ra dakord që lista e dëshmitarëve të përpilohet pasi të mblidhen të dhënat hetimore.

Tre kontratat koncesionare që po hetohen nga parlamenti janë fituar nga kompani të lidhura me njëra-tjetrën. Në një investigim të publikuar shtatorin e kaluar, BIRN zbuloi se Mirel Mërtiri, i afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dy krahët e politikës qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve përmes disa kompanive ‘satelite’.

Tre kontratat koncensionare për ngritjen e impianteve të plehrave që i kushtojnë buxhetit të shtetit  deri në 400 milionë euro janë në hetim prej kohësh edhe nga Struktura e Posaçme për Anti Korrupsionin (SPAK).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *