Lajm13 Aug 2019

PD publikon dokumentin: Kryetari i bashkisë Shkodër, i dënuar për trafik droge

Të dhënat e publikuara nga Partia Demokratike të martën sugjerojnë se kryetari i sapozgjedhur i bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri është dënuar në vitin 2003 në Itali për trafik lëndësh narkotike.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama dhe kandidati për kryetar bashkie, Valdrin Pjetri, gjatë një mingu elektoral | Foto nga : Facebook

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi publikoi të martën dokumente të organeve ligjzbatuese italiane, sipas të cilave kryetari i sapozgjedhur i bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri ka një të kaluar kriminale në shtetin fqinj.

“Duke qenë se Prokuroria po e zvarrit çështjen, Partia Demokratike po sjell prova autentike për dënimin në Itali, Firence, të drejtuesit politik të Edi Ramës në Shkodër, pretendentin për Kryetar Bashkie,” deklaroi Bardhi në një konferencë për shtyp.

“Edi Rama hesht prej 2 javësh që kur Partia Demokratike zbuloi për opinionin publik se kandidati i tij për Kryetar të Bashkisë Shkodër është një trafikant droge, i dënuar në Itali 16 vjet më parë,” shtoi ai.

Bardhi më tej bëri publike një dokument, që sipas tij është kartela elektronike e të dhënave kriminale të Pjetrit, e nxjerrë nga sistemi i Kuesturës së Firences.

Sipas dokumentit, vërtetësinë e të cilit BIRN nuk e ka konfirmuar në mënyrë të pavarur, Valdrin Luigj Pjetri, i datëlindjes 18 Shtator 1982, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë, së bashku me shtetasin Altin Doda, në datë 27 Janar 2003 në Firence.

Më datë 28 Janar 2003, përpara gjykatës, Valdrin Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë, duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal italian.

Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003 me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit.

Më datë 3 Shkurt 2003, Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti Italian.

Përpjekjet për të marrë një koment nga Pjetri nëpërmjet telefonit nuk morën menjëherë përgjigje të martën. Ndërkohë, në një reagim në rrjetin social Facebook, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i kërkoi Prokurorisë që të zbardhte sa më parë të shkruarën e Pjetrit.

“Në raport me ligjin e me drejtësinë dhe padiskutim edhe me këtë aspekt specifik të legjislacionit shqiptar, lidhur me pastërtinë e figurave që ushtrojnë funksione publike, Partia Socialiste ka përcaktuar qartë një vijë të kuqe, për të gjithë anëtarët e saj,” tha Balla.

“Kjo vijë e kuqe nuk përjashton askënd, që nga Kryetari i Partisë deri tek anëtari i thjeshtë,” shtoi ai.

Nëse të dhënat e publikuara nga Partia Demokratike do të konfirmohen, Pjetri do të jetë subjekt ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në bazë të ligjit për integritetin e figurës së funksionareve publike, i njohur gjithashtu si ligji i dekriminalizimit.

Sipas ligjit për dekriminalizimin, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për trafik droge ose për të cilët ka një urdhër dëbimi nga territori i një shteti anëtar të BE-së.

“Megjithëse përfshihet në një nga pikat më të forta të ligjit të dekriminalizimit, këmbëngulja e Valdrin Pjetrit për t’i shkuar mashtrimit të tij deri në fund, provon se ai ka mbrojtje në nivelin më të lartë të pushtetit,” tha Bardhi.

“Me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është ai kumbari i Valdrin Pjetrit, me kandidimin e të cilit poshtëron qytetarët e Shkodrës,” shtoi ai.

Pjetri nuk është zyrtari i parë vendor që akuzohet për të shkuarën kriminale. Më parë, dënimet jashtë Shqipërisë i kushtuan karrierën kontroverse politike edhe ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. Në vitin 2018, Rroshi u dënua me 5 muaj burg të konvertuar në punë në komunitet, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Për shkak të së shkuarës kriminale, mandatin e kanë humbur dhe disa deputetë të parlamentit shqiptar, përshirë Shkëlqim Selami dhe Gledion Rahovica nga LSI si dhe Dashamir Tahiri dhe Aqif Rakipi nga PDIU. Ndërkohë, dy deputetë të PS-së, Arben Ndoka dhe Armando Prenga u larguan me dorëheqjen.