Analize2 Jul 2021

PDK-ja e Kosovës në kërkim të një fillimi të ri me një kryetar të ri

Pasi dy nga ish-liderët dolën para gjykatës në Hagë, Partia Demokratike e Kosovës dëshiron ta ringjallë fatin e saj duke zgjedhur një figurë të re që mund të përmirësojë performancën e dobët që ajo pati në zgjedhjet e fundit.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Selia e PDK-së në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi/BIRN.

Partia më e madhe opozitare e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, do të zgjedhë kryetarin e saj këtë të shtunë në konventën e partisë, tetë muaj pasi dy nga ish-liderët e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, aktualisht janë në proces gjyqësor për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“PDK-ja po hyn në një fazë të re politike, e provokuar nga rrethanat e krijuara nga Gjykata Speciale”, tha për BIRN analisti politik Imer Mushkolaj duke iu referuar zhvillimeve pas nëntorit të vitit 2020 që ishin tronditëse për PDK-në.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit ishte shokuese për PDK-në, siç ishte shokues edhe rezultati relativisht i dobët i saj në zgjedhjet parlamentare të këtij viti dhe Mushkolaj është i sigurt se transformimi është mënyra e vetme që kjo parti të ecë përpara.

“Një transformim i tillë dukej i pamundur më parë, por jo tani kur PDK-ja, në mungesë të udhëheqësve të saj, duhet të ndryshojë në mënyrë që të akomodojë zhvillime të reja”, tha ai.

Aktualisht, kandidati i vetëm për ta udhëhequr partinë është Memli Krasniqi sepse lideri i përkohshëm dhe aktual Enver Hoxhaj bëri të ditur këtë të enjte se nuk do të kandidojë për këtë post.

Profesori 52-vjeçar i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës e mori udhëheqjen e PDK-së në muajin nëntor të vitit 2020 pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, të cilat u themeluan për të gjykuar krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999, ngritën padi kundër Kadri Veselit, i cili ishte udhëheqësi i partisë në atë kohë.

Zgjedhje konkurruese apo formalitet?

Memli Krasniqi me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Foto: Facebook/Memli Krasniqi

PDK-ja u krijua në tetorin e vitit 1999 nga udhëheqësit kryesorë të atëhershëm të UÇK-së. Presidenti i saj i parë, Hashim Thaçi, kishte qenë drejtori politik i UÇK-së, ndërsa anëtarët e tjerë të lartë themelues përfshinin Xhavit Halitin, i cili kishte drejtuar financat e UÇK-së, dhe Azem Sylën, ish-komandantin e saj suprem.

Fillimisht si parti e së majtës, me statusin e vëzhgueses brenda bllokut Socialist Evropian, më vonë ajo u zhvendos në qendrën e djathtë.

Pasi doli për tetë vite rresht e dyta në zgjedhje në raport me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, PDK-ja doli e para në zgjedhjet e treta shumë partiake të mbajtura në Kosovë në nëntor të vitit 2007.

PDK-ja ndryshoi lidershipin e saj në qershor të vitit 2016, kur Kadri Veseli, nënkryetari i saj dhe ish-shefi i Shërbimit të Inteligjencës të Kosovës, SHIK, zëvendësoi Thaçin kur ky i fundit u bë president.

Në zgjedhjet e vitit 2019, PDK-ja u rendit e treta dhe kaloi në opozitë pas 12 vitesh në qeveri. Në zgjedhjet e parakohshme të këtij viti, PDK-ja doli e dyta për sa i përket votave, por me vetëm 19 deputetë në një parlament me 120 vende, rezultati më i keq në historinë e saj dydekadashe.

Analisti politik kosovar, Adrian Çollaku, tha se ai kishte shpresuar për një garë më konkurruese për rolin e liderit të PDK-së dhe, ndërkohë që ditët kalojnë, ai po zhgënjehet gjithnjë e më shumë.

“Në momentin kur PDK-ja lajmëroi zgjedhjet për kryetarin e saj, ne prisnim të kishim një konkurrencë të fortë sepse kishte sinjale se ashtu sikurse Memli Krasniqi, edhe (ushtruesi i detyrës së kryetarit), Enver Hoxhaj dhe (ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington], Vlora Çitaku, do të garonin për postin e kryetarit të partisë”, tha Çollaku për BIRN.

“Sidoqoftë, duket se Hoxhaj dhe Çitaku nuk do të jenë pjesë e garës, kështu që kjo do ta bëjë konventën e 3 korrikut thjesht një formalitet”, tha ai.

Sipas këndvështrimit të Mushkolajt, situata politike në Kosovë është krejtësisht e ndryshme nga situata kur Veseli u largua nga detyra e udhëheqësit të partisë, pasi zgjedhjet e parakohshme të muajit shkurt 2021 sollën në pushtet rivalin e ashpër të PDK-së, Albin Kurtin e Vetëvendosjes, me një fitore të madhe. Vetëvendosja fitoi më shumë se 50 për qind të votave, rezultati me i lartë që një parti mund ta ketë arritur në mjedisin politik të copëzuar të pasluftës në Kosovë.

“Varet nga lidershipi  ri se si PDK-ja do të sillet në këtë situatë të re politike dhe nëse mund të arrijë të ruajë bazat e partisë në të njëjtën kohë me zhvillimet e reja brenda partisë”, tha Mushkolaj.

Memli Krasniqi: nga hip-hopi në politikë

Memli Krasniqi, kandidat për postin e kryetarit të PDK-së. Foto: Facebook/Memli Krasniqi.

Duke qenë se ka qenë për shumë kohë në qeveri, PDK-ja shpesh akuzohej për korrupsion të institucionalizuar dhe ‘kapje të shtetit ’. Në progres raportin e tij vjetor për Kosovën në vitin 2020, Komisioni Evropian arriti në përfundimin se “korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze” në Kosovë.

Kandidati për postin e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi pohon se partia tani “duhet të hapë një kapitull të ri”.

“Unë jam plotësisht i bindur se së bashku do të ndërtojmë një profil dhe ekipin që na duhet për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një shtëpi të duhur politike për të cilën ata kanë shumë nevojë”, tha Krasniqi më 28 qershor kur shpalli kandidaturën e tij.

Tani 41 vjeç, u bë i njohur për publikun e Kosovës që nga mesi i viteve 1990, por fillimisht jo si politikan.

Me grupin e tij muzikor “Ritmi i rrugës”, Krasniqi ishte pionier i hip-hopit në Kosovë. I diplomuar në shkenca politike, ai u bë anëtar i PDK-së në mes të viteve 2000 dhe u zgjodh si kryetari i forumit rinor të partisë.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2007, ai u zgjodh deputet dhe vazhdoi të mbajë disa poste ministrore. Shpejt u bë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Thaçit në parti dhe qeveri, pjesërisht për shkak të stilit të tij të mprehtë debatues, por edhe sepse PDK-ja donte të shtonte disa zëra civilë.

Kur PDK-ja doli në opozitë në vitin 2019, pas 12 vitesh në qeveri, Krasniqi u emërua shefi i grupit parlamentar të PDK-së.

Mushkolaj tha se anëtarët e PDK-së tani do të duhet të mësohen ta pranojnë një udhëheqës i cili nuk është i UÇK-së.

“Zgjedhja e Krasniqit mund të shkaktojë reagime midis anëtarëve të PDK-së të cilët janë emocionalisht të lidhur me luftën dhe me njerëzit që e udhëhoqën atë, por ata duhet të dinë se as Thaçi e as Veseli nuk mund të jenë udhëheqës të partisë dhe se një transformim është i nevojshëm”, tha ai.

Në një intervistë dhënë për kanalin televiziv T7 në Prishtinë të mërkurën, vetë Krasniqi këmbënguli që as Thaçi e as Veseli nuk ishin të përfshirë në ndonjë mënyrë në kandidaturën e tij për kreun e partisë.

“Absolutisht jo… Ata kanë një betejë tjetër tani”, tha ai, duke iu referuar pretendimeve për krime lufte me të cilat po përballen ish-shefat e tij në Hagë.

Megjithatë , analistët zor se e besojnë këtë.

“Sigurisht që është e pamundur ta ndërrosh kryetarin e partisë duke mos pasur pëlqimin e dy udhëheqësve të saj (të mëparshëm), por varet nga kryetari i ri nëse ai mund t‘i mbajë bashkë anëtarët e partisë dhe cilin kurs të reformave për partinë ai do të ndjekë”, deklaroi Mushkolaj.

Çollaku argumentoi se PDK-ja do të ketë probleme me ndryshimin, nëse një njeri që identifikohet kaq thellë me Thaçin dhe Veselin vendoset si kryetar i saj.

“PDK-ja do të ketë vështirësi në transformimin e saj, veçanërisht kur dihet se Memli Krasniqi pritet të zgjidhet si kryetar i saj sepse ai shihet si ‘i dërguari i Thaçit dhe Veselit’”, tha Çollaku.

Deri më tani, as Thaçi dhe as Veseli nuk i kanë dhënë mbështetje të hapur askujt për postin e kryetarit ose nuk kanë thënë ndonjë gjë publike lidhur me garën për kryetarin e PDK-së.