Lajm26 Mar 2020

Penalizohen 12 biznese për rritje të çmimeve në krizën e COVID-19

Tre administratorë biznesesh u proceduan penalisht dhe 9 të tjerë u gjobitën për rritje të çmimeve të medikamenteve apo produkteve ushqimore- ndërkohë që vazhdon gjobitje edhe për kalimtarët e pabindur.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Punonjës të policisë duke ushtruar kontrolle në Tiranë. Foto: LSA

Policia e Shtetit njoftoi të enjten se kishte penalizuar 12 biznese për abuzime me çmimet e medikamenteve apo produkteve ushqimore në kushtet e krizës së shkaktuar nga epidemia e koronavirusit. Tre administratorë u proceduan penalisht, ndërsa nëntë të tjerë u dënuan me gjobë nga policia.

“Mjaft kontrolle në subjektet tregtare janë ushtruar edhe nisur nga denoncimet e qytetarëve ndaj subjekteve që abuzojnë me çmimet e produkteve që tregtojnë në pikat e shumicës dhe të pakicës të tregut të fruta-perimeve, ushqimeve dhe produkteve farmaceutike,” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga policia.

Sipas policisë, gjobat ndaj administratorëve kanë qenë 50 mijë lekë, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për rastet e referurara nga policia lidhur me abuzimin e çmimeve gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, 40 qytetarë janë ndëshkuar me nga 10 mijë lekë gjobë secili, pasi janë konstatuar në ambjente publike gjatë kufizimit të lëvizjeve, pa pasur ndonjë arsye apo emergjencë. Po ashtu, janë evidentuar 33 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë penalizuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

Në njoftim shtohet se në të gjithë vendin janë konstatuar 10 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe për këtë arsye, administratorët janë gjobitur me nga 100 mijë lekë secili.

Të dhënat e raportuara prej Policisë së Shtetit tregojnë se ka pasur një pakësim të rasteve të shkeljes së rregullave të qarkullimit prej së shtunës, ku u vendos një regjim i ri dhe i rreptë për qytetarët. Policia shton megjithatë se ka ende “të pabindur”, të cilët shkelin oraret e përcaktuara për kufizimin e lëvizjeve dhe ushtrimit të aktiviteteve të tjera.