Nga papunësia te korrupsioni dhe shëndeti, vende të ndryshme të botës kanë arsye të ndryshme për t’u shqetësuar.
Një pjesë e madhe e popullsisë botërore nuk është e kënaqur me drejtimin e vendit të vet, sipas një sondazhi të ri që gjithashtu zbulon se për çfarë shqetësohen më tepër njerëzit në vende të caktuara.
Në Francë dhe Meksikë, për shembull, 89% mendojnë se vendi i tyre është në rrugë të gabuar. Brazili, Afrika e Jugut, Italia dhe Hungaria i përafrohen me pakënaqësi që shkon nga 82 deri në 84 për qind.
Në përgjithësi, në 25 vende të studiuara nga kompania britanike e kërkimit Ipsos MORI, njerëzit kanë më shumë gjasa të mendojnë se “gjërat në vendin e tyre janë në rrugën e gabuar” 61% sesa se janë drejtuar nga drejtimin e duhur 39%.
Për çfarë po shqetësohet bota aktualisht
Papunësia është shqetësimi kryesor në botë, ku 39% thonë se kjo është ajo që i bën ata të shqetësohen më së shumti. Korrupsioni financiar/politik dhe varfëria e pabarazia sociale pasojnë me 32%. Krimi dhe dhuna 30% dhe shëndeti 22%, përmbushin pesë shqetësimet kryesore të botës.
Disa shqetësime kanë rënë me kalimin e kohës. Në 2010, mbi 50% e njerëzve shqetësoheshin rreth papunësisë, ndoshta duke reflektuar shijen e krizës financiare 2007-2008.
Shqetësimi rreth korrupsionit financiar/politik dhe kujdesit shëndetësor kanë mbetur gjerësisht të njëjta që nga 2010 dhe shqetësimi për varfërinë dhe pabarazinë sociale, si dhe krimin dhe dunën kanë rënë disi.
Shqetësimet variojnë nga vendi ku jetoni
Zakonisht, njerëzit në vende të ndryshme shqetësohen për gjëra të ndryshme. Shqetësimet kryesore për peruanët, meksikanët dhe argjentinasit, normat e vrasjeve në vendet e të cilëve janë mbi mesataren globale, janë krimi dhe dhuna.
Është befasi gjithashtu, se ky është shqetësimi kryesor për Suedinë, ku norma e vrasjeve është më pak se 1 në 100,000. Rrjeti europian i lajmeve The Local thotë se sondazhi u krye rreth kohës kur kishte disa lajme të krimeve të rënda në media dhe kjo mund të ketë ndikuar te përgjigjet e suedezëve.
Në vendet që kanë parë sulme terroriste në vitet e fundit, si Turqia, Izraeli, Indonezia dhe SHBA-ja, shqetësimi kryesor është terrorizmi. Për vendet europiane që kanë vuajtur nga kriza financiare, si Spanja, Italia dhe Franca, papunësia është shqetësimi më i madh, ku mbi 50% e njerëzve e kanë shprehur këtë shqetësim. Por papunësia është gjithashtu shqetësimi kryesor për Kanadanë, Australinë dhe Arabinë Saudite.
Shqetësimet rreth kujdesit shëndetësor janë kryesore për hungarezët dhe polakët, me 63% dhe 51%, respektivisht.
Njerëzit në Afrikën e Jugut, Rusi dhe Brazil shqetësohen më shumë rreth korrupsionit financiar dhe politik. Këto vende kanë gjithashtu renditje të ulët në Indeksin e Perceptimeve të Korrupsionit të kryer nga Transparency International; Afrika e Jugut është në vendin e 64, Rusia në të 131 dhe Brazili në vendin e 79.
Në Gjermani dhe Japoni, të dyja ekonomi madhore, varfëria dhe pabarazia sociale ishin shqetësimet më të mëdha.
Vetëm një vend citoi imigracionin si shqetësimin kryesor – Mbretëria e Bashkuar. Në Kinë dobësimi i moralit ishte një nga shqetësimet kryesore.
Vendet me popullatën më optimiste ishin Kina, Arabia Saudite, India, Argjentina, Peruja, Kanadaja dhe Rusia.
Marrë me autorizim nga Weforum.org