Lajm12 Sep 2018

Për herë të parë në 7 vjet, celularët u shtrenjtuan më 2017

Pas një rënieje të vazhdueshme të shpenzimeve për shërbimet e telefonisë së lëvizshme, gjatë vitit 2017 shqiptarët u detyruan të paguajnë më shtrenjtë për celularët, bëhet e ditur nga raporti vjetor i AKEP.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo


Shqiptarët paguan mesatarisht 5,091 lekë gjatë vitit 2017 për shërbimet e tyre celulare me një rritje prej 6.5% në krahasim me vitin 2016, bëhet e ditur nga raporti vjetor i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare. Gjatë vitit 2016, të ardhurat mesatare për përdorues të kompanive celulare ishin 4,750 lekë.

“Në vitin 2017 një përdorues aktiv celular ka paguar mesatarisht rreth 3.12 lekë/minutë (me TVSH). dhe shpenzuar mesatarisht 509 lekë/muaj (me TVSH) për shërbime celulare: 160 minuta thirrje dalëse, 34 SMS dhe rreth 2GB internet” shkruan AKEP.

Kostoja e shërbimit celular ka ardhur në rënie së paku që nga viti 2010, kur shqiptarët paguan mesatarisht 8,594 lekë ndërsa një minutë bisedë telefonike u shtrenjtua gjatë viteve 2016 dhe 2017.

Shqipëria ka pasur një nga shërbimet më të shtrenjta në planet për celularët gjatë dekadës 2000-2010, pavarësisht se ishte një nga vendet më të varfra në Europë. Por hapja e konkurrencës me hyrjen në treg të Eagle Mobile dhe Plus si dhe nismat rregullatore e ndërhyrjet e herëpashershme të Autoritetit të Konkurrencës sollën ulje të çmimeve duke filluar nga viti 2010.

Rënia më e madhe u shënua në vitin 2013 kur telefonia celulare i kushtoi shqiptarëve 18% më lirë se sa në vitin paraardhës.

Kostoja e shërbimeve celulare filloi të shtrenjtohej sërish gjatë vitit 2016, kur kompanitë celulare njëra pas tjetrës, vendosën të tarifonin paketat popullore me parapagesë për një periudhë katërjavore në vend të tarifimit të mëparshëm mujor. Kjo solli një rritje automatike të tarifave për përdoruesit e rregullt me 6.5% për shkak se viti kalendarik ndahej në 13 periudha tarifimi në vend të 12.

Kompanitë ndërhynë gjithashtu në vitin 2017 duke rritur njëra pas tjetrës tarifat për paketat katërjavore të komunikimit përmes uljes së sasisë së internetit të ofruar në paketën tipike. Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës konkludoi se nuk kishte të dhëna për “sjellje të koordinuar” mes kompanive në treg, pavarësisht se të treja kompanitë i rritën tarifat në një periudhë brenda dhjetë ditësh mes fundit të marsit dhe fillimit të prillit 2017. Pavarësisht kësaj, kompanitë iu rikthyen konkurrencës në qershor 2017 duke hequr disa nga kufizimet e vëna tre muaj më herët në sasinë e internetit të përfshirë në paketa ndërsa këtë vit, AKEP shpalli të paligjshme tarifimin katërjavor duke detyruar kompanitë të rikthehen te tarifimi mujor.

Konkurrenca në tregun e telekomunikacionit u ngushtua dhjetorin e kaluar kur kompania e katërt në treg, Plus, njoftoi tërheqjen nga tregu. Mbetet për t’u parë nëse tarifat e shërbimit celular do të rikthehen në rritje apo jo pas daljes së Plus.