Blog17 Mar 2020

Për mua, distancimi social sjell kujtime të vështira

Shumë nga ne vetëizolohen në heshtje çdo ditë. Koronavirusi solli mbrapsht errësirën që e kisha varrosur prej kohësh. Por këtë herë, e di që nuk jam vetëm.

Autor: Peter Geoghegan Open Democracy Dublin
Printo

Ilustrim nga Pixaby.

Në moshën 19 vjeçare u ktheva të jetoja në shtëpinë e mamasë time. Ishte dimri i vitit 1999. Sapo kisha dalë nga izolimi 6-javor i një spitali psikiatrik në një parking makinash nën shi në Dublin, me një kuti me Litium në xhep dhe me paralajmërimin se do të kaloja një pjesë të mirë të jetës brenda dhe jashtë korridoreve të lagësht dhe dhomave pa ajër të spitaleve psikiatrike të Irlandës.

(Ju kërkoj ndjesë nëse e tregoj keq këtë histori. Nuk kam shkruar më parë asnjë fjalë për të. Një dekadë pasi kishte ndodhur, zor se flisja ndonjëherë për të nga turpi. Kur ia thashë një të dashure të shumë kohëve më parë, ajo mendoi se po tallesha. Pretendova se isha duke u tallur dhe nuk ia përmenda më kurrë).

Gjithsesi, ku isha? Ah po, isha 19-vjeç dhe po jetoja sërish në një zonë rurale të Irlandës. Një vend prej nga kisha kaluar shumicën e viteve të mëparshme me ëndrrën për t’u arratisur. Kisha lënë universitetin. Miqtë e mi kishin ecur përpara. E harxhoja gjithë ditën duke parë TV dhe duke përtypur ëmbëlsira pa fund, në një përpjekje të kotë për të hequr nga goja shijen e bezdisshme dhe metalike të ilaçeve.

Lexoja. Shumë. Nuk dilja shumë jashtë. (Bëj provë të kesh një jetë sociale në Irlandën rurale, kur të thonë që të shmangësh alkoolin). Shkurtimisht, unë isha një mjeshtër i vetëizolimit, një rrip i zi në distancimin social. E cila duket se mund të më hyjë në punë tani.

Si gazetar, ka tema që do të preferonit të mos shkruani për to. Disa urrejnë sportin. Të tjerë, çdo gjë që duket si thashethem për të famshmit. Disa madje pengohen të shkuajnë për politikën.

Për mua, ka vetëm një temë të cilën gjithmonë jam munduar ta shmang: vetveten. Do të shkruaja për pothuajse çdo gjë tjetër.

Por ditët e fundit jam rikthyer me mendje vazhdimisht tek karantinimi i detyruar i dy dekadave më parë. Pjesë të vogla të saj vazhdojnë të rikthehen tek unë. Sesi orët zvarriteshin në përjetësi, ndërsa javët fluturonin. Kujtimet vijnë në copëza, teksa zgjohesh, i stërmadh për dhomën e gjumit të fëmijërisë, ndërsa asgjë nuk shtrihet para teje.

Nuk po e shkruaj të gjithën këtë për “të treguar historinë time”. Nuk ka shumë gjëra për të thënë për të qenë i vërtetë. Vite më parë, ndalova së marri ilaçe. Nuk u ktheva kurrë më në spitalin psikiatrik. Jeta ime nuk është torturuar nga ditë të errëta dhe ndërprerje. Kam ndërtuar një karrierë të suksesshme dhe jam mjaftueshëm sanguin nga disponimi.

Po shkruaj për këtë, pasi u ktheva sërish në shtëpinë e mamasë sime. Njësoj si 20 vjet më parë, erdha vetë, me një çantë të vogël dhe një ndjesi të madhe frike dhe pasigurie. Njësoj si atëherë, unë fle me zor dhe zgjohem i paqetë dhe i pasigurt në këtë shtrat të çuditshëm.

Fokët e mi janë më të shkurtër dhe më gri tani. Mamaja ime është më e vjetër. Ne rrimë më lehtë me njëri-tjetrin tani, sesa kur isha adoleshent dhe i përhumbur në botë.

Këto nuk janë të vetmet ndryshime. Këtë herë nuk u ktheva në shtëpi për konvaleshencë. U ktheva që të përgatis mamanë për pasigurinë me të cilën përballemi të gjithë.

Tani jam unë ai që shpresoj të ofroj ndihmë dhe mbështetje, edhe pse jam i shqetësuar gjithashtu –njësoj si ajo duhet të ketë qenë atëherë kur u ula në heshtje në sediljen e pasagjerit, ndërsa makina e saj e vogël përshkoi rrugën e gjatë nga oborri i Psikiatrikut St Patrick.

Covid19 duhet të na shtyjë ne që të ngrejmë pyetje të rëndësishme për botën ku jetojmë. Si arritën Shtetet e Bashkuara- vendi më i pasur në historinë e njerëzimit –në pikën që shumë prej njerëzve të saj nuk kanë shërbime bazike mjekësore apo sigurime shoqërore? Çfarë efekti ka pasur një dekadë shtrëngimi mbi aftësinë e Shërbimit Kombëtar Mjekësor për t’i bërë ballë krizës?

Por pandemia që ka pushtuar botën na shtyn gjithashtu drejt reflektimit, analizës, si dhe të ngrejmë më shumë pyetje personale.

E kam gjetur veten duke e bërë këtë së fundmi. Kur arrita në shtëpi më pak se dy javë më parë, mund të fusje të gjithë pacientët irlandezë të Covidit në një taksi. (Jo se kishe dëshirë, sigurisht). Mamaja ime mendonte se virusi ishte “njësoj si gripi sezonal”.

Tani, çdo ditë rriten rastet në mënyrë eksponenciale në edicionet e lajmeve të mbrëmjes në Irlandë. Çdo shkollë është e mbyllur. Dita e Shën Patrikut është anuluar. Madje dhe pijetoret janë mbyllur.

Mamaja ime është kthyer në një evangjeliste sa i përket kujdesit dhe përgatitjeve. Këtë mëngjes dëgjova t’i thoshtë një fqinjes në telefon se virusi “nuk erdhi nga Zoti, por erdhi nga një treg i lagësht në Vuhan”. Ato po merreshin vesh që t’i dërgonin ushqim njëra-tjetrës, nëse sëmureshin.

Ajo e ka bindur partnerin e saj dyshues për egërsinë e virusit në grupmoshën e tyre. Ai është izoluar tani në shtëpinë e tij, pranë kufirit irlandez.

E gjitha kjo më jep shpresë. Mamaja jeton në një rajon ku ka vetëm një shtat të kujdesit intensive për 100 mijë banorë. Nëse ndokush rreth saj sëmuret rëndë, nuk mund të mbështetet në sektorin e kujdesit shëndetësor irlandez (vështirë se është “një shërbim’). Ata duhet të ndihmojnë vetveten.

Pasi dola nga spitali psikiatrik, unë shpenzova gjashtë muaj për të marrë veten. Përfitimi i aftësisë së kufizuar më lejoi që ta mblidhja veten ngadalë. Sëmundja më mundësoi një rifillim të ri në universitet pa asnjë kosto. Por më shumë se çdo gjë, më shpëtoi dashuria dhe streha.

Tani që kemi ndërruar rolet, unë ndjehem i papërshtatshëm. E kam përgatitur nënën time aq mirë sa munda, por vazhdoj të ndjej se mund të bëja më shumë.

Dhe unë jam në një pozicion të privilegjuar: kam një punë që më lejon të punoj nga shtëpia dhe nuk kam detyrime të tjera familjare.  Unë munda, siç bëra dy dekada më parë që të kaloja muaj në shtëpinë ku u rrita për të ndihmuar nënën time, pasi ajo më ndihmoi.

Koha e vendimit po vjen. Qoftë të qëndroj këtu ose të kthehem në apartamentin tim, në jetën time, në një vend tjetër. Tashmë kufijtë janë duke u mbyllur në të gjithë Europën.

Ka edhe një ndërlikim shtesë. Për herë të parë pas kaq shumë kohësh, unë ndjej një hije të gjatë të shtrihet mbi mua. Një errësirë. Një boshllëk pararendës. Ditë, javë, muaj që shtrihen, boshe dhe të palëvizshme. Shqetësohem me aftësinë time për të përballuar izolimin, edhe njëherë.

Nuk jam i vetëm, me siguri. Pafund të tjerë duhet të ndjehen njësoj, pavarësisht nëse ata ndajnë ose jo një pjesë të historisë sime.

Çfarëdo zgjedhje të bëj tani, e di që jam një ndër fatlumët. Nuk e mendoja kurrë se do të kthehesha në këtë vend sërish, por unë kam një rreth të madh shoqëror dhe mbështetje. Kudo që të jem, kam miq dhe kolegë, edhe nëse ata janë në anën tjetër të linjës telefonike.

Shumë nuk janë kaq me fat. Për shumë të tjerë, distancimi social ishte pjesë e jetës shumë përpara Covid19. Javët dhe muajt e ardhshëm do të na sprovojnë në mënyra të ndryshme. Do të sjellin dhimbje dhe vuajtje. Shpresoj se do të gjejmë mënyra, mënyra krijuese për të qenë pranë njëri-tjetrit.

Për mua, kjo e bëri sërish të vërtetë një pjesë të jetës sime, që u përpoqa aq shumë ta varrosja. Ndoshta erdhi koha që të ndaloj gërmimin dhe thjesht ta pranoj atë.